“Gaza e dytë në Zvërnec”, si po ndërtohet një teori konspirative për Izraelin në Shqipëri
Nga pretendimet për një “Gaza të dytë” në Zvërnec te teoritë për vendosjen e kolonëve izraelitë në Shqipëri, rrjetet sociale janë mbushur me narrativa që nuk mbështeten në prova. Ndërsa projekti turistik vijon të ngjallë debate për pronën private dhe ndikimin në Zonën e Mbrojtur të Nartës, diskutimi publik po zhvendoset drejt pretendimeve konspirative dhe përplasjeve ideologjike.
Grafikë ilustruese me postimet në mediat sociale. Përpunoi: Media Amfora
Pretendimet se në Zvërnec po ndërtohet një “Gaza e dytë” apo se Shqipëria po përgatitet të presë kolonë izraelitë kanë fituar terren në rrjetet sociale gjatë javëve të fundit, duke u shoqëruar me mijëra shpërndarje, komente dhe reagime publike. Narrativa është lidhur me projektin turistik që parashikohet të zhvillohet në zonë, por edhe me një sërë interpretimesh historike që qarkullojnë prej vitesh në qarqe konspirative. Nga një propozim privat i vitit 1945 deri te postimet virale të ditëve të fundit, do të analizojmë dokumentet historike, origjinën e këtyre pretendimeve dhe mënyrën se si ato po ndikojnë debatin publik rreth një prej projekteve më të diskutueshme në bregdetin shqiptar.
Konteksti historik
Kur Partia Nacionalsocialiste e Adolf Hitler-it u ngjit në pushtet në vitin 1933, hebrenjtë e dinin se jeta dhe e ardhmja e tyre nuk ishte e sigurt në Gjermani apo në vendet me ndikim të fortë gjerman. Raul Hilberg tek libri i tij “The Destruction of the European Jews”, publikuar nga Yale University Press, del në përfundimin se mes viteve ‘33 – ‘39, më shumë se 500 mijë hebrenj u larguan nga Gjermania dhe Evropa Qëndrore për në vende të tjera. Më shumë se 30% e tyre u shpëtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rreth 15% nga Britania e Madhe. Gjithësesi më shumë se 250 mijë hebrenj të tjerë, mes viteve ‘33-’39, endeshin nga një shtet në një shtet tjetër, pa një vendodhje të sigurt. Aq problematike u bë situata, sa që presidenti i SHBA-së, Franklin Roosevelt, thirri në korrik të vitit 1938 në Evian-les-Bains të Francës, një Konferencë të madhe, ku morën pjesë 32 shtete. Edhe pse u fut në histori si “Konferenca e Evianit”, ajo nuk ndikoi pothuajse fare në zgjidhjen e problemit. Me shumë se çerek milioni hebrenj endeshin në Evropë.
Dështimi i Konferencës së Evianit bëri që lider të veçantë t’i kërkonin në mënyre gjysmë zyrtare qeverive të ndryshme evropiane pranimin e hebrenjve si refugjatë. Në këtë kontekst në janar të vitit 1939, Winston Churchill i kërkoi Ahmet Zogut që të strehonte një pjesë të hebrenjve edhe në Shqipëri. Kjo nuk ishte një lëvizje e izoluar. Mes viteve 1934-1936 disa përfaqësues të emigrantëve hebrenj nga Komiteti Qëndror i Emigrantëve të Gjermanisë në Londër, i kishin kërkuar në formë gjysmë zyrtare konusllatës tonë në Vjenë mundësinë e një zhvendosje në Shqipëri. Por ndryshe nga çfarë kërkon propaganda dezinformuese iraniane sot, Shqipëria asokohe ishte vetëm njëra nga dhjetëra vendet që ju kërkua një gjë e tillë. Për shembull, kërkesa të tilla ju bënë edhe Argjentinës, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Ugandës, Panamasë dhe vendeve të tjera.
Fatkeqësisht evakuimi i hebrenjve nuk u realizua në kohë dhe shumica dërrmuese e 250 mijë hebrenjve që endeshin në Evropën Qendrore prej vitit 1933, u kapën dhe u mbyllën në kampet e tmerrshme të përqendrimit bashkë me 5.5 milionë hebrenj të tjerë nga Franca, Italia, Polonia, Ballkani dhe vende të tjera. Në fund të Luftës së Dytë Botërore nga 10 milionë hebrenj që banonin në Evropë përpara luftës, kishin mbetur gjallë vetëm 3.5 – 4 milion hebrenj. Shumë prej këtyre kishin humbur shtëpitë, pasurinë, të afërmit, shëndetin dhe tashmë ishin kthyer në një problem shumë të madh për qeveritë evropiane që po tentonin të ringrinin kontinentin e shpartalluar nga lufta.
Në këtë kontekst, një gazetar me emrin Leo Elton, i cili kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1935, i dërgon në vitin 1945 Judah Magnes, në atë kohë president i Universitetit Hebraik, një raport të titulluar, “Impressions of a Visit to Albania with some observations upon the opportunities open to Jewish settlers in that country” (“Përshtypje nga një vizitë në Shqipëri, me disa vëzhgime mbi mundësitë që u ofrohen kolonëve hebrenj në këtë vend”). Në këtë raport Elton i propozon Universitetit Hebraik që emigrantët e pas Luftës së Dytë Botërore me origjinë hebreje të vendosheshin në Shqipëri. Propozimi nuk u mor kurrë në konsideratë dhe madje ai as nuk u dorëzua apo u protokollua tek britanikët. Elton-it madje nuk ju kthye përgjigje as nga universiteti. Dokumenti i tij nuk u shqyrtua kurrë nga asnjë qeveri izraelite apo nga ndonjë komision hebre. As qeverisë shqiptare nuk ju kërkua kurrë në asnjë formë që të pranonte pas vitit 1945 emigrantë hebrenj të mbijetuar nga Lufta II Botërore. Nuk kemi asnjë letër apo përmendje tjetër nga qeveritë shqiptare, britanike apo të Lidhjes së Kombeve për propozimin e Elton-it. Asnjë referencë diplomatike nuk tregon se Shqipëria apo Britania e shqyrtoi idenë, ndryshe për shembull nga Uganda, ku ka vendime formale të Kongresit, dokumente dhe të ngjashme. Pra propozimi ishte thjeshtë një iniciativë (hipotezë) romantike private e një gazetari, i cili me sa duket ishte dashuruar me Shqipërinë dhe kërkonte ta kthente atë në një atdhe të dytë.
Narrativa e rreme për kolonët izraelitë
Por kaq mjaftoi që në Shqipëri Irani dhe disa qarqe turke, që janë armiqësore me Izraelin, të ndërtonin pas vitit 2016 një narrativë sipas së cilës hebrenjtë do të silleshin në Shqipëri masivisht dhe se dalëngadalë do të zhduknin shqiptarët për t’i marrë atyre tokën dhe burimet natyrore. Faqet dhe individët që ndajnë këtë propagandë janë të pozicionuar herëshëm pro narrativave iraniane dhe sipas verifikimeve të Medias Amfora janë të lidhura me to. Kjo sigurisht shoqërohet me narrativën se hebrenjtë janë vrasës fëmijësh, përdhosës të besimit kristian dhe mysliman. Disa nga këto burime citojnë njëfarë John Kiriakou, të cilin e prezantojnë si një ish-agjent të CIA-s. Ai paraqitet në një intervistë qartazi të keqkuptuar, ku pohon se, “Izraelitët po blejnë prona në Shqipëri dhe Greqi, në rast se gjërat përkeqësohen në Izrael”. Pre e kësaj propagande iraniane kanë rënë edhe faktor politik lokal në disa qarqe të vendit.
Narrativa është mbështetur menjëherë edhe nga qarqet filoruse në Shqipëri, që korrenspondojnë me grupe të caktuara konspiracionistësh anti-amerikan dhe anti-izraelit. Një syresh i famshëm prej tyre, tregohet i shqetësuar në një video duke pohuar se, “Do na e marrin atedheun ngadalë-ngadalë”. Ai lë të kuptohet se, “ata maskarenjtë nga Lindja e Mesme” (pra izraelitët!) së shpejti do të marrin fushat e Devollit, Myzeqesë, e të tjera dhe se shqiptarët do t’i mbajnë si shërbëtorë. Merret pra si i sigurt lajmi që hebrenjtë po vijnë në Shqipëri. E gjitha kjo e shoqëruar me mijëra “Pëlqime”, “Ndarje” dhe “Komente” nga audienca të rëna pre e kësaj retorike, përfshirë ata me qëllime të pastra politike dhe ekonomike. Në disa faqe në “Facebook” dhe në “Instagram”, me 150 mijë ndjekës disa prej tyre, i bëhët madje thirrje diasporës që të ndalojë këtë “Gaza të dytë”.
Përmes kësaj narrative synohen sigurisht disa objektiva. Së pari, duke qenë se publikisht investimi është lidhur në mënyrë indirekte me familjen Trump, kërkohet të ngrihet një narrativë anti-amerikane sipas të cilës amerikanët në Shqipëri nuk interesohen shumë për vendin tonë dhe për shqiptarët, por për punët e tyre. Familja Trump paraqitet si një bashkëpunëtore e Ramës dhe si pasojë po aq e korruptuar sa ai. Pra nëse dikush e urren Ramën nuk mund të mos urrejë edhe amerikanët dhe Trump-in.
Së dyti narrativa ka si objektiv krijimin e një fryme anti-semite, por kësaj here duke përdorur nacionalizmin shqiptar. Izraeli paraqitet si shteti që vret fëmijët e palestinezëve dhe i merr atyre tokat, e po vjen të vrasi fëmijët dhe të na marri tokat tona.
Së treti krijimi i një fryme pro-iraniane duke demonizuar dhe stigmatizuar amerikanët e izraelitët dhe sigurisht goditja e aleatëve të tyre të MEK-ut në Shqipëri. Nën frymën e, “miku i armikut tim është armiku im”, propaganda e Iranit kërkon që të paraqesi edhe MEK-un si një bashkëpunëtor në vrasjen dhe grabitjen hipotetike që do të ndodhi në të ardhmen e afërt.
Narrativa që paraqet hebrenjtë si një kërcënim për shqiptarët synon të gjejë terren edhe në një qytet si Vlora, historia e të cilit dëshmon të kundërtën. Prania hebraike në qytet daton prej shekujsh dhe ka lënë gjurmë të dukshme në trashëgiminë lokale, nga toponimia e deri te banesat historike që ruhen ende sot. Në fillim të shekullit XVI, komuniteti hebraik përbënte një pjesë të rëndësishme të popullsisë së Vlorës, ndërsa qyteti kishte sinagogën e vet dhe një lagje që edhe sot njihet si “Rruga e Hebrenjve”. Hebrenjtë u integruan në jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetit, duke ndërtuar një model bashkëjetese që mbijetoi për shekuj dhe u dëshmua edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shumë prej tyre gjetën strehë dhe mbrojtje nga familjet shqiptare. Për këtë arsye, pretendimet që i paraqesin sot hebrenjtë si një rrezik për identitetin apo territorin shqiptar bien ndesh jo vetëm me faktet aktuale, por edhe me vetë historinë e Vlorës.
Sidoqoftë, përtej propagandës nuk qëndron asgjë e vërtetë. Asnjë grup kolonësh izraelitë nuk do të vijë në Shqipëri. Ai që po ndërtohet në Zvërnec është një resort turistik që publikisht nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesa izraelite në rajon dhe as synon të kthehet në një rezidencë speciale për ta. Në këtë kontekst, postimet e kombinuara në mediat sociale me qasje të tillë, përveçse ushqejnë dhe fuqizojnë narrativa të aktorëve të huaj që synojnë të paraqesin Shqipërinë si territor të paqëndrueshëm, e largojnë debatin nga çështjet thelbësore. Në vend që vëmendja të përqendrohet te respektimi i të drejtës së pronës së banorëve të zonës dhe te mbrojtja e pasurisë natyrore të garantuar me ligj, diskutimi zhvendoset drejt pretendimeve të pabazuara dhe teorive konspirative.