Suedia prezantoi profilin e saj skandinav në Durrës
Ambasada suedeze në vendin tonë u prezantua të martën në Durrës me aktivitetin e saj, disa prej markave më të njohura suedeze në botë, si edhe me disa prej projekteve të financuara prej saj në qytetin bregdetar.

Stendat e ngritura në Sheshin Liria promovuan nismat e Suedisë në Shqipëri. Foto: Media Amfora
“Sweden on Tour” ishte aktiviteti i zhvilluar të martën në sheshin “Liria” të Durrësit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori suedez Niklas Strom, që prezantoi kontributin e vendit skandinav.
Në fjalën e tij përpara të pranishmëve ai u shpreh se ambasada prej vitesh ndihmon Shqipërinë veçanërisht për çështjet që lidhen me integrimin evropian.
“Jemi këtu me ambasadën suedeze për të prezantuar projektet e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA). Ne prej vitesh ndihmojmë Shqipërinë, sidomos përsa i përket integrimit në BE. Njëkohësisht kemi sjellë kompanitë suedeze që janë aktive në vendin tuaj”, tha ambasadori.

Në panairin e zhvilluar ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga ambasadat suedeze në Prishtinë, Shkup, Ankara, Stamboll, Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe Bukuresht, si edhe organizatat ndërkombëtare që zbatojnë projekte të financuara nga SIDA në Shqipëri.
Gjatë aktivitetit të pranishmit vizituan stendat e panairit dhe u njohën nga afër me disa prej ushqimeve tradicionale suedeze, markën e njohur të automjeteve “Volvo” dhe u bënë pjesë e lojës së famshme suedeze të quajtur “Kubb”.