Digë në lumin Cem, banorët protestojnë për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Alpeve

Punimet për një digë në lumin Cem kanë nxjerrë në protestë banorët e Vuklit në Malësi të Madhe, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen dhe mungesën e konsultimit. Sipas organizatave mjedisore, ndërtimi po kryhet brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe rrezikon rrjedhën e lumit dhe tokat e banorëve.

Dhjetëra banorë të Vuklit, në Kelmend të Malësisë së Madhe, u mblodhën më 8 tetor në lagjen “Muriq” për të kundërshtuar punimet që, sipas Qendrës LUMI dhe Shoqatës “Well Point”, kanë nisur për ndërtimin e një dige në shtratin e Cemit.

“Askush nuk na ka informuar apo konsultuar për këto punime që kanë nisur në lumë, duke vënë në rrezik tokat tona”, tha banori Niko Gjelaj, gjatë protestës. 

Nën shi, protestuesit qëndronin me çadra dhe pankarta ku shkruhej “Vukli i thotë STOP HEC-eve”. Mesazhi “Mos e prek Cemin” ishte vendosur edhe mbi një ekskavator në shtratin e lumit. Përreth ekskavatorit kishte grumbuj gurësh dhe rrjeta metalike, ndërsa uji kalonte mes shkëmbinjve.

Sipas organizatave  mjedisore që po mbështesin banorët puna për bazamentin e digës kishte nisur tri ditë përpara protestës dhe po përparonte pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme të komunitetit. Ato e vendosin ndërhyrjen brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe denoncojnë dëmtimin e shtratit dhe pengimin e rrjedhës së lirë.

Banorët kërkojnë të dinë si do të preken tokat dhe uji i tyre. Sipas njoftimit, ata nuk kanë mundur të shohin detajet e projektit për të cilin po punohet.

“Ne i kërkojmë institucioneve lokale dhe qendrore transparencë dhe veprim të menjëhershëm”, u shpreh Gjelaj.

Pankartat e protestës mbi ekskavatorin në shtratin e lumit Cem. Foto: Qendra LUMI dhe Shoqata “Well Point”.

Organizatat LUMI dhe “Well Point” deklarojnë se në Cemin e Vuklit parashikohen katër hidrocentrale. Sipas tyre, devijimi i ujit nga burimi deri te Ura e Tamarës rrezikon ta lërë pa rrjedhë shtratin natyror, me pasoja për bujqësinë, blegtorinë dhe turizmin në zonë.

Në dokumentet zyrtare figuron projekti “Ura e Tamarës”, i shoqërisë “Tamara Hydro Energy”, që përfshin hidrocentralet “Kozhnjë 1”, “Kozhnjë 2” dhe “Tamara”. Një vendim i Entit Rregullator të Energjisë e përcakton vendndodhjen e tyre në pellgun e Cemit të Vuklit dhe i referohet kontratës koncesionare të 15 janarit 2019.

Për organizatat, shqetësimi shtrihet edhe te mbrojtja e natyrës në një territor me status parku kombëtar. Ato e përshkruajnë degën e Vuklit si pjesën e fundit të paprekur të Cemit dhe një strehë për troftën e mermertë.

“Hidrocentralet nuk kanë vend në këto zona, të cilat meritojnë mbrojtje reale dhe të garantuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse”, deklaroi Besjana Guri, drejtoreshë ekzekutive e LUMI-t.

Aurora Piroviq, drejtoreshë ekzekutive e “Well Point” e lidhi ruajtjen e lumit me mundësitë e zhvillimit të turizmit natyror dhe ekonomisë vendase. Sipas saj, ndërtimi i hidrocentraleve do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në ekosistemin e zonës.

Krahas protestës, organizatat kanë nisur një peticion për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe publikimin e projektit, emrit të subjektit dhe lejeve përkatëse. Ato kërkojnë konsultim me komunitetin përpara vendimmarrjes dhe mbrojtjen e përhershme të Cemit dhe të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.