Vaska pa ujë, investimi në Llixhat e Bënjës “thahet” me nisjen e sezonit veror

Investimi në vaskat e Banjave të Bënjës në Përmet po përballen me ulje të nivelit të ujit, ndërsa “Vaska e Lëkurës”, e zgjeruar në kuadër të projektit turistik në zonë, ka mbetur pa ujë. Situata ka ngritur pikëpyetje nëse ndërhyrja i ka marrë në konsideratë prurjet sezonale të burimeve termale.

Në fillim të muajit qershor, në ujërat termale të Bënjës, që ndodhen pranë Kanionit të Langaricës në Përmet, një prej atraksioneve natyrore më të vizituara në jug të vendit, është vënë re një fenomen që ka nxitur diskutime mes vizitorëve, banorëve dhe operatorëve turistikë të zonës. Fillimisht janë ngritur shqetësime për rënie të nivelit të ujit në disa prej vaskave termale, ndërsa më pas “Vaska e Lëkurës”, më e madhja në kompleksin e llixhave, ka mbetur pa ujë.

“Në periudhën e fundit ka pasur ndërhyrje dhe ndryshime të dukshme në disa prej vaskave, veçanërisht në ‘Vaskën e Lëkurës’, e cila është boshatisur përkohësisht”, tha një prej guidave turistike të zonës, duke kërkuar të mos identifikohet me emër.

Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës përbëjnë një nga atraksionet natyrore më të njohura në jug të Shqipërisë. Burimet termale që dalin nga nëntoka formojnë disa vaska natyrore me temperatura që variojnë sipas burimit, ndërsa prej dekadash zona frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj për banjat termale, peizazhin natyror dhe afërsinë me monumente të mbrojtura si Ura e Katiut, një urë osmane e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, dhe Kanioni i Langaricës, i shpallur Monument Natyre për vlerat e tij gjeologjike, ekologjike dhe peizazhore.

Ujërat termale të Bënjës, ku po zbatohet projekti “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, njihen tradicionalisht për përdorimin e tyre në trajtime relaksuese dhe për probleme të ndryshme të lëkurës, muskujve dhe kyçeve, çka ka bërë që llixhat të mbeten ndër destinacionet më të frekuentuara turistike dhe kurative në Shqipëri. Megjithatë, javët e fundit zona është vënë në qendër të debatit publik për shkak të uljes së raportuar të nivelit të ujit në disa prej vaskave, përdorimit të betonit në ndërhyrjet e reja dhe shqetësimeve mbi ndikimin që këto ndërhyrje mund të kenë në karakterin natyror të zonës.

Nga burim termal në burim debatesh 

Prej disa javësh, në rrjetet sociale dhe mediat në internet janë shtuar diskutimet dhe pretendimet lidhur me ndryshime të vërejtura në ujërat termale të Bënjës. Fotografi, video dhe komente të publikuara nga vizitorë dhe banorë të zonës kanë ngritur pikëpyetje mbi nivelin e ujit në disa prej vaskave termale, ndërsa debatet janë intensifikuar pas publikimit të imazheve që tregonin “Vaskën e Lëkurës” të boshatisur. 

Mungesa e ujit ka ngjallur shqetësim mes një pjese të vizitorëve që e frekuentojnë prej vitesh zonën, sipas guidave turistike që operojnë në Bënjë. 

“Turistët që e kanë vizituar më parë Bënjën kanë bërë pyetje dhe kanë shprehur kureshtje për ndryshimet që kanë vënë re. Shqetësimi i tyre kryesor është nëse këto ndryshime janë të përkohshme dhe nëse do të ruhet përvoja autentike që ata kërkojnë kur vizitojnë Bënjën”, tha guida turistike për Median Amfora. 

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe debatit që është zhvilluar ditët e fundit në rrjetet sociale, Administrata e Zonave të Mbrojtura (ADZM) tha se deri më tani nuk ka të dhëna që të lejojnë nxjerrjen e përfundimeve mbi shkaqet e situatës. 

“Deri në këtë moment nuk disponojmë një vlerësim teknik përfundimtar që të mund të konfirmojë lidhjen e ndryshimeve të raportuara me ndonjë ndërhyrje apo aktivitet të caktuar”, tha ADZM Gjirokastër në përgjigjen zyrtare për Median Amfora. 

Ndërsa vëmendja e vizitorëve, banorëve dhe operatorëve turistikë është përqendruar te ndryshimet e vërejtura në ujërat termale, të mërkurën faqja “Bashkësia Përmet” në Facebook, e cila publikon rregullisht informacione dhe zhvillime që lidhen me qytetin, njoftoi se “Vaska e Lëkurës” do të qëndrojë e mbyllur. 

” Vaska e Lëkurës, në llixhat e Bënjës do qendrojë e mbyllur pasi inxhinerët hidroteknikë e kanë boshatisur nga uji e po ndërhyjnë për të studiuar fazën e dytë të burimeve të cilët në varësi të stinës ndryshojnë dhe prurjet e ujërave”, shkruhet në njoftimin e publikuar të mërkurën. 

Njoftimi e intensifikoi edhe më tej debatin që prej javësh po zhvillohet rreth gjendjes së ujërave termale në Bënjë. Deri të enjten, postimi kishte gjeneruar 133 komente, ku një pjesë e përdoruesve lidhnin ndryshimet e vërejtura në nivelin e ujit me ndërhyrjet e kryera në vaska, veçanërisht me zgjerimin e “Vaskës së Lëkurës”, duke pretenduar se po përsëritej një shqetësim që ishte ngritur publikisht muaj më parë. 

Debati mbi ujërat termale po zhvillohet në një kohë kur në Bënjë po zbatohet projekti “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që synon transformimin e zonës përmes ndërhyrjeve në llixha, përmirësimit të infrastrukturës turistike dhe rritjes së kapaciteteve pritëse për vizitorët. 

Sipas dokumenteve të prokurimit, kontrata për zbatimin e projektit u tenderua në tetor të vitit 2024 me një fond limit prej rreth 209.7 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e parashikuar e punimeve është 16 muaj. Aktualisht, ndërhyrjet në terren vijojnë ende.

Projekti parashikon ndërhyrje të integruara në zonën e Bënjës me synimin për ta kthyer atë në një destinacion turistik të strukturuar dhe me kapacitete më të mëdha pritëse. Ndërhyrjet kanë përfshirë zgjerimin dhe sistemimin e vaskave termale, riorganizimin e hapësirave për vizitorët, krijimin e infrastrukturës mbështetëse dhe përmirësimin e aksesit në zonë, e cila vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve. 

Për të mësuar më shumë mbi situatën e krijuar në Bënjë dhe ndërhyrjet që po kryhen në zonë, Media Amfora iu drejtua zyrtarisht Bashkisë së Përmetit. Institucioni vendor sqaroi se projekti nuk administrohet prej tij dhe referoi çdo kërkesë për informacion te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si institucioni përgjegjës për investimin. 

” .. ju bëjmë me dije me se ky është një investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për çdo informacion lidhur me këtë investim ju lutem drejtohuni Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH)”, shkroi Bashkia Përmet në përgjigjen e saj. 

FSHZH, institucioni që po zbaton projektin, nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi një kërkese për koment të Medias Amfora, ku u pyet mbi situatën e krijuar në llixhat e Bënjës, statusin e punimeve dhe ndryshimet e raportuara në ujërat termale të zonës. 

Debati për ndikimin e ndërhyrjeve në llixhat e Bënjës nuk është i ri. Në komentet e postimit të “Bashkësia Përmet”, qindra banorë, ish-banorë dhe vizitorë pretenduan se shqetësimet për prurjet e ujit ishin ngritur muaj më parë, duke lidhur ndryshimet e vërejtura me zgjerimin dhe transformimin e vaskave termale.

“Këtë e kam lajmëruar që në 3 shkurt por kush ka sy dhe veshë? Ky fenomen dihet, për më tepër theksohet në verë kur dhe sasia e ujit që vjen nga nëntoka është më e ulët”, shkroi Dritan Laçi, një prej komentuesve me origjinë nga Përmeti, në postimin që njoftonte mbylljen e përkohshme të vaskës. 

Një pjesë e komentuesve pretenduan se rënia e prurjeve dhe pasojat e zgjerimit të vaskave ishin paralajmëruar prej muajsh, veçanërisht në prag të sezonit veror kur burimet natyrore përballen me prurje më të ulëta. 

Guidat turistike që operojnë në zonë vlerësojnë nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e fluksit në rritje të vizitorëve, por theksojnë se ndërhyrjet duhet të kryhen me kujdes për të mos cenuar elementin kryesor që e ka bërë Bënjën një prej destinacioneve më të njohura natyrore në vend. 

“Është shumë e rëndësishme që çdo ndërhyrje të mbështetet në studime serioze dhe të mos cenojë vetë burimin natyror që e bën këtë vend unik”, tha guida turistike e zonës. 

Specialistët e ADZM Gjirokastër pranojnë se ndryshimet në prurjet e ujërave termale mund të ndikohen nga faktorë të shumtë natyrorë, përfshirë kushtet meteorologjike dhe luhatjet sezonale të burimeve nëntokësore.

“Regjimi hidrologjik i burimeve natyrore ndikohet nga një sërë faktorësh natyrorë, përfshirë kushtet meteorologjike, reshjet, periudhat e thatësirës, luhatjet sezonale të prurjeve nëntokësore dhe karakteristikat hidro-gjeologjike të sistemit”, tha institucioni. 

Çështja ka nxitur reagime edhe në politikën lokale, ku përfaqësues të opozitës kanë kërkuar verifikimin e ndërhyrjeve që po kryhen në zonën e llixhave të Bënjës.  

“Thirrje publike Prokurorisë që t’i hetojë sa më shpejt dhe të pezullojë të gjitha punimet në llixhat e Bënjës”, shkroi Arson Lipe, kryetari i Partisë Demokratike në Përmet, të mërkurën në një postim në rrjetet e tij sociale. 

 
Vaska e Lëkurës në muajin maj 2026, kur niveli i ujit kishte nisur të binte ndjeshëm. Foto: Dritan Laçi

Fotot dhe videot e publikuara ditët e fundit kanë nxjerrë në pah praninë e algave në disa pjesë të vaskave termale, si pasojë e uljes së nivelit të ujit, një element që ka ngjallur diskutime të tjera mes vizitorëve dhe komentuesve në rrjetet sociale.

“Sa i përket pranisë së algave, zhvillimi i tyre është një fenomen natyror që mund të ndikohet nga temperatura e ujit, ekspozimi ndaj dritës, prania e lëndëve ushqyese dhe kushtet hidrologjike të momentit”, tha ADZM Gjirokastër.

Megjithatë, institucioni theksoi se deri më tani nuk ka një vlerësim biologjik dhe mjedisor të detajuar që të lejojë përcaktimin nëse prania e algave lidhet me ndryshime në ekosistem apo me faktorë të tjerë që ndikojnë në zonë.

“Prania e algave, në vetvete, nuk përbën domosdoshmërisht tregues të degradimit të ekosistemit apo të një ndikimi të drejtpërdrejtë nga aktivitete njerëzore, pa një vlerësim biologjik dhe mjedisor të detajuar”, tha institucioni.

Zhvillim turistik apo humbje e autenticitetit?

Megjithatë, debati rreth ujërave termale është vetëm një pjesë e diskutimit që ka shoqëruar investimin në Bënjë. Që në fazën e zbatimit të projektit, ndërhyrjet në zonë kanë nxitur diskutime mes banorëve, aktivistëve dhe specialistëve të mjedisit, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e tyre në një prej zonave më të rëndësishme natyrore të jugut të vendit.

Në muajin prill Media Amfora raportoi se punimet e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik” po shtriheshin pranë Kanionit të Langaricës, një monument natyre dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës-Dangëlli. Në terren u konstatuan ndërhyrje me beton, zgjerim i vaskave ekzistuese dhe krijimi i infrastrukturës së re turistike, zhvillime që ngjallën reagime mbi mënyrën se si po transformohej një zonë e njohur për karakterin e saj natyror.

Reagimet e publikut në rrjetet sociale tregojnë se shqetësimi nuk lidhet vetëm me nivelin e ujit në vaska. Në qindra komente të publikuara pas njoftimit për mbylljen e përkohshme të “Vaskës së Lëkurës”, komentuesit kritikuan mënyrën se si po transformohet zona, duke argumentuar se ndërhyrjet po largohen nga karakteri natyror që e bëri Bënjën një prej destinacioneve më të njohura të turizmit natyror në Shqipëri.

Në pjesën më të madhe të tyre, komentuesit shprehin shqetësimin se zgjerimi i vaskave, përdorimi i betonit dhe transformimi i peizazhit po ndryshojnë karakterin e një zone që për dekada është identifikuar me burimet termale, Kanionin e Langaricës dhe autenticitetin e saj natyror.

Pjesë nga Kanioni i Langaricës pranë Bënjës, zona ku po zbatohet projekti “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”. Foto: Media Amfora

Edhe guidat turistike që punojnë prej vitesh në zonë vlerësojnë se investimi mund të sjellë përfitime për ekonominë lokale, duke përmirësuar eksperiencën e vizitorëve, zgjatur kohën e qëndrimit të tyre në zonë dhe krijuar më shumë mundësi për hotelet, restorantet, bujtinat, guidat turistike dhe bizneset e tjera që lidhen me turizmin. Megjithatë, sipas tyre, suksesi i investimit nuk do të matet vetëm me infrastrukturën e re apo numrin e vizitorëve, por edhe me aftësinë për të ruajtur karakterin natyror dhe autenticitetin që e kanë bërë Bënjën të njohur.

“Nëse humbet autenticiteti i vendit dhe Bënja perceptohet si tepër e transformuar, ekziston rreziku që të humbasë një pjesë tërheqëse të identitetit të saj”, përfundoi guida turistike.

Debatet mbi ndërhyrjet në hapësirat me vlera natyrore dhe kulturore në Përmet nuk janë të reja. Në muajin janar një tjetër investim publik, ndërtimi i Qendrës Multifunksionale për Luginën e Vjosës pranë Gurit të Përmetit, nxiti kundërshtime nga banorë dhe specialistë, të cilët ngritën shqetësime mbi ndikimin e projektit në peizazhin dhe identitetin e qytetit.