Dimali ndërton godinën e re me 92 milionë lekë, reforma territoriale shpërfill planet e bashkisë
Bashkia Dimal po ndërton një godinë të re administrative me një investim prej rreth 92 milionë lekësh, për të cilën miratimi ishte dhënë që në vitin 2023. Ndërkohë që punimet vijojnë, reforma territoriale e miratuar nga Kuvendi parashikon shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin, pavarësisht kundërshtimeve të banorëve dhe këshillit bashkiak.
Godina e re e Bashkisë Dimal në ndërtim, në lagjen “18 Tetori” të Urës Vajgurore. Foto: Media Amfora.
Në lagjen “18 Tetori” të ish-Urës Vajgurore, godina e re e Bashkisë Dimal është ende e rrethuar me skela. Punimet për ndërtimin e saj vijojnë në një kohë kur reforma territoriale e miratuar nga Kuvendi parashikon shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin.
Ndërtimi i godinës ishte miratuar që në dhjetor të vitit 2023, përpara se të bëhej publik propozimi për shkrirjen e bashkisë.
“Çështja e bashkisë Dimal përpara datës 31 korrik 2026 nuk është diskutuar në asnjë forum. Punimet e bashkisë kanë filluar shumë kohë më përpara datës…”, shkroi Bashkia Dimal në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Sipas bashkisë, ndërtimi i godinës së re ishte miratuar më 26 dhjetor 2023. Komuniteti nuk ishte njohur me propozimin për shkrirjen e bashkisë deri në fund të korrikut të këtij viti.
“Komuniteti i Dimalit dhe jo vetëm janë njohur me propozimin për shkrirjen nëpërmjet mediave të ndryshme më 31 korrik 2026”, sqaroi bashkia.
Gjatë një vëzhgimi në terren, Media Amfora dokumentoi se godina është ngritur dhe dritaret janë vendosur, ndërsa punimet në fasadë nuk kanë përfunduar. Sipas tabelës së investimit, ndërtimi financohet nga Bashkia Dimal dhe punimet po kryhen nga kompania “Salillari”.
Bashkia konfirmoi se në ambientet e reja janë parashikuar të ofrohen të gjitha funksionet dhe shërbimet e saj.
Procedura e tenderit për ndërtimin e godinës kishte nisur në nëntor të vitit 2024, me një fond limit prej 108,3 milionë lekësh pa TVSH. Pas ankimit në Komisionin e Prokurimit Publik, në shtator 2025 bashkia shpalli fituese kompaninë “Salillari”, me një ofertë prej rreth 92 milionë lekësh pa TVSH.
Kontrata për ndërtimin rezulton e lidhur më 17 nëntor 2025, ndërsa dokumentet e tenderit parashikonin një afat dhjetëmujor për përfundimin e punimeve.

Por, ndërsa bashkia po ndërtonte ambientet e reja për administratën dhe shërbimet ndaj qytetarëve, propozimi për hartën e re territoriale solli kundërshtime në Dimal.
Banorët protestuan kundër bashkimit me Beratin, ndërsa kryebashkiakja Juliana Memaj kundërshtoi argumentet se shkrirja e bashkisë do t’i sillte Dimalit mundësi më të mëdha investimi.
Kundër propozimit u bashkuan edhe përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike në këshillin bashkiak. Më 10 gusht, 20 nga 21 këshilltarët që morën pjesë në mbledhjen e këshillit votuan kundër shkrirjes së bashkisë.
“Ky votim pasqyron qartë qëndrimin e shumicës së cilësuar së Këshillit Bashkiak për ruajtjen e identitetit, funksionalitetit dhe autonomisë së Bashkisë Dimal”, shkruhej në njoftimin e Këshillit Bashkiak Dimal.
Sipas të dhënave të paraqitura në mbledhje, gjatë dhjetë viteve të fundit Dimali kishte realizuar mesatarisht 38% të investimeve me buxhetin e vet, kundrejt 7% të raportuar për Beratin. Këshilltarët argumentuan se këta tregues nuk e justifikonin shkrirjen e bashkisë.
Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, më 23 shtator projektligji për reformën territoriale hyri në shqyrtim parlamentar. Mazhoranca e argumentoi nismën me nevojën për forcimin e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Më 8 tetor, ndërsa projektligji diskutohej në Kuvend, banorë nga bashkitë e propozuara për shkrirje protestuan përpara Parlamentit. Protesta u shoqërua me përplasje me policinë dhe përdorimin e sprajit lotsjellës ndaj qytetarëve.
Reforma territoriale u miratua në orët e para të 9 tetorit, me 85 vota pro dhe 34 kundër, duke e ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. Ndarja e re territoriale pritet të zbatohet me zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në Dimal, ndërtimi i godinës së re vijon, megjithëse bashkia do të pushojë së ekzistuari si njësi më vete. Në përgjigjen zyrtare për Median Amfora, bashkia nuk sqaroi se çfarë funksioni do të ketë godina, që po ndërtohet me fondet e saj, pas bashkimit me Beratin.