Trafik armësh nga Kosova për grupet kriminale, dy të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit arrestoi dy persona në Maminas, pasi në automjetin ku udhëtonin u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë. Armët dyshohet se u trafikuan nga Kosova me qëllim shitjen te grupet kriminale në Shqipëri, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Tre pistoleta dhe 34 fishekë që dyshohet se u trafikuan nga Kosova për t’u shitur grupeve kriminale në Shqipëri u sekuestruan në Maminas, Durrës, ndërsa dy persona u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Hallkat”.

Policia e Durrësit bëri të ditur se armët dhe 34 fishekë u gjetën gjatë kontrollit të automjetit ku udhëtonin M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, dhe D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren.

“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta) dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova”, njoftoi policia të shtunën.

34-vjeçari u arrestua për “Trafikimin e armëve dhe të municionit” dhe “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa 39-vjeçarja u arrestua për “Moskallëzim të krimit”. Gjatë kontrollit të banesës së burrit, policia njoftoi se gjeti edhe një dorezë hekuri.

Sipas policisë, armët dyshohet se kishin hyrë nga Kosova për t’u shitur grupeve kriminale, por në njoftim nuk u dhanë të dhëna për grupet që dyshohet se do t’i merrnin apo mënyrën se si armët kaluan kufirin.

Rasti në Durrës vjen pas disa sekuestrimeve të armëve në vend gjatë ditëve të fundit. Më 13 gusht, policia arrestoi në Elbasan një 21-vjeçar, të cilit i sekuestroi një pistoletë me municion.

Një ditë më vonë, në Lezhë dhe Kurbin, policia arrestoi dy persona dhe njoftoi sekuestrimin e 2 armëve të zjarrit, municionit dhe 5 kallëpëve tritoli.

Për operacionin “Hallkat”, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme.