Drejtuesi i Amforës, Geri Emiri, zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve të BE-së në Bruksel
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri, mori pjesë në Programin e Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), ku zhvilloi kryesisht takime individuale me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare. Integrimi i Shqipërisë në BE, dezinformimi, transparenca dhe mbështetja e gazetarisë së pavarur ishin ndër temat kryesore të diskutimeve.
Pjesëmarrësit në Programin e Vizitorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Foto: EUVP
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri, mori pjesë në Programin e Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP) në Bruksel dhe përgjatë pesë ditëve, ai zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare që mbështesin gazetarinë e pavarur dhe shoqërinë civile.
Takimet u zhvilluan nga 19 deri më 23 tetor dhe pjesa më e madhe e takimeve të Emirit u zhvilluan individualisht me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke krijuar mundësi për diskutime të drejtpërdrejta mbi çështje që lidhen me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Në Parlamentin Evropian, programi përfshiu njohjen me mënyrën se si merren vendimet në BE, rolin e deputetëve dhe komunikimin e institucionit me qytetarët. Pjesëmarrësit vizituan ambientet e Parlamentit Evropian dhe u njohën me shërbimet që përdoren për informimin e publikut, përfshirë ato audiovizive.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Në Komisionin Evropian, Emiri zhvilloi takime me përfaqësues të strukturave që ndjekin procesin e zgjerimit të BE-së, ku në fokus ishin zhvillimet në rajon dhe rruga e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.
Dezinformimi dhe ndikimi i aktorëve të huaj në përhapjen e informacioneve manipuluese ishin ndër temat e takimeve me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm. Këto struktura ndjekin sfidat që lidhen me manipulimin e informacionit dhe komunikimin publik, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Transparenca dhe përgjegjësia e institucioneve ndaj qytetarëve u trajtuan gjatë takimeve me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe “Ombudsmanin Evropian”. Këto institucione merren përkatësisht me hetimin e mashtrimeve që prekin interesat financiare të BE-së dhe me shqyrtimin e ankesave për keqadministrim në institucionet evropiane.
Vizita përfshiu edhe takime me organizata që mbështesin gazetarinë e pavarur dhe shoqërinë civile. Mes tyre ishte “European Endowment for Democracy” (EED), organizatë që ka mbështetur më herët veprimtarinë e Medias Amfora, si edhe “Civitates” dhe “Journalismfund Europe”. Në fokus ishin mbështetja e mediave të pavarura dhe forcimi i organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimeve në Bruksel, Emiri prezantoi veprimtarinë e Medias Amfora në gazetarinë e pavarur dhe investigative, si edhe Observatorin e Reziliencës, një iniciativë e Qendrës Amfora e fokusuar në monitorimin dhe analizimin e dezinformimit, manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja në mjedisin informativ.
Gjatë programit, pjesëmarrësit ndoqën edhe një konferencë për shtyp të Komisionit Evropian, vizituan ndërtesën “Europa” të Këshillit Evropian dhe Shtëpinë e Historisë Evropiane. Programi i Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), i krijuar në vitin 1974, është një iniciativë e përbashkët e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, që synon forcimin e marrëdhënieve me profesionistë dhe përfaqësues të shoqërisë nga vendet jashtë BE-së. Pjesëmarrësit përzgjidhen përmes një procesi institucional dhe ndjekin programe të personalizuara sipas profilit dhe interesave të tyre profesionale, duke zhvilluar takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të institucioneve evropiane.
Programi krijoi gjithashtu mundësi për shkëmbimin e përvojave me profesionistë ndërkombëtarë të medias, shoqërisë civile dhe politikës, nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe Afrika. Pjesëmarrja në këtë rrjet profesional i dha Amforës mundësinë të prezantojë përvojën e saj në gazetarinë e pavarur në Shqipëri, të njihet me praktika të ndryshme ndërkombëtare dhe të zgjerojë kontaktet për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen.