Pronësia e monumenteve, pasuri të lëna pa regjistruar në Kadastër dhe pa emra pronarësh

Problematikat që lidhen me pronësinë e monumenteve të kulturës janë evidentuar më herët nga një raport i KLSH-së, duke ekspozuar mungesën e regjistrimit në Kadastër të të gjitha pasurive kulturore. Ministria e Kulturës e shkeli me të paktën 8 muaj nisjen e punës sipas afatit që i la KLSH-ja.

Muzeu Etnografik në qytetin e Durrësit është njëkohësisht Monument Kulture i Kategorisë së Parë, i njohur edhe si banesa ku jetoi për disa vite aktori i njohur me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

Objekti u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe përfaqëson sot të vetmen shtëpi me çardak të shekullit XIX në Durrës. Megjithëse në nevojë emergjente për restaurim, ndërtesa ka mbetur në udhëkryq si pasojë e një konflikti pronësie.

I vetmi muze etnografik në Durrës, njëkohësisht me kujtimet e Aleksandër Moisiut, nuk ka përfituar ende nga grantet e rindërtimit dhe prej disa vitesh objekti i është rikthyer pronarëve. Nga ana tjetër ai shërben si muze bashkiak dhe ka statusin monument kulture, duke lënë në udhëkryq fatin e ndërtesës që administrohet nga shteti.

Ky është një prej dhjetra shembujve të prekshëm, që tregojnë se ende në vendin tonë problemet që lidhen me pronësinë e monumenteve të kulturës nuk janë zgjidhur, duke i bërë edhe më të vështira proceset e restaurimit të tyre. 

Ministria e Kulturës ka në varësi dy institucione të cilat e ndihmojnë atë në inventarizimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës. I pari është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Megjithatë të treja kanë dështuar që të realizojnë regjistrimin e plotë të monumenteve të kulturës në vend.

Ky problem u evidentua më herët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili theksonte çështjen që lidhet me pronësinë e monumenteve të kulturës. 

“Disa monumente kulture nuk janë të inventarizuara pasi nuk janë aktive për shkak të mungesës së pronësisë”, evidentoi raporti i KLSH-së.

“Në ‘checkimet’ e rastësishme të kryera nga grupi i auditimit në regjistër rezultoi se për shumë objekte në pronësi të privatëve nuk kishte informacione të tjera shtesë përveç faktit që prona i përkiste privatit. Nuk përcaktohej as emri i pronarit, as certifikata e pronësisë me të gjithë elementët përkatës”, shtoi raporti.

Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt gjendet gjithashtu në Durrës dhe është një shembull tjetër i një Monumenti Kulture i Kategorisë së Parë që mendohet të jetë ndërtuar në shekujt V–VI të Erës Sonë. Gjurmët e kishës, elementëve arkitektonik monumental ruhen ende sot, por banorët rrëfejnë se për momumentin që u zbulua në tokën e tyre institucionet ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e pronësisë së tokës.  

Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt, pamje ajrore. Foto: Media Amfora   

Auditimi i performancës me titull, “Mbrojtja dhe Administrimi i Monumenteve të Kulturës”, u publikua në shtator 2022 dhe rekomandoi se Ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet në varësi duhet të ngrinte grupe pune për këtë problem. 

“Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me IKTK dhe DRTK–të, të ngrejë një grup pune për të evidentuar të gjitha problematikat lidhur me pronësinë e monumenteve të kulturës duke evidentuar hapat që duhen ndjekur për të zgjidhur këto problematika”, shkruhet në rekomandimin e KLSH-së.

Sipas rekomandimit qartësimi dhe zgjidhja e problemeve të pronësisë për monumentet e kulturës do të sjelli përfitime, së bashku me inventarizimin dhe vlerësimin e aseteve pasuri kulturore. 

Për realizimin e këtij rekomandimi, KLSH përcaktoi dhjetorin e vitit 2022. Megjithëse një nevojë gati emergjente, Ministria e Kulturës nisi hapat e para 4 muaj pas mbarimit të afatit të caktuar nga KLSH-ja, të cilin e vonoi edhe me 4 muaj të tjerë.

Përmes vendimit të marrë në prill të vitit 2023, ministria vendosi të ngrinte grupin e punës, por ajo nxorri një urdhër të dytë katër muaj më pas, duke dështuar në realizimin në kohë të këtij rekomandimi.  

“Grupi i punës i ngritur me urdhërin numër 239, datë 11.04.2023, ‘Për ngritjen e strukturës së posaçme me qëllim identifikimin e listës/pronave që do t’i nënshtrohen procesit të inventarizimit, plotësimit, përditësimit dhe ndjekjen e procesit deri në regjistrimin e pronave në regjistrin kadastral publik të pasurive të paluajtshme dhe pajisjen me certifikate për çdo pasuri”, shpjegoi Ministria e Kulturës. 

“…i ndryshuar me urdhërin numër 483, datë 04.08.2023, ka hartuar listën totale dhe listën me 30 prioritete, si edhe evidentuar në vijimësi problematikat dhe adresimin e tyre me qëllim zgjidhjen dhe regjistrimin e pronave”, shtoi përgjigja e ministrisë për Median Amfora. 

Mungesa e regjistrimit të monumenteve të kulturës ka krijuar një paqartësi për menaxhimin e tyre dhe ndërhyrjet restauruese. Në Durrës zbulimet arkeologjike që janë zbuluar gjatë ndërtimit të pallateve, ndër to shumë mozaikë, kanë mbetur të kyçur, në bodrume më lagështirë dhe dita-ditës po degradohen në mungesë të qartësimit të pronësië.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109