Lamallari paralajmëroi masa ndaj Sejranit, avokatët evropianë i drejtohen kryeministrit Edi Rama
Një organizatë që përfaqëson mbi një milion avokatë në Evropë i është drejtuar kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për mundësinë e ndjekjes penale dhe masave disiplinore ndaj avokatit Gentian Sejrani. Organizata kërkon që Sejrani të mund të ushtrojë detyrën pa frikësim apo ndërhyrje të papërshtatshme dhe që autoritetet të përmbahen nga masa që lidhen me ushtrimin legjitim të profesionit të tij.
Gentian Sejrani gjatë një proteste në Tiranë. Foto: Facebook/Gentian Sejrani
Këshilli i Dhomave dhe Shoqatave të Avokatëve të Evropës (CCBE) i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësim për deklaratat publike për ndjekje penale dhe procedim disiplinor ndaj avokatit Gentian Sejrani.
“Jemi seriozisht të shqetësuar për kërcënimet e pretenduara publike për ndjekje penale dhe procedim disiplinor ndaj avokatit Gentian Sejrani, në lidhje me ushtrimin e detyrave të tij profesionale”, thuhet në letrën e CCBE-së të 10 gushtit.
Reagimi lidhet me një çështje që nisi pas protestës së 2 korrikut në Tiranë, ku Sejrani përfaqësoi një person të ndaluar. Sipas letrës, klienti ngriti pretendime për dhunë fizike gjatë qëndrimit në polici, të cilat avokati i bëri publike me kërkesën e tij dhe kërkoi që të hetoheshin.
Më 4 korrik, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cilësoi pretendimet të pabazuara dhe foli për mundësinë e ndjekjes penale dhe masave disiplinore ndaj avokatit.
“Nëse këto akuza të rënda do të rezultojnë të pavërteta, do të vlerësohet edhe përgjegjësia ligjore dhe profesionale e avokatit”, deklaroi Lamallari.
Pas publikimit të letrës, Sejrani kritikoi mungesën e një reagimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqiptare, ndërsa vlerësoi reagimin e organizatës evropiane.
“Meqë Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqiptare ende nuk ka reaguar, reagoi me shpejt organizata evropiane që përfaqëson dhomat kombëtare dhe shoqatat e avokatëve në Evropë”, shkroi Sejrani në rrjetet sociale.
CCBE, që përfaqëson dhomat dhe shoqatat e avokatëve të 46 vendeve dhe mbi një milion profesionistë, i kërkoi autoriteteve shqiptare të garantojnë ushtrimin e profesionit të Sejranit pa frikësim apo ndërhyrje të papërshtatshme.
“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar që z. Sejrani të jetë në gjendje të kryejë detyrat e tij profesionale pa frikësim apo ndërhyrje të papërshtatshme”, kërkohet në letër.
Gentian Sejrani, avokat, aktivist për të drejtat e njeriut dhe drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”, ka përfaqësuar ligjërisht disa prej personave të ndaluar pas protestës së 2 korrikut në Tiranë.
CCBE i referohet gjithashtu Parimeve Bazë të OKB-së mbi Rolin e Avokatëve dhe nënshkrimit nga Shqipëria, më 15 qershor 2026, të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, për të cilën kërkon ratifikim të shpejtë.