Ëndrra: Nga “asgjëja” në gjithçka

Një reflektim mbi ëndrrën si hapësirë e njohjes së vetvetes, ku pavetëdija shndërrohet në udhërrëfyese të transformimit shpirtëror. Midis psikologjisë, filozofisë dhe mistikës, ëndrra paraqitet si një urë që lidh njeriun me botën e tij të brendshme dhe me universin.

Një reflektim mbi ëndrrën si hapësirë e njohjes së vetvetes, ku pavetëdija shndërrohet në udhërrëfyese të transformimit shpirtëror. Midis psikologjisë, filozofisë dhe mistikës, ëndrra paraqitet si një urë që lidh njeriun me botën e tij të brendshme dhe me universin.

Dëshira për të njohur vetveten, botën dhe gjithësinë përbën trinitetin zanafillor të njerëzimit. Ky trekëndësh Njeri-Njerëzim-Krijues, me njeriun në qendër të tij, përbën një nga temat më të pasura për reflektim filozofik dhe letrar. Një nga mënyrat për t’iu afruar këtij misteri është rikthimi te ëndrra, jo thjesht si fenomen psikologjik, por si një dhuratë e Hyjnisë për njeriun kozmik.

Mund të dallojmë tri qasje të njeriut modern: njeriun e shpirtit të etur për ndërmjetësim, njeriun e shpirtit të “gnosis-it” dhe njeriun e shpirtit shkencor.

Njeriu i shpirtit të etur për ndërmjetësim e gjen përvojën e së shenjtës nëpërmjet doktrinës, ritualit dhe autoritetit fetar. Carl Jung shkruan:

“Ajo që zakonisht dhe përgjithësisht quhet ‘fe’ është çuditërisht së tepërmi një zëvendësues… Zëvendësimi ka qëllimin e qartë të vënies, në vend të përvojës së drejtpërdrejtë, të një zgjedhjeje simbolesh të përshtatshme…” (Jung, Psikologjia dhe besimi).

Ndryshe nga ai qëndron njeriu i shpirtit të “gnosis-it”, i cili e kërkon njohjen nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë. Një nga format më të rëndësishme të kësaj përvoje është ëndrra. Ajo është toka mëmë e imazherisë së pakushtëzuar nga vetëdija, egoizmi apo dogma fetare. Pikërisht për këtë arsye, interpretimi që zgjedh të besoj intuitivisht është ai i psikanalizës, veçanërisht ai i Carl Jung dhe Erich Fromm.

Përballë këtyre dy qasjeve qëndron njeriu i shpirtit shkencor, figura karakteristike e epokës moderne. Në hyrje të veprës Gjuha e harruar, Erich Fromm përshkruan një njerëzim që ka humbur aftësinë për t’u habitur dhe për të bërë pyetjet e duhura. Ndërsa Jung vëren se: “Shkenca, mjaft çuditërisht, nisi praktikisht me zbulimin e ligjeve astronomike, gjë e cila përfaqësonte stadin e parë në despiritualizimin e botës.”

Megjithatë, çfarë e bashkon një njeri religjioz me një njeri shkencor? Çfarë e bashkon një indian me një gjerman apo një ndërtues të Kullës së Babelit me një krijues të inteligjencës artificiale? Pikëtakimi i tyre gjendet në botën e brendshme, në atë hapësirë ku njerëzimi mbetet i bashkuar pavarësisht epokës apo kulturës.

Postulati hermetik “Si brenda dhe jashtë” na shërben si hyrje në një ëndërr ku zhvillohet një bashkëbisedim me Carl Gustav Jung.

Në ëndërr i rrëfej Jung-ut përvojat e mia me ëndrrat lucidale, vizionet hipnogogjike dhe sinkronicitetin. I flas për një botë moderne ku neurozat shtohen, harmonia mungon dhe bota e ëndrrave shpesh përbuzet.

Jung përgjigjet:

“Paragjykimi tejet i zakonshëm kundër ëndrrave është vetëm njëra prej simptomave të një nënvlerësimi shumë më serioz të shpirtit njerëzor në përgjithësi. Zhvillimi i mrekullueshëm i shkencës dhe teknikës është kundërbalancuar nga një mungesë tmerruese mençurie dhe analize të vetvetes.”

Më tej ai kundërshton idenë se ëndrra është vetëm një maskë që fsheh diçka tjetër:

“Ëndrra është interpretimi i vetvetes.”

Kur e pyes nëse ekziston një vazhdimësi midis ëndrrave, Jung përgjigjet se rrallëherë një ëndërr duhet interpretuar e izoluar. Ashtu si ekziston një vazhdimësi në vetëdije, ekziston edhe një vazhdimësi në proceset e pavetëdijes. Ëndrrat janë hallka të një zinxhiri më të madh ngjarjesh të brendshme.

Në fund të bisedës, Jung lë një mesazh që tingëllon si një thirrje për transformim:

“Derisa ta bësh të pavetëdijshmen të vetëdijshme, ajo do të drejtojë jetën tënde dhe ti do ta quash fat.”

Përse duhet të merremi me botën e ëndrrave?

Sepse procesi i të ëndërruarit është një nga përvojat universale që bashkon njerëzimin. Çarja midis vetëdijes dhe pavetëdijes krijon konfliktet tona të brendshme dhe këto konflikte pasqyrohen në ëndrra. Edhe kur nuk i kuptojmë, ato ndikojnë në jetën tonë të përditshme, në zgjedhjet tona dhe në mënyrën si e përjetojmë botën.

Njohja e elementëve progresivë dhe regresivë të vetes ndihmon në harmonizimin e vetëdijes me pavetëdijen. Për këtë arsye ëndrra mund të shërbejë si udhërrëfyese, duke zbuluar aspektet e fshehura të personalitetit tonë.

Sigmund Freud, Erich Fromm dhe Carl Jung mbeten referenca kyçe për këdo që dëshiron të njohë më thellë botën e brendshme. Jung shkruan:

“Ëndrrat ndihmojnë në vetërregullimin e psikikës duke nxjerrë automatikisht gjithçka të ndrydhur, të panjohur apo të lënë në errësirë.”

Pavarësisht zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, njeriu vazhdon të ëndërrojë me simbolika që kanë shoqëruar njerëzimin që nga lashtësia. Kjo tregon se ekziston një dimension i përbashkët i përvojës njerëzore që nuk mund të reduktohet vetëm në racionalitet.

Rudolf Steiner e përshkruan këtë dimension me fjalët:

“Njeriu mëson të ndiejë farën e jetës së ardhshme në tokë brenda ëndrrës. Në jetën e zgjuar ne jemi të lidhur me botën e jashtme; ndërsa në ëndërr, ne gjendemi tashmë në një gjendje ku ajo që ende do të vijë në ekzistencën tokësore mund të përjetohet në formë pamore dhe simbolike.”

Nga pavetëdija në vetëdije, njeriu ndërmerr një udhëtim drejt vetvetes. Në këtë udhëtim ai mëson të njohë jo vetëm veten, por edhe lidhjen e tij me njerëzimin dhe Universin. Ëndrra mbetet hapësira ku shpirti ynë komunikon me vetveten më të lartë dhe ku individi mund të rizbulojë unitetin e humbur midis botës së brendshme dhe asaj të jashtme.