Të gjitha forcat politike kundër shkrirjes së Dimalit, 20 këshilltarë votojnë kundër
Anëtarët e Këshillit Bashkiak Dimal u shprehën kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin. Qëndrimi vjen ndërsa kundërshtimet ndaj ndryshimeve të propozuara në hartën territoriale vijojnë edhe në bashki të tjera, me banorët e Cërrikut që kanë nisur firmosjen e një peticioni.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Foto: Bashkia Dimal
Këshilli Bashkiak Dimal njoftoi se 20 nga 21 këshilltarët pjesëmarrës në mbledhjen kushtuar reformës administrativo-territoriale votuan kundër shkrirjes së bashkisë me Beratin.
Në mbledhjen e zhvilluar të hënën morën pjesë fizikisht 19 këshilltarë, ndërsa Anila Shahini dhe Lorenc Plaku u lidhën në kohë reale dhe shprehën gjithashtu qëndrimin kundër propozimit. Dy këshilltarëve u është kërkuar të nënshkruajnë fizikisht deklaratën pranë sekretarit të Këshillit, brenda afateve ligjore.
“Ky votim pasqyron qartë qëndrimin e shumicës së cilësuar së Këshillit Bashkiak për ruajtjen e identitetit, funksionalitetit dhe autonomisë së Bashkisë Dimal”, thuhet në njoftimin e Këshillit Bashkiak Dimal, postuar në rrjetet sociale.
Gjatë mbledhjes u diskutua edhe relacioni që argumenton propozimin për bashkimin e Dimalit me Beratin. Këshilltarët kundërshtuan argumentet e paraqitura në të, duke pretenduar se treguesit financiarë dhe ekonomikë të Dimalit nuk e justifikojnë shkrirjen e bashkisë.
Sipas të dhënave të paraqitura në mbledhje, gjatë 10 viteve të fundit Dimali ka realizuar mesatarisht 38% të investimeve me buxhetin e vet, kundrejt 7% të raportuar për Beratin, çka sipas këshilltarëve kundërshton argumentin se bashkimi do t’i sillte Dimalit kapacitete më të mëdha investuese.
“Në relacion, në kundërshtim me nenin 89, nuk argumentohen as me fakte dhe as me studime fizibiliteti avantazhet e kësaj shkrirjeje”, ishte përfundimi i paraqitur në mbledhje.
Propozimi për hartën e re territoriale që parashikon shkrirjen e Dimalit dhe bashkimin e tij me Beratin është shoqëruar edhe me protesta nga qytetarët.
Kundërshtimet ndaj propozimit po vijojnë edhe në Cërrik, një tjetër bashki e parashikuar për shkrirje. Banorët kanë nisur firmosjen e një peticioni kundër bashkimit me Bashkinë Elbasan, duke kërkuar që Cërriku të ruhet si njësi më vete.
Propozimi i Partisë Socialiste për reformën territoriale parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 bashkive me njësi më të mëdha fqinje.
Kundërshtimet ndaj hartës së propozuar administrativo-territoriale janë shtrirë edhe në bashki të tjera të parashikuara për shkrirje, përmes protestave, peticioneve dhe qëndrimeve të drejtuesve vendorë.