Dezinformimi si armë kundër aktivizmit mjedisor
Nga Zall-Gjoçaj në Pishë Poro-Nartë, konfliktet për hidrocentrale, projekte turistike dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura po shoqërohen me sulme në internet dhe narrativa diskredituese ndaj aktivistëve dhe banorëve. Në mungesë të provave konkrete, akuzat dhe përplasjet në rrjetet sociale synojnë ta largojnë debatin nga mbrojtja e mjedisit në sulme ndaj personave që kundërshtojnë këto projekte.
Grafikë ilustruese me postimet në mediat në internet. Përpunoi: Media Amfora
“Peshkaqen i fondeve mjedisore”, që dyshohet se “kanalizon fondet e mbrojtjes së natyrës në shpenzime luksi, dreka të shtrenjta dhe qëndrime në hotele elitare”, shkruhej në artikullin e publikuar më 18 maj nga portali “TVA News”, i cili kishte në qendër drejtorin ekzekutiv të organizatës Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), Aleksandër Trajçe.
Me titullin “Për llogari të kujt po i vë zjarrët Aleksandër Trajçe?”, artikulli u shpërnda më pas edhe nga portali “JOQ Albania”, duke gjeneruar reagime dhe debat në rrjetet sociale. Në komentet e publikut shfaqeshin si mbështetje për aktivistin mjedisor, ashtu edhe akuza dhe gjuhë denigruese ndaj tij.
Ndërsa në mediat në internet dhe rrjete sociale publikoheshin akuza dhe insinuata ndaj Aleksandër Trajçes, në terren kishte nisur të zhvillohej një konflikt i hapur për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës në Vlorë. Organizata mjedisore PPNEA denoncoi publikisht punimet në zonë, duke i cilësuar ato të paligjshme për shkak të mungesës së transparencës dhe dokumentacionit publik mbi projektin, ndërsa ngriti shqetësime për dëmtimin e habitateve natyrore, kufizimin e aksesit të qytetarëve dhe raste agresiviteti ndaj aktivistëve dhe gazetarëve gjatë dokumentimit në terren.
Sipas organizatës, publikime të tilla synojnë të largojnë vëmendjen nga konflikti real që po zhvillohet në terren dhe nga denoncimet për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura.
“Të gjitha këto zhurmime janë sepse ata e dinë që janë në ilegalitet, e dinë që janë duke bërë gjithçka kundër çdo lloj norme, procesi dhe zbatimi të ligjit. Fillojnë merren me sulme të tilla që të minojnë përpjekjet dhe të shfokusojnë vëmendjen e njerëzve, që të mos merren me problemin, por të merren me individë apo aktorë,” tha Aleksandër Trajçe.
Ai shtoi se organizata nuk dëshiron t’u japë më shumë vëmendje publikimeve të tilla, pasi sipas tij ato janë pjesë e një përpjekjeje për delegjitimimin e zërave kritikë ndaj zhvillimeve që ai i konsideron të paligjshme në zonat e mbrojtura.
Sipas Aleksandër Trajçes, organizata është përballur edhe më herët me forma presioni dhe sulmesh në internet gjatë konflikteve mjedisore, por sipas tij, situata së fundmi është bërë më agresive.
“Në të kaluarën kemi pasur edhe faqe në rrjete sociale që janë hapur thjesht me qëllimin për të na sulmuar dhe më pas janë mbyllur. Çdo lloj zhurmimi tjetër është i qëllimshëm, sepse ata e dinë që janë në gabim dhe po përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të mbuluar faktin që janë në gabim,” tha ai për Median Amfora.
Trajçe shtoi se fokusi i organizatës mbetet te mbrojtja e natyrës, zbatimi i ligjit dhe interesi publik, ndërsa debatet që largojnë vëmendjen nga problematikat në terren i konsideron pjesë të një përpjekjeje për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet mjedisore.
Publikime të tilla nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një narrative që përsëritet sa herë organizatat mjedisore apo individë përfshihen në konflikte për mbrojtjen e zonave natyrore apo mjedisit. Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Zall-Gjoçaj, një zonë ku prej vitesh aktivistë dhe banorë kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Lurës dhe ekosistemin përreth.
Zall-Gjoçaj dhe “kundërpërgjigjja” në internet
Rasti i Zall-Gjoçajt është një nga shembujt më të qartë të mënyrës se si konfliktet mjedisore në Shqipëri shoqërohen paralelisht edhe me narrativa linçuese dhe tentativa për diskreditimin e personave që reagojnë dhe kundërshtojnë publikisht këto projekte.
Aktivistët që kundërshtuan ndërtimin e hidrocentraleve në zonë raportuan se në shkurt 2026 ishin hapur faqe anonime në “Facebook” dhe “Instagram”, ku publikoheshin video të montuara dhe materiale që, sipas tyre, kishin si qëllim diskreditimin publik të aktivistëve dhe krijimin e presionit psikologjik për të hequr dorë nga kauza e tyre.
“Është më se e vërtetë që sa herë ka nisma në mbrojtje të mjedisit ka kundërpërgjigje edhe në internet”, tha aktivisti Dhimitër Koleci.
Sipas tij, gjatë konfliktit në Zall-Gjoçaj u hapën faqe anonime me emrin e zonës, të cilat publikonin materiale kundër aktivistëve, ndërsa përmbajtjet në rrjetet sociale shoqëroheshin me video të montuara, shpërndarje fotosh dhe sulme personale ndaj tyre.
“Veç ‘luftës’ psikologjike, jemi përballur me këtë fushatë dezinformuese në rrjetet sociale, pasi asgjë nuk ishte reale, por e qëllimshme”, u shpreh ai për Median Amfora.
Prej vitesh, aktivistët e Zall-Gjoçajt janë përfshirë në beteja ligjore dhe publike kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonë, duke ndjekur procese gjyqësore dhe denoncime publike për ndikimin e projekteve në mjedis. Gjatë kësaj periudhe, përveç proceseve gjyqësore dhe padive për “prishje imazhi” nga kompania e hidrocentraleve, aktivistët lokalë janë përballur edhe me intensifikimin e dezinformimit sa herë që konflikti në terren përshkallëzohej.
“I jam drejtuar edhe strukturave të krimit kibernetik, por jo çdo gjë mund të ndiqet me mundësitë që ka komuniteti lokal”, tha Dhimitër Koleci. Sipas tij, një prej faqeve anonime të hapura gjatë konfliktit vazhdon të jetë ende aktive.
Pas rasteve të Zall-Gjoçajt dhe Pishë Poro-Nartës, një tjetër konflikt ku banorët raportojnë presion dhe sulme në internet është ai i Rrjollit, ku kundërshtimi ndaj projekteve turistike është shoqëruar edhe me profile false dhe përmbajtje denigruese në rrjetet sociale.
Rrjolli dhe profilet false në “TikTok”
Një tjetër konflikt i hapur mjedisor që është shoqëruar me tensione në terren është ai i Rrjollit, një zonë bregdetare në Njësinë Administrative Velipojë, ku banorët prej muajsh kundërshtojnë projektet turistike dhe zhvillojnë protesta e procese ligjore për mbrojtjen e tokave që i konsiderojnë të trashëguara nga të parët. Paralelisht me betejën për pronat, banorët thonë se janë përballur edhe me një fushatë shpifjesh dhe presioni në internet, ku nuk kanë munguar etiketimet si “gjobëvënës” dhe gjuha denigruese përmes profileve të rreme në rrjetet sociale.
Sipas banorëve të zonës, gjatë konfliktit janë hapur profile false në rrjetin social “TikTok” që publikojnë përmbajtje që kanë nxitur tensione dhe reagime fyese në internet.
“Deri dhe ‘gjobëvënës’ na kanë etiketuar sa herë që publikojmë reagimet tona apo media raporton protestat në terren. Këto bëhen nga adresa të rreme që dukshëm janë hapur së fundmi,” tha Luciana Koka-Shullani, banore e Rrjollit.
Fotot e publikuara nga banorët tregojnë profile anonime që shpërndajnë video dhe përmbajtje fyese ndaj personave të përfshirë në protestat kundër projekteve turistike në zonë. Në shumë prej rasteve, përmbajtjet nuk fokusohen te debati mbi projektet apo konfliktin për tokën, por te sulmet personale, etiketimet dhe denigrimi publik i banorëve që kundërshtojnë zhvillimet në territor.
Konflikti i Tragjasit është një tjetër shembull i mënyrës se si në mes të përplasjeve për burimet natyrore dhe projektet turistike shfaqen edhe faqe anonime në rrjetet sociale, të cilat prezantohen si burime zyrtare informacioni dhe ndërhyjnë drejtpërdrejt në debatin publik rreth projektit.
Tragjasi dhe faqet anonime në mbështetje të projektit të ujësjellësit
Në Tragjas, ku prej muajsh banorët kundërshtojnë projektin e ujësjellësit që parashikon marrjen e ujit nga burimi Izvor për furnizimin e zonave turistike në bregdetin e Himarës, konflikti në terren është shoqëruar paralelisht me një fushatë intensive në rrjetet sociale.
Një prej faqeve më aktive është ajo me emrin “Ujësjellësi Tragjas/Himarë” në “Instagram”, e cila nisi aktivitetin në shkurt 2025, në periudhën kur konflikti për projektin u përshkallëzua publikisht. Në postimet e saj publikohen vazhdimisht video, materiale dhe përmbajtje propagandistike në mbështetje të projektit, ndërsa në shumë raste kundërshtarët e projektit paraqiten si pengues të zhvillimit apo persona që po manipulojnë komunitetin lokal.
Faqja nuk identifikon publikisht administratorët e saj dhe nuk paraqitet si kanal zyrtar institucional, ndërsa përmbajtjet e publikuara shoqërohen edhe me reklama të sponsorizuara në rrjetet sociale për të rritur shpërndarjen e postimeve.
Në vend që debati të fokusohej te ndikimi i projektit mbi burimet ujore dhe shqetësimet e ngritura nga banorët, përmbajtjet e publikuara në këto faqe shpesh zhvendosnin vëmendjen te sulmet ndaj protestuesve dhe vënia në dyshim e motiveve të tyre.
Nga veriu në jug të vendit, konfliktet mjedisore në Shqipëri mbeten të hapura dhe të shoqëruara me tensione të forta publike. Pavarësisht dallimeve mes rasteve, një element duket se përsëritet në secilin prej tyre: paralelisht me konfliktin në terren zhvillohet edhe një fushatë dezinformimi dhe presioni në internet, ku aktivistët, organizatat mjedisore dhe komunitetet lokale përballen me narrativa diskredituese, profile false, gjuhë denigruese dhe tentativa për të zhvendosur debatin nga çështjet mjedisore te delegjitimimi i personave që i kundërshtojnë këto projekte.