Policia arreston 16 persona dhe procedon 49 të tjerë pas protestës së studentëve

Policia arrestoi 16 persona dhe procedoi penalisht 49 të tjerë pas protestës së studentëve në Tiranë. Masat lidhen me dyshimet për dhunë ndaj efektivëve dhe dëmtime të institucioneve publike e bizneseve gjatë tubimit, i cili u shoqërua me të plagosur e të lënduar mes protestuesve.

Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën se janë arrestuar në flagrancë 16 persona dhe proceduar penalisht 49 të tjerë, në kuadër të hetimeve për ngjarjet gjatë protestës së një dite më parë, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit.

“U bë arrestimi në flagrancë” i 16 personave, ndërsa “u proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Të arrestuarit janë të moshave nga 23 deri në 59 vjeç. Institucioni i identifikon me iniciale, por nuk jep informacion mbi profesionin apo statusin e tyre si studentë.

Policia rendit tetë vepra penale, mes të cilave goditja për shkak të detyrës, kundërshtimi i punonjësit të rendit publik, prishja e rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimi i pronës dhe shkatërrimi i saj me zjarr. Në listë përfshihen edhe shkeljet e rregullave për lëndët plasëse e djegëse, vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit, si dhe veprimet e paligjshme me armë të ftohta.

Sipas policisë, gjatë tubimit disa pjesëmarrës të maskuar hodhën gurë, kapsolla dhe kokteje molotovi drejt efektivëve, institucioneve dhe bizneseve. Institucioni raportoi gjashtë punonjës policie të lënduar.

Policia deklaroi se u dëmtuan kangjellat, muret dhe dritaret e Ministrisë së Arsimit, sinjalistika rrugore dhe prona private. Sipas saj, u thyen dhe u dogjën sende brenda një institucioni mikrofinanciar dhe u dëmtua fasada prej xhami e një banke.

“Në rrugën ‘Ded Gjon Luli’, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj”, shrkuhet në njoftim.

Arrestimet pasuan protestën që u shoqërua me të plagosur të lënduar dhe denoncime për dhunë ndaj protestuesve e gazetarëve, ndërsa gjatë mbrëmjes policia pezulloi pesë punonjës pas publikimit të pamjeve të një 19-vjeçari të dëmtuar.

Sipas policisë, hetimet për ngjarjet e 13 tetorit vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar dhe dokumentimin e veprimeve të tyre. Ndërkohë, protesta vijoi edhe më 14 tetor në Tiranë, ku studentë bojkotuan mësimin dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa tubimit iu bashkuan edhe gjimnazistë.