“Kalaja kurorë e dashurisë”, dominuese e një prej ishujve të Detit Jon
E ngritur mbi një ishull jo shumë larg bregut, Kalaja e Porto-Palermos u ndërtua nga Ali Pasha në fillimin e shekullit XIX. Legjenda tregon se ajo ishte një dhuratë për gruan e tij të preferuar, Vasiliqinë dhe u kthye në simbol të dashurisë së tyre.
E ngritur mbi një ishull që dikur ishte i shkëputur nga toka, ajo tërheq vëmendjen e të gjithë udhëtarëve në rrugën e bregut nga Vlora drejt Sarandës. Fortifikimi dallon si një xhevahir në gjirin e vogël të Porto-Palermos, afër fshatit Qeparo dhe njihet gjerësisht si “Kalaja e Ali Pashës”.
Më herët se vetë monumenti, në periudhën antike aty funksiononte një nga portet më të rëndësishëm të botës antike, që në atë kohë njihej me emrin “Panorm”. Sipas informacionit për monumentin nga Ministria e Kulturës, dikur mbi portën hyrëse në anën jugore, që është edhe e vetmja, ishte vendosur një pllakë e gdhendur në gjuhën greke.
“Ali Pashë Tepelena e ndërtoi këtë kala në vitin 1804, me ndihmen e inxhinierëve ushtarakë francezë…”, shkruante pllaka ndër të tjera.
Me një formë trekëndore jo shumë të zakontë për kalatë e kohës, ajo njihet si një nga sarajet e Ali Pashë Tepelenës dhe përbëhet nga 3 bastione pesëkëndore të vendosura në qoshet e saj.
Megjithëse jo shumë e madhe, ajo dominon ishullin dhe shtrihet në përmasat 150 metra, me 400 metra. E ngritur pranë ujërave të kristalta të Detit Jon, legjenda e përcjellë brez pas brezi rrëfen se ajo u ndërtua nga Ali Pasha si dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë.
Për madhështinë dhe elegancën e kësaj kalaje është shkruar në shumë libra kushtuar Ali Pashës, çka tregon edhe se ajo ishte një ndër kalatë e tij të preferuara, ashtu si vetë Vasiliqia. “Kalaja e Porto Palermos” ka statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë që nga viti 1948 dhe në anën lindore të ishullit gjendet Kisha e Shën Kollit.
Nga ana e detit, midis dy bastioneve, një sipërfaqe në formë trapezi është e rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Hapësirat shërbenin për strehimin e garnizonit mbrojtës dhe në katin përdhe ishte vendosur burgu, i orientuar nga ana e detit.
Kjo hapësirë rrethohej nga një korridor i mbuluar dhe ku qarkullonin rojet. Ndërsa në tarracë gienden pesë kulla të vogla vrojtimi, të mbuluara me kupola dhe të pajisura me frëngji për topat.
Mendohet se kalaja është shumë më e vjetër se vetë Ali Pasha dhe se ai e rindërtoi në fillim të shekullit XIX. Në shekullin që pasoi, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vijim, ajo është perdorur si burg dhe vendstrehim për repartet ushtarake.
Sot shtegu për në kala e ka kthyer atë në gadishull dhe vizitohet përmes tokës. Rruga deri aty pranë është përshkueshme lehtësisht nga automjetet dhe gjendet vetëm disa minuta larg Himarës dhe Qeparoit.