Ëndrra: Nga “asgjëja” në gjithçka
Një reflektim mbi ëndrrën si hapësirë e njohjes së vetvetes, ku pavetëdija shndërrohet në udhërrëfyese të transformimit shpirtëror. Midis psikologjisë, filozofisë dhe mistikës, ëndrra paraqitet si një urë që lidh njeriun me botën e tij të brendshme dhe me universin.
Midis ëndrrës dhe universit. Foto ilustruese: "Pixabay"
I
Dëshira për të njohur vetveten, botën dhe Gjithësinë përbën trinitetin e zanafillor të njerëzimit. Ky trekëndësh barabrinjës Njeri-Njerëzim-Krijues, i cili ka në qendër dhe në çdo kënd të tij njeriun përbën një nga tematikat më të larmishme për të shkruar e për të krijuar ekuacione filozofiko-letrare. Vlen të shkruhet deri në trajtat e një misioni sublim për hir të një qëllimi të vetëm: Rizgjimin e njeriut kozmik nëpërmjet rikthimit të rëndësisë së ëndrrës.
Koncepti i rizgjimit të njeriut kozmik përbën një shtrirje të gjatë shtjellimi për të cilën do të nevojitej një hapësirë e tërë, e veçuar nga tema që po trajtojmë por vlen të thuhet që vendosja e këtyre dy koncepteve si më sipër në vëmendjen e lexuesit arrin të krijojë një ide paraprake për qasjen në të cilën do të trajtohet ëndrra: Si një dhuratë e Hyjnisë për bijtë e tij të cilët nuk janë gjë tjetër veçse njerëz kozmikë.
Lipset të evidentojmë ndarjen e njeriut modern në: njeriun e shpirtit të etur për ndërmjetësim; njeriun e shpirtit të gnosis-it dhe njeriun e shpirtit shkencor.
Njeriu i shpirtit të etur për ndërmjetësim është huazuar pikërisht ai njeri, shpirti i të cilit e ka domosdoshmërisht të nevojshëm, shpirtin ndërmjetësues, i cili i ofron frymën e shenjtë:
“Ajo qe zakonisht dhe pergjithësisht quhet ‘fe’ ështe çuditërisht së tepërmi një zëvendësues, prandaj unë pyes veten seriozisht nëse kjo lloj “feje”, të cilën preferoj ta quaj kredo, ka vërtet nje funksion të rendësishëm në shoqërinë njerëzore. Zevendësimi ka qëllimin e qartë të vënies, në vend të përvojës së drejtpërdrejtë, të një zgjedhjeje simbolesh të përshtatshme, të veshura me nje dogmë solide dhe një ritual të organizuar mirë. Kisha katolike i ruan këto me anë të autoritetit të saj të pakundërshtueshëm, Kisha protestante (nëse ky term mund të përdoret ende) nëpërmjet insistimit mbi besimin dhe mesazhin ungjillor. Për aq sa funksionojnë këto dy parime, njerëzit janë të mbrojtur e të ruajtur efektivisht kundër pervojës së drejtpërdrejtë fetare. Edhe nëse u ndodh diçka e tillë, ata mund t’i referohen Kishës, sepse ajo do ta dinte nëse përvoja erdhi nga Zoti apo nga djalli, nëse duhet pranuar apo refuzuar.” (Jung, “Psikologjia dhe besimi”).
Nëpërmjet kësaj metodologjie, fryma e shenjtë vjen nëpërmjet doktrinës, simbologjisë dhe imazherisë së fiksuar në ndryshim nga njeriu i shpirtit të gnosis-it, i cili e tejkalon simbologjinë teologjike masive dhe imazherinë fikse nëpërmjet përvojës individuale.
Njeriu i shpirtit të gnosis-it, i cili nga vetë termi gnosis (njohje e drejtpërdrejtë) është huazuar njeriu i përvojës së drejtëpërdrejtë hyjnore. Kjo përvojë, e servirur në një formë a në një tjetër, për vetë faktin që kemi të bëjmë me përvojën tonë individuale është unike në llojin e saj. Duhet theksuar që me përvojë të drejtpërdrejtë duam të definojmë një përvojë të një metodologjie individuale të diktuar nga një sërë faktorësh, siç është intuita, që (ose e cila) zhvillohet në një terren (ose oaz) të përbashkët për të gjithë njerëzimin. Një ndër faktorët përbërës të përvojës së drejtëpërdrejtë është ëndrra.
Ëndrra është toka mëmë e imazherisë së pakushtëzuar nga vetëdija, egoizmi apo besimi fetar. Rëndësinë e ëndrrës e gjejmë të trajtuar në tekstet artistike, psikoanalizë, misticizëm, hebraizëm etj.
Interpretimi që unë zgjedh të besoj, intuitivisht, është pikërisht ai i psikanalizës me përfaqësues Carl Jung dhe Erich Fromm të cilët do të jenë edhe referencat dominuese të këtij shkrimi.
Në ndryshim nga dy ndarjet e mësipërme të njerëzimit qëndron lloji i tretë i njeriut, i cili është njeriu i shpirtit shkencor.
Njeri i shpirtit shkencor është huazuar njeriu patologjik i epokës moderne: i parasë, racionalizmit, dhe teknologjisë. Në hyrje të veprës “Gjuha e harruar” të Erich Fromm gjendet përshkrimi i saktë i njeriut modern: “Nëse është e vërtetë që njeri i zgjuar është, para së gjithash, ai që ka aftësinë për t’u habitur, atëherë ky pohim është një koment
mjeran lidhur me mendjen e njeriut të sotëm. Me gjithë meritat e kulturës sonë të lartë e të arsimimit të përgjithshëm, ne e kemi humbur këtë dhunti, aftësinë për t’u habitur. Thuhet se gjithçka eshtë e njohur
tashmë-nëse jo prej nesh, te paktën, për ndonjë specialist, të cilit i takon të dijë atë që ne nuk e dimë. Dhe me të vertetë, të habitesh sikur ndien njëfarë shqetësimi quhet shenjë e inteligjencës së ulët.
Madje edhe fëmijët habiten më të rrallë ose, të paktën, mundohen të mos e shfaqin atë. Me kalimin e moshës kjo aftësi humbet
gradualisht krejtësisht. Ne mendojmë se më e rëndësishme është të gjejmë pergjigjen e saktë, kurse të besh pyetjen e drejtë nuk është aq thelbesore” (2009).
Patologjia e njerëzimit modern është e përfaqësuar nga rënia e besimit dhe zhvillimi të një shkence teknike dhe tepër njerëzore. “Shkenca, mjaft çuditërisht, nisi praktikisht me zbulimin e ligjeve astronomike, gjë e cila perfaqësonte stadin e parë në despiritualizimin e botës” (Jung, 2003).
Çfarë e bashkon një njeri shkencor me një njeri religjioz? Po një indian me një gjerman? Po një ndërtues të kullës së Babelit me një krijues të inteligjencës artificiale?
Shpërbërja e njerëzimit ka qenë gjithmonë një qëllim i ardhur nga jashtë (ego) ndërsa bashkimi i tyre ka qenë, është dhe do të jetë një qëllim i ruajtur brenda njeriut. Është pikërisht ky pikëtakim interior i cili ka kuriozuar antikitetin, mesjetën, rilindjen dhe epokën moderne të dixhitalizimit
II
Në këtë pikë të shkrimit vlen të citohet postulati hermetik “Si brenda dhe jashtë” për të evidentuar qasjen në të cilën do të trajtohet kjo pjesë e dytë. Në këtë pjesë do të “jetojmë” në një ëndërr në të cilën ju do të jeni spektatorë të një bashkëbisedimi me Carl Gustav Jung.
Nën dritën e qiririt flakërues e mendjes së hapur për njohuri, ja tek shohim figurën madhështore të zbërthyesit të mendjes kolektive.
-Mirëseerdhët në ëndrrën time, i nderuari Carl.
Carli nuk shpenzon asnjë grimcë të zërit të tij. Ai sheh orën. Ora dikton: Shtatë minuta.
-Nuk është ëndrra e parë lucidale që shoh. E para ëndërr erdhi natyrshëm tek unë. Ndjeva një energji dhe i thashë: “Ti erdhe në ëndrrën time”.
Carli miratoi me kokë. E dinte për çfarë bëhej fjalë.
-Të parës ëndërr nuk i kushtova mjaftueshëm rëndësi por ishte pikërisht ajo ëndërr që pasoi vizione hipnogogjike dhe ëndrra të tjera. Vizioni i parë erdhi në janar të këtij viti. Një imazheri e gjallë e cila mund të shihej vetëm nga vëzhgimi periferik. Sapo u përpoqa ta shoh me vëzhgim qendror, imazhi u zhduk.
Carli buzëqeshi dhe miratoi me kokë.
– Ndjej të të them që kam biseduar shpesh me ty. Të kam ndjerë ty. Përgjigjet që kam kërkuar më janë dorëzuar nga ligji akazual i sinkronicitetit, nëpërmjet teje. Këtë herë kam nevojë të të risjell nëpërmjet meje, si një kanal, në shoqërinë e vitit 2026. Shumë prej tyre gjenden të braktisur në dhimbjet dhe panjohuritë e tyre. Neurozat vërshojnë. Harmonia mungon. Në fillim bota e ëndrrave u shpërfill ndërsa tani përbuzet e përqeshet.
– Paragjykimi tejet i zakonshëm kundër ëndrrave është vetëm njëra prej simptomave të një nënvleresimi shumë më serioz te shpirtit njerëzor në përgjithësi. Zhvillimi i mrekullueshëm i shkencës dhe teknikës është kundërbalancuar, nga ana tjetër, nga një mungesë tmerruese mençurie dhe analize të vetvetes. Frojdi shpjegon ëndrrën thjesht si një fasadë, pas së cilës diçka është fshehur me kujdes. Unë jam dyshues ndaj pohimit se ëndrra është diçka tjetër prej asaj që duket. Më shumë prirem t’i referohem nj ë autoriteti tjetër hebre, Talmudit, i cili thotë: “Ëndrra eshtë interpretimi i vetvetes”. Ëndrra shihet kur vetëdija dhe vullneti janë shuar në një masë të madhe. Rrallë ndodh që ëndrrat janë vetëm pozitive ose vetëm negative. Rregullisht, gjenden të dy aspektet, po zakonisht njëri eshte më i fortë se tjetri.
-A ekziston një vazhdimësi midis ëndrrave, ashtu siç ekziston një vazhdimësi në vetëdije?
-Kurrë, nëse kam mundësi, nuk e interpretoj një ëndërr të izoluar. Si rregull, një ëndërr i përket një serie. Sikurse ekziston një vazhdimësi në vetëdije, pavarësisht nga fakti se ajo ndërpritet nga gjumi, ka mundësi që një vazhdimësi të ekzistojë edhe në proceset e pavetëdijes dhe ndoshta më tepër se sa në ngjarjet e vetëdijes. Sidoqoftë, përvoja ime eshtë në favor të mundësisë që ëndrrat janë hallkat e dukshme të një zinxhiri ndodhish të pavetëdijshme. Nese duam ndonje dritë mbi çështjen e arsyeve më te thella të ëndrrës, duhet të kthehemi pas në seri dhe të zbulojmë se ku e ka ajo pozicionin në zinxhirin e gjatë të të gjithë sasisë së ëndrrave.
-Kam mbërritur në konstatimin që marrëdhënia konstante e ndërtuar midis ëndrrës dhe ëndërruesit e bën këtë të fundit të njohë një aspekt tjetër të tij, pavetëdijen. Fill pasi bëhet i vetëdijshëm për këtë marrëdhënie, ëndërruesi fiton të drejtën të kultivojë aftësinë për të bërë të pavetëdijshmen të vetëdijshme. Sigurisht që është një punë e dyfishtë, e cila kërkon vite të tëra studimesh dhe kërkimesh. Këto vite kërkimi dhe transformimi e bëjnë subjektin zotërues të vetëvetes, ashtu siç Nietzsche thotë që instiktet duhet të jenë në dispozicionin e individit dhe jo individi në dispozicionin e instikteve.
-Detyra ime përfundon këtu. Mos harro: Derisa ta bësh të pavetëdijshmen të vetëdijshme, ajo do të drejtojë jetën tënde dhe ti do ta quash fat.
Zgjohem. Ora shënon shtatë.
III
T’i dorëzohesh mbretërisë së ëndrrave është një stad shpirtëror i cili kërkon një zemër të hapur për tu përballur me gjithëçka që njohim dhe do të njohim. Të shkruash për ëndrrat si një përvojë shpirtërore, e transformuar më pas në një mision ekzistencial, kërkon më tepër se një zemër të hapur. Të duhet të jesh një “I marrë” nën ndikimin e kafshimit të qenit. Një “I marrë” i cili nis dhe përmbyll.
Lehtësisht çdokush do të drejtonte pyetjen në dukje naive por thelbësore: Përse më duhet të merrem me botën e ëndrrave?
Me po të njëjtën lehtësi, do t’i ofroja këtë përgjigje: Sepse të gjithë njerëzimin e bashkon procesi i të ëndërruarit, i cili përfaqëson aspekte të pavetëdijes sonë kolektive. Çarja midis vetëdijes dhe pavetëdijes krijon konfliktin e brendshëm, i cili pasqyrohet në ëndrrat tona. Në mungesë të dijes së nevojshme për zbërthimin e këtyre ëndrrave, ato janë konsideruar të pavlera por në realitet secili prej nesh është ndikuar dhe udhëzuar nga një ëndërr apo është frikësuar nga një makth. Këto ndjesi ndikojnë në jetën tonë të përditshme, pra në vetëdijen tonë. Gjendja e brendshme kaotike pasqyrohet në përditshmërinë tonë ashtu siç qetësia e brendshme harmonizon veprimtarinë tonë fizike. Njohja e elementëve tanë progresivë dhe atyre regresivë na ndihmon të zgjidhim konfliktin e brendshëm dhe të harmonizojmë të vetëdijshmen me të pavetëdijshmen. Për ta bërë këtë, na nevojitet një udhërrëfyese si ëndrra -dhurata e Hyjit për bijtë e tij- e cila përmbush apo nxjerr në pah deficensat e “personazhit” që kemi krijuar për botën e jashtme. Nuk mund te mohohet fakti, që për të arritur një njohje sado të vogël të botës së ëndrrës nevojitet të thellohemi në studimet psikologjike dhe pse jo, edhe përtej psikologjisë. Sigmund Freud, Erich Fromm dhe Carl Jung janë disa nga referencat kyçe për tu njohur me botën tonë të brendshme.
“Ëndrrat ndihmojnë në vetërregullimin e psikikës duke nxjerrë automatikisht gjithçka të ndrydhur, të panjohur apo të lënë në errësirë, domethënia e tyre kompensuese shpesh nuk vihet re menjeherë, sepse ne akoma kemi njohuri shumë të paplota mbi natyrën dhe nevojat e psikikës njerëzore” (Jung, 2002).
Për epokën në të cilën jetojmë, njohja e botës së brendshme duhet të jetë eksluzivitet i profesionistëve të fushës së psikologjisë. Njohuritë e duhura dhe përgjigjet e sakta mund dhe duhet të vijnë vetëm prej tyre. Sidoqoftë pedanteria shkencore nuk ishte asnjëherë e aftë të tejkalonte vetveten për të njohur larmishmërinë e psikikës. Për këtë arsye, ëndrra si dimension simbolik i psikikës, u konsiderua si relike e besimeve arkaike, e cila nuk përbën asnjë dobishmëri për mekanizmin industrial global (përfshirë edhe shkencën). Sërish njerëzit ëndërrojnë me të njëjtat simbolika që kanë ëndërruar paraardhësit tanë primitivë! Dhe ndoshta vetëm “I marri” zotëron forcën për të vallëzuar në rrethin e zjarrtë të rendit dhe të kaosit, të logjikës (arsyes) dhe intuitës, të yin dhe yang-ut. Prej këtij vallëzimi, “I marri” ndërmerr një udhëtim shpirtëror i cili reflektohet në të treja dimensionet e ekzistencës: “Njeriu mëson të ndiejë farën e jetës së ardhshme në tokë brenda ëndrrës.
Në jetën e zgjuar ne jemi të lidhur me botën e jashtme; ndërsa në ëndërr, ne gjendemi tashmë në një gjendje ku ajo që ende do të vijë në ekzistencën tokësore mund të përjetohet në formë pamore dhe simbolike” (Steiner, 1904).
Nga pavetëdija në vetëdije: “I marri” udhëton drejt vetvetes, për hir të vetes, njerëzimit dhe Universit pasi mësimi i çdo përvoje asimilohet së brendshmi. Në të kundërt ai jeton një jetë të skllavëruar dogmatike, i shkëputur nga vetja e tij më e lartë. Ëndrra është hapësira e komunikimit me veten tonë më të lartë, vendi ku shpirti ynë pikëtakohet me shpirtin universal, Ayala (sanskritisht).