Dita Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Pasurive Kulturore, mbi 1000 objekte të grabitura nga muzetë shqiptarë mbeten pa gjurmë
Dita Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Paligjshëm të Pasurive Kulturore synon të ndërgjegjësojë qytetarët dhe institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë nga vjedhjet dhe tregtimi i paligjshëm. Në Shqipëri, mbi 1000 objekte historike janë grabitur nga muzetë e vendit, ndërsa shumica e ngjarjeve mbeten të pazbardhura.
Përkrenare në Muzeun Historik të Peshkopisë. Foto: Media Amfora.
Çdo 14 nëntor shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Paligjshëm të Pasurive Kulturore, një nismë që synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga grabitjet, gërmimet e paligjshme dhe tregtimi i objekteve të vjedhura.
Kjo ditë u shpall nga UNESCO në vitin 2019, gjatë Konferencës së 40-të të Përgjithshme të kësaj organizate.
Data lidhet me miratimin më 14 nëntor 1970 të Konventës së UNESCO-s, që synon parandalimin e trafikimit të pasurive kulturore dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve për kthimin e objekteve të grabitura në vendet e origjinës.
Në Shqipëri, në kuadër të kësaj dite, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) njoftoi organizimin e ekspozitës “Gjurmët e Trashëgimisë” në kryeqytet.
Ekspozita sjell në vëmendje pasuritë kulturore të humbura, të sekuestruara dhe të rikthyera, duke përcjellë mesazhin për mbrojtjen e trashëgimisë.
Me rastin e kësaj dite, edhe Qendra “Tirana Art” bëri thirrje për denoncimin e rasteve të gërmimeve të paligjshme, vjedhjes dhe tregtimit të objekteve kulturore.
“Çdo objekt i grabitur, çdo vepër arti e trafikuar dhe çdo pasuri kulturore e shkëputur nga vendi i saj është një pjesë e historisë që humbet për të gjithë ne”, shkruhet në mesazhin e qendrës.
Në Shqipëri, grabitja e pasurive kulturore mbetet një plagë e hapur prej dekadash.
Në një analizë të publikuar në dhjetor të vitit 2024, Media Amfora dokumentoi se 1026 objekte historike ishin vjedhur nga 19 muze në të gjithë vendin.
Mes objekteve të grabitura gjenden vepra arti, objekte arkeologjike, bizhuteri dhe sende të tjera që dëshmojnë historinë e vendit.
Media Amfora zbuloi se një pjesë e grabitjeve nuk ishin regjistruar fare në prokuroritë përkatëse, ndërsa për ngjarje të tjera hetimet ishin mbyllur pa identifikuar autorët.
Shumica e këtyre ngjarjeve mbeten të pazbardhura, ndërsa fati i objekteve të grabitura ende nuk dihet.