Rrahja e gazetarit Bledi Kasmi, nuk ju mor dëshmia dhe ju “fsheh” kartela mjekësore

Pas rrahjes së kryeredaktorit të gazetës opozitare “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi, nuk ju mor dëshmia për ngjarjen dhe megjithëse u trajtua në spital, ai tregoi se “ju fsheh” kartela mjekësore. Pavarësisht se Kasmi kërkoi ta ndiqte rastin, ai u pengua nga institucionet. 

Pesë vite nga dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Bledi Kasmi nga ana e forcave speciale të Policisë së Shtetit, plagosja e tij nuk ka mjaftuar që prokuroria të nisi hetimin për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

Bledi Kasmi mori pjesë në protestën e opozitës më 26 maj të vitit 2018 dhe tregoi se ishte atje në cilësinë e kryeredaktorit të gazetës opozitare, “Rilindja Demokratike”, për të realizuar foto dhe video. 

Nga pamjet e publikuara dhe nga pretendimi i Kasmit ai dallohet në vijën e parë të protestuesve teksa turma po mbante disa kangjella metalike me qëllim pengimin e policisë që t’i zbrapste. Para kordonit të policisë dallohet një oficer që godet me shkop gome, prej të cilit Kasmi pretendon se mbeti i plagosur në kokë dhe u lëndua në pjesë të tjera të trupit.

Pavarësisht pamjeve filmike, reagimit të Kasmit, organizatave ndërkombëtare të medias dhe të opozitës së kohës, policia nuk i referoi rastin prokurorisë dhe kjo e fundit konfirmoi se nuk nisi asnjë hetim me iniciativën e saj. Ndërsa Kasmi pretendon se edhe Spitali i Traumës e mohoi shërbimin mjekësor që i ofroi.

Kasmi kujtoi se menjëherë sapo gjendja e tij shëndetsore u përmirësua pasi u trajtua në spital, kishte nisur që të ndiqte çështjen e tij nëpërmjet organeve përgjegjëse.  

“Pas dy ditësh kam shkuar në Mjekësinë Ligjore për të evidentuar dhunën e ushtruar nga dëmtimet që kisha në kokë dhe disa pjesë të tjera të trupit. Mjeku bëri raportin e plotë”, kujtoi Kasmi për Median Amfora. 

Përmes avokatit ai i ishte drejtuar më pas Policisë Gjyqësore me qëllim dokumentimin e dhunës dhe të referimit në prokurori.

“Sipas procedurës kërkohej dëshmia e Policisë Gjyqësore. I kam kërkuar Policisë Gjyqësore që të bëja dëshminë dhe nuk më kthyen përgjigje, duke refuzuar ta marrin dëshminë”, tregoi Kasmi. 

Gjendur përballë mos marrjes së dëshmisë na ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, avokati kërkoi nga Spitali i Traumës që t’i vendosnin në dispozicion kartelën mjekësore.

“I kërkova spitalit ku bëra ndërhyrjen që të më jepnin katelën për atë që kishin bërë dhe ata nuk e jepnin dhe çudia arriti deri atje sa të mohonin që kisha bërë ndërhyrjen tek ai spital, megjithëse gjithçka ishte e dokumentuar nga mediat”, tha Kasmi. 

Në mungesë të marrjes së dëshmisë nga oficeri i Policisë Gjyqësore dhe pa kartelën mjekësore të spitalit, mjeku ligjor sipas Kasmit e kishte të pamundur të jepte zyrtarisht raportin e konstatimit të dhunës, pasi i kërkohej një konfirmim nga ana e tyre.

“Pak pasi jam shtruar në pavijon ka ardhur Policia Gjyqësore për të marrë dëshminë. Në kushtet që e kisha të pamundur të jepja dëshmi, i thashë se për momentin nuk jam në gjendje”, sqaroi Kasmi për Median Amfora. 

Kryeredaktori i RD-së theksoi se më pas nuk i është marrë më kurrë dëshmia dhe nuk arriti të siguronte dosjen e trajtimit në spital, ku morri ndihmën e parë, ju nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe qëndroi i shtruar në pavijon. 

“Në lidhje me rastin e shtetasit Bledi Kasmi, ju lutemi të na saktësoni të dhënat, pasi në datën që ju i referoheni nuk rezulton material kallëzues ku të përmendet ky shtetas”, u përgjigj zyrtarisht Prokuroria e Tiranës.

Pasi Media Amfora specifikoi të dhënat e Bledi Kasmit, të dhunuar gjatë protestës të opozitës dhe datën e saktë të ngjarjes, nuk mori më asnjë përgjigje nga Prokuroria e Tiranës.

“E gjitha ishte një skemë proceduriale për të bërë të pamundur penalizimin e policisë përmes padisë nga ana ime. Pasi të dy institucionet, Policia Gjyqësore dhe Spitali i Traumës ishin bërë palë me dhunuesin dhe mohonin atë që kishte ndodhur dhe bënin të pavlerë kështu çdo padi që mund të ngrihej ndaj Policisë së Shtetit”, komentoi Kasmi. 

Sulmi i policisë ndaj kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike” gjatë protestës së opozitës është një ndër shumë rastet e dhunës së oficerëve të policisë ndaj gazetarëve, të cilat mbeten të pandëshkuara. E njëjta sjellje nga Prokuroria e Tiranës është përsëritur edhe kur gazetarët janë sulmuar nga persona civilë.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109