PS kërkon komision të ri pas miratimit të shkrirjes së 15 bashkive 

Partia Socialiste kërkon një komision të ri parlamentar për të rishikuar kompetencat, financimin dhe shërbimet e bashkive, pasi Kuvendi miratoi hartën me 46 njësi vendore. Opozita kundërshtoi, duke argumentuar se këto detyra duhej të ishin përmbushur nga komisioni i mëparshëm.

Konferenca e Kryetarëve vendosi më 13 tetor t’ia kalojë seancës plenare kërkesën e 10 deputetëve socialistë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale, që do të trajtojë funksionimin dhe financimin e pushtetit vendor pas ndryshimit të hartës.

“Pas diskutimeve u vendos që kërkesa t’i kalohet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Nisma vjen pak ditë pasi parlamenti miratoi uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, mes protestave të banorëve dhe kundërshtimeve të këshillave vendorë. Me hartën tashmë të votuar, socialistët propozojnë të trajtojnë ndryshimet ligjore për shërbimet që do të ofrojnë bashkitë, burimet e financimit dhe organizimin e tyre të brendshëm.

Në kërkesën e depozituar më 12 tetor, PS-ja argumenton se ndryshimi i kufijve është vetëm pjesa e parë e reformës. Ndryshimet e tjera synohen të jenë gati për fillimin e funksionimit të bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e kundërshtoi këtë mënyrë vijimi të procesit. Pas mbledhjes, ajo tha se komisioni i mëparshëm duhej të kishte trajtuar edhe çështjet që tani propozohen për komisionin e ri.

“Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën elektorale”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj, opozita kishte kërkuar në korrik zgjatjen e mandatit me tre muaj për të përmbushur këto detyra, por mazhoranca nuk e kishte pranuar. Ajo argumentoi se ndryshimet territoriale duhej të mbështeteshin nga të dyja palët përpara vijimit me paketën ligjore për financat dhe shërbimet.

“Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim”, u shpreh deputetja.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dha një shpjegim tjetër për përfundimin e punës së komisionit të mëparshëm. Pas mbledhjes, ai tha se kërkesa për zgjatjen e mandatit nuk ishte paraqitur brenda afatit dhe se mandati kishte përfunduar.

Balla ftoi opozitën të rishikojë qëndrimin deri të enjten. Ai tha se puna e mëtejshme do të përqendrohet te ligjet për qeverisjen vendore, transferimi i funksioneve nga qeveria qendrore te bashkitë, financat dhe organizimi rajonal.

Projektvendimi bashkëlidhur kërkesës parashikon një mandat gjashtëmujor dhe 16 anëtarë: nëntë nga PS-ja, pesë nga PD-ja, një nga Aleanca për Ndryshim dhe një nga Partia e Lirisë. Kryetari propozohet të jetë nga shumica parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari nga opozita.

Dokumenti parashikon që komisioni të synojë marrëveshjen mes palëve. Në mungesë të saj, vendimet do të merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve. Me nëntë nga 16 vendet e propozuara, PS-ja do ta kishte këtë shumicë edhe pa votat e opozitës.

Për qytetarët, ndryshimet e propozuara lidhen me shërbimet që do të marrin në bashkitë e riorganizuara dhe mënyrën si do të përfaqësohen qytetet përbërëse. Dokumenti përfshin përcaktimin e standardeve minimale të shërbimeve, burimin e financimit për çdo funksion dhe rregullat për transferimin e pasurive, stafit dhe shërbimeve.

Në financat vendore propozohet edhe rishikimi i formulës me të cilën qeveria shpërndan fondet e pakushtëzuara për bashkitë, duke përdorur të dhënat e Censit 2023. Komisioni do të shqyrtojë gjithashtu organizimin rajonal dhe përgatitjen për fondet e Bashkimit Evropian.

Ngritja e komisionit mbetet për t’u votuar në seancë plenare. Kërkesa parashikon konsultime me bashkitë, institucionet publike, shoqërinë civile dhe ekspertët përpara paraqitjes së ndryshimeve ligjore në Kuvend.