Bashkia e Durrësit nis rikonstruksionin e Mauzoleumit, plani për parkimin nëntokësor mbetet aktiv

Bashkia Durrës ka nisur rikonstruksionin e Mauzoleumit të Dëshmorëve, me një investim prej rreth 35 milionë lekësh. Dokumentet zyrtare tregojnë se Mauzoleumi është propozuar për mbrojtje si Monument Kulture i Kategorisë I, ndërkohë që në zonë vijon të jetë i planifikuar ndërtimi i një parkimi nëntokësor, aty ku janë zbuluar gjurmë të qytetit antik.

Bashkia e qytetit bregdetar ka nisur në fillim të nëntorit rikonstruksionin e Mauzoleumit të Dëshmorëve, që ndodhet në rrugën “Aleksandër Goga”. Monumenti, ku prehen dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore, është rrethuar në përgatitje të punimeve, ndërsa një tabelë e vendosur në hyrje tregon se bashkia do të shpenzojë rreth 35 milionë lekë për rikonstruksionin e tij.

Përgatitjet për rikonstruksionin zhvillohen në një kohë kur në lulishten përpara Mauzoleumit vijon të jetë i planifikuar ndërtimi i një parkimi nëntokësor. Kjo hapësirë ruan gjurmë të qytetit antik të Durrësit, të zbuluara gjatë kërkimeve arkeologjike ndër vite.

Punimet do të kryhen nga kompania “Martini Konstruksion & Real Estate”, ndërsa kompania “GB Civil Engineering” është përgjegjëse për mbikëqyrjen e tyre, për të siguruar që ato të realizohen sipas projektit. Rikonstruksioni ka marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit më 24 prill 2026, ndërsa punimet pritet të zgjasin gjashtë muaj.

Projekti synon rikonstruksionin e ndërtesës së Mauzoleumit, rikthimin në përdorim të ambienteve ndihmëse dhe përmirësimin e parkut të gjelbër përreth, për ta bërë këtë hapësirë historike më të vizitueshme nga qytetarët.

Tabela informuese e projektit të rikonstruksionit të Mauzoleumit të Dëshmorëve. Foto: Media Amfora

Ndërkohë, për sheshin “Jorgji Ziu”, përpara Mauzoleumit, bashkia ka propozuar edhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor me tre nivele.

Më 28 shtator, Media Amfora dokumentoi se parkimi ishte pjesë e tri ndërhyrjeve të propozuara në qytet, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmoi se projekti ndodhej në proces prokurimi për hartimin e projektit teknik.

Por rëndësia historike e kësaj zone nuk qëndron vetëm te gjurmët e qytetit antik. Edhe vetë Mauzoleumi i Dëshmorëve, i ndërtuar në vitin 1947, është propozuar për mbrojtje si Monument Kulture i Kategorisë I, niveli më i lartë i mbrojtjes për monumentet e kulturës në Shqipëri.

Propozimi gjendet në Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike A dhe B të Durrësit, 2021-2028, ku Mauzoleumi identifikohet si monument përkujtimor me pronësi shtetërore, i vendosur brenda Zonës Arkeologjike B të qytetit.

Plani është një dokument i hartuar nga kompania italiane “ARS Progetti” për Ministrinë e Kulturës, me financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ai përcakton mënyrën se si duhet të mbrohen pasuritë arkeologjike të Durrësit, si dhe masat që duhen marrë për të shmangur dëmtimin e tyre nga ndërtimet dhe zhvillimi i qytetit.

Rrethimi i vendosur në hapësirën e Mauzoleumit të Dëshmorëve në Durrës, në përgatitje të punimeve të rikonstruksionit. Foto: Media Amfora

Dokumenti e vlerëson Mauzoleumin si pjesë të trashëgimisë historike dhe arkitekturore të qytetit. Ende nuk ka të dhëna që statusi i propozuar i mbrojtjes të jetë miratuar, ndërsa Plani i Menaxhimit parashikon masa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Durrësit deri në vitin 2028.

Ndërtimi i parkimit nëntokësor është planifikuar në një hapësirë ku më herët janë zbuluar gjurmë të qytetit antik. Kërkimet e projektit shqiptaro-francez “Topografia e Epidamn-Dyrrachium” kanë zbuluar mure në thellësi 1 deri në 1.5 metra në lulishten pranë Mauzoleumit, si dhe pjesë të një banje publike të periudhës romake.

Megjithëse në këtë zonë janë zbuluar struktura antike, dokumentet për projektimin e parkimit parashikojnë studime të ndryshme të terrenit, por nuk kërkojnë shprehimisht studime apo sondazhe arkeologjike.

Kështu, ndërsa bashkia përgatitet për rikonstruksionin e një monumenti të propozuar për mbrojtje si pasuri kulturore, plani për parkimin nëntokësor vijon të ngrejë shqetësime për trashëgiminë arkeologjike të zonës. Ndërhyrjet e parashikuara në lulishten përpara Mauzoleumit rrezikojnë të prekin gjurmë të qytetit antik, të dokumentuara prej dekadash.