Rruga e restauruar “Naim Frashëri” në Pogradec nuk i shpëtoi përmbytjes nga reshjet

Rruga “Naim Frashëri” në Pogradec u përmbyt të premten pas reshjeve të shiut, pak kohë pas ndërhyrjes për restaurimin dhe rikualifikimin e zonës historike. Projekti ishte përballur më herët me kritika për mënyrën se si ndërhyrja kishte trajtuar identitetin arkitekturor të rrugës, ndërsa përmbytja riktheu vëmendjen te infrastruktura e zonës.

Reshjet e shiut që përfshinë Pogradecin të premten, më 14 gusht, përmbytën rrugën “Naim Frashëri”, pjesë e zonës historike të qytetit ku së fundmi janë kryer punime restauruese dhe rikualifikuese.

Pamjet e publikuara pas reshjeve treguan ujin që kishte mbuluar pjesë të rrugës dhe kishte arritur pranë hyrjeve të banesave. Përmbytja u raportua gjerësisht, ndërsa në kronikat nga terreni u evidentua edhe bllokimi i pusetave. 

Rruga “Naim Frashëri” është pjesë e projektit “Restaurimi dhe Rikualifikimi Urban i Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Pogradecit”. Projekti përfshin edhe zonën e njohur si “Topleci” dhe është zbatuar përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Ndërhyrja në rrugën “Naim Frashëri” kishte ngritur më herët pikëpyetje për ruajtjen e identitetit arkitekturor të zonës, për shkak të standardizimit të portave, dritareve, ngjyrave dhe elementeve karakteristike të ndërtesave.

Projekti ishte promovuar nga Bashkia Pogradec si një ndërhyrje që synonte ruajtjen e vlerave historike dhe zhvillimin e potencialit turistik të zonës, ndërsa procedurat për realizimin e punimeve u zhvilluan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Dhjetëra video dhe fotografi nga përmbytja u publikuan në rrjetet sociale, ku qytetarët e lidhën situatën me punimet e kryera së fundmi në zonë, duke ngritur pikëpyetje për përmbytjen pas reshjeve të verës. Të shtunën, një ditë pas përmbytjes, qytetarët u ankuan edhe për erën e rëndë që vinte nga kanalizimet në këtë pjesë të rrugës.

Deri të shtunën, institucionet përgjegjëse nuk kishin bërë publik një sqarim për shkakun e përmbytjes së rrugës “Naim Frashëri”.