Reforma me 46 bashki hyn në Kuvend mes kundërshtimeve nga bashkitë që propozohen për shkrirje
Projektligji që ul numrin e bashkive nga 61 në 46 hyri në shqyrtim parlamentar, ndërsa në disa nga 15 njësitë që pritet të humbasin statusin e bashkisë, këshillat vendorë dhe banorët kanë votuar, protestuar ose ngritur peticione kundër bashkimit.
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve për reformën administrativo-territoriale. Foto: "Screenshot" nga videoja e Kuvendit të Shqipërisë
Projektligji i mazhorancës socialiste që propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 hyri të mërkurën, më 23 shtator, në shqyrtim në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike të Kuvendit, ku deputeti Arbjan Mazniku e prezantoi riorganizimin si një mënyrë për të forcuar bashkitë dhe shërbimet për qytetarët.
“Jo e nisur nga politika, jo e nisur nga qëllimet politike, por te tentativa për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe për të përfituar maksimumin e mundshëm si Shqipëri nga hapat e integrimit europian”, tha Mazniku gjatë prezantimit të nismës.
Sipas tij, gjatë punës për reformën janë zhvilluar dëgjesa në 11 qarqe me pjesëmarrjen e rreth 3,500 qytetarëve.
Deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve kundërshtuan futjen në shqyrtim të reformës pa përfunduar konsultimet me komunitetet dhe këshillat bashkiakë dhe, në shenjë proteste, braktisën mbledhjen, e cila vijoi me prezantimin e nismës.
Projektligji është depozituar nga deputetë të Partisë Socialiste pasi Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, i ngritur me përfaqësim të mazhorancës dhe opozitës, e mbylli punën pa një produkt të përbashkët. Platforma zyrtare e Kuvendit e kishte përcaktuar konsultimin me njësitë vendore, komunitetet dhe shoqërinë civile si pjesë të procesit të reformës.
Nëse miratohet në formën aktuale, propozimi prek 15 bashki që humbasin statusin e tyre si njësi të pavarura. Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, ndërsa Dimali dhe Poliçani i bashkohen Beratit. Patosi bashkohet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, ndërsa Prrenjasi me Librazhdin. Në total, 28 bashki ekzistuese konsolidohen në 13 njësi, duke e çuar numrin kombëtar nga 61 në 46.
Por ndërsa projekti hyri në Komisionin e Ligjeve, kundërshtimet në një pjesë të territorit të prekur janë formalizuar prej vajvësh.
Në Dimal, 20 nga 21 këshilltarët që morën pjesë në mbledhjen e 10 gushtit votuan kundër bashkimit me Beratin. “Ky votim pasqyron qartë qëndrimin e shumicës së cilësuar së Këshillit Bashkiak për ruajtjen e identitetit, funksionalitetit dhe autonomisë së Bashkisë Dimal”, njoftoi Këshilli Bashkiak. Këshilltarët kundërshtuan gjithashtu argumentet ekonomike të përdorura për shkrirjen e bashkisë.
Edhe në Poliçan kundërshtimi mori formë institucionale. Më 21 gusht, të 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan kundër bashkimit me Beratin, pas dëgjesave të zhvilluara me banorët. Këshilltarët paralajmëruan se do të dorëhiqeshin nëse Kuvendi miraton shkrirjen e bashkisë, ndërsa kryebashkiaku Adriatik Zotkaj kërkoi që të merret parasysh qëndrimi i komunitetit.
Kundërshtimet nuk janë kufizuar te këto dy bashki. Protesta, peticione dhe reagime publike ka pasur në Divjakë, Cërrik, Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Patos, Selenicë, Maliq, Memaliaj dhe Prrenjas. Në Cërrik banorët nisën një peticion kundër bashkimit me Elbasanin, ndërsa në Divjakë protestat kundër bashkimit me Lushnjën vijuan prej javësh.
Procesi i konsultimit është zhvilluar paralelisht në bashkitë e vendit. Dokumentet zyrtare tregojnë se projektligji iu përcoll njësive vendore nga Kuvendi në fund të korrikut.
Debati për këtë proces u zhvendos edhe në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e opozitës kërkuan kthimin e projektligjit derisa të përfundonin konsultimet me komunitetet dhe këshillat bashkiakë, kërkesë që nuk u pranua. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, tha se shqyrtimi në parim do të vijojë deri më 29 shtator dhe se votimi do të bëhet pasi të mbërrijnë edhe qëndrimet e mbetura nga pushteti vendor.
Kështu, ndërsa në Kuvend ka nisur procedura për hartën e re me 46 bashki, nga territori kanë mbërritur qëndrime që kërkojnë ruajtjen e disa prej njësive të parashikuara për shkrirje. Vendimi përfundimtar për hartën e re i takon Kuvendit.