“Dështuan në zbardhjen e ngjarjes”, dhunimi i gazetarit Elvi Fundo mbetet pa autor

Prokuroria e Tiranës e pezulloi hetimin për dhunën ndaj drejtuesit të medias “Citynews.al”, Elvi Fundo. Ai tregoi se kjo është hera e dytë që hetimi u pezullua dhe ai do të kërkoj përsëri nisjen e tij. I ndaluari i vetëm për ngjarjen e vitit 2017 sipas Fundos u la i lirë sepse kishte një alibi bindëse.

Paraditen e 8 marsit të vitit 2017-të drejtuesi i medias në internet “Citynews.al” (CNA), Elvi Fundo, u sulmua nga dy persona që e goditën me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Ai përfundoi i shtruar në Siptalin e Traumës, ku mjekët i rekomanduan që të qëndronte për disa ditë, pas ngjarjes që ndodhi pranë zyrave të medias në zonën e Bulevardin “Zogu i Parë”, në Tiranë.

“Dy shtetas ende të pa identifikuar kanë goditur me grushte dhe me mjete të forta shtetasin E. F., 35 vjeç, banues në Tiranë”, ishte një pjesë e njoftimit të parë të Policisë së Shtetit.

Disa ditë më vonë Policia e Tiranës kërkoi ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dy burrat që dhunuan Fundon, duke vendosur edhe një shpërblim në dispozicion. Teksa publikoi një video ku shfaqeshin 2 agresorët trupmbushur dhe me veshje dimërore me kapuça, policia mundi të ndalonte vetëm një të dyshuar që sipas gazetarit u lirua më pas.

Media Amfora po raporton për hetimet e prokurorive për rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe sulmeve ndaj medias në vitet e fundit, duke zbuluar se në rastin e gazetarit Elvi Fundo hetimi i prokurorisë dështoi të vendoste përpara përgjegjësisë autorët. 

Kur kanë kaluar 6 vite nga ngjarja, Prokuroria e Tiranës bëri me dije se çështja është pezulluar, megjithëse vetë gazetari kishte kërkuar rihapjen e hetimit, pasi tregoi se ishte mbyllur në herën e parë. 

“Në lidhje me rastin e shtetasit Elvi Fundo, rezulton të jetë regjistruar procedimi penal nr. 2089, i vitit 2017, për nenin 237 të Kodit penal, për të cilin është vendosur pezullim i procedimit penal”, shpjegoi Prokuroria e Tiranës për Median Amfora. 

“Është hera e dytë që Prokuroria e Tiranës e mbyll çështjen. Kështu vendosi dhe një herë më parë. Unë kërkova që të rihapeshin hetimet”, rrëfeu Fundo për Median Amfora. 

Ai kujtoi se u dhunua me mjete të forta nga persona që nuk i njihte dhe theksoi se hetimi i çështjes nuk ka shkuar asnjëherë deri në fund.  

“Komisariati numër 3 dhe Prokuroria e Tiranës dështuan në zbardhjen e ngjarjes. Për shkak të profesionit unë i jam ofruar hetimeve dhe jam interesuar herë pas here, duke ofruar edhe aq informacione sa mund të siguroja, por institucionet dështuan për sa kohë deklaruan pezullimin”, tha Fundo. 

Sipas tij shumë prova nga vendi i ngjarjes nuk janë mbledhur dhe veprimet pas sulmit janë kryer me ritëm të ngadaltë.

“Veprimet e punonjësve të komisariatit u kryen me shumë ngadalësi. Kamerat e sigurisë së zonës ku ndodhi ngjarja nuk janë zbardhur. Elemente këto shumë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes”, pretendoi Fundo. 

Më 21 gusht 2017 policia arrestoi 42 vjeçarin me iniciale I. Gj., si të dyshuar për dhunën ndaj drejtuesit të medias në internet “Citynews.al”. Fillimisht ai u akuzua për “Goditje për shkak të detyrës”, por në fund nuk u përball me drejtësinë dhe u la i lirë. 

“Personi që u arrestua për ngjarjen siç dihet u la i lirë sepse kishte alibi”, tregoi Elvi Fundo. 

Për gazetarin personi i ndaluar ka qenë thjesht një mercenar dhe se duhej të ishin hetimet ato që do të identifikonin dhe do të nxirrnin përpara drejtësisë porositësit e sulmit.

“Unë e thash edhe pas ndalimit që personi me shumë gjasa ishte një mercenar sepse unë as e njihja dhe ja lash në dorë hetimeve çështjen, por doli aq ai kishte alibi”, rrëfeu Fundo. 

I bindur se hetimet nuk janë zhvilluar siç duhet, ai shpjegoi se nuk ka hequr dorë nga ngjarja dhe do të kërkojë që të hetohet përsëri për të zbardhur të vërtetën.

“Avokatët do të kërkojnë ri hetim të çështjes. Unë isha në punën time dhe u dhunova. Kam deklaruar gjithçka për ngjarjen, kam nxjerrë edhe pista dyshimi që lidhen dhe me zërin tim opozitar si gazetar, ndaj nuk do të heq dorë nga kjo çështje”, shpjegoi Fundo. 

Media Amfora raportoi më herët se edhe hetimi për dhunimin e gazetarëve të Televizionit “News 24”, Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala, më 27 korrik 2021, nga një skuadër operacionale e Policisë së Shtetit, përfundoi pa hetimin e personave përgjegjës. 

“Pezullimi i kësaj çështje si edhe e të tjerave është si një këmbanë alarmi për gazetarët, veçanërisht të rinjtë. Të punosh si gazetar dhe kur dhunohesh nuk të jepet e drejta për të parë çështjen të zbardhur, kjo nuk nxit gazetarët e rinj, përkundrazi i step”, komentoi Fundo për rastin e tij dhe përfundoi me apelin për zbardhjen e sulmeve ndaj gazetarëve.