SPAK çon në gjyq tre ish-policë për lidhje të dyshuara me grupet e drogës

Tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit do të përballen me gjykimin pas hetimeve të SPAK për lidhje të dyshuara me grupe kriminale që vepronin në jug të vendit. Sipas hetimeve, ata favorizuan aktivitetin e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve në Sarandë, Gjirokastër dhe Tepelenë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të premten se ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar se gjatë viteve 2019-2021 kanë ndihmuar grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve në jug të vendit.

“Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës policie kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme”, shkruhej në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në zonën e Sarandës dhe që merrej me transportimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

“Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7 mars 2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, shkroi SPAK.

Sipas SPAK, grupi i trafikantëve nuk vepronte i vetëm. Hetimet tregojnë se drejtuesit e tij kishin krijuar lidhje me punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se u jepnin informacione dhe i ndihmonin të shmangnin kontrollet e autoriteteve.

Një prej tyre, sipas hetimeve, dyshohet se është Erdit Hazizaj, i cili në atë kohë ishte specialist në Sektorin e Hetimit në Mbulim pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria pretendon se ai mbështeste drejtuesit e grupit kriminal me informacione dhe këshilla për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Hetimet e SPAK kanë dokumentuar edhe veprimtarinë e një grupi tjetër kriminal në zonën Tepelenë-Gjirokastër, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike. Sipas dosjes, gjatë një operacioni të zhvilluar në tetor të vitit 2020 u zbuluan dhe u sekuestruan 1360 bimë narkotike të kultivuara nga ky grup.

Prokuroria pretendon se drejtuesi i grupit kishte krijuar lidhje edhe me Shkëlzen Ruskën, i cili në atë kohë shërbente në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Sipas SPAK, ai i ofronte drejtuesit të grupit informacione dhe garanci për vijimin e aktivitetit të kundërligjshëm. Përveç shpërdorimit të detyrës, Ruska akuzohet edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal lidhur me kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë, ish-punonjësi i policisë Ervis Alisinaj është dërguar për gjykim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.