Raporti “Gjenerata e të Ardhmes” zbulon perspektivat e të rinjve shqiptarë 

Një raporti i Këshillit Britanik ekspozon qëndrimet, aspiratat dhe nevojat e të rinjve në të gjithë vendin. Ai zbulon pikëpamjet e tyre mbi arsimin, aftësitë, punësimin dhe ndërveprimin e tyre me shoqërinë.

Raporti i fundit “Gjenerata e të ardhmes Shqipëri” është studimi i parë gjithëpërfshirës mbi rininë shqiptare, që nxjerr në dritë përvojat, aspiratat, dëshirat dhe vlerat e gjeneratës së parë që rritet në një shoqëri post-komuniste.

Raporti i përgatitur nga Këshilli Britanik (British Council) u prezantua në Tiranë këtë nëntor dhe zbuloi se cilësia e arsimit dhe punësimi janë shqetësimet më të rëndësishme të të rinjve shqiptar.

Raporti “Gjenerata e të Ardhmes – Shqipëri” paraqet gjetjet e një studimi gjithëpërfshirës me metoda të përziera, që analizon përvojat, besimet dhe qëndrimet e të rinjve shqiptarë të moshës 18-29 vjeç, si pjesë e nismës globale të kërkimit “Gjenerata e të Ardhmes”, e Këshillit Britanik. 

Për të dhënë një pasqyrë sa më të plotë dhe të detajuar të gjeneratës së ardhshme, ky kërkim përfshiu 1249 të rinj shqiptarë, nga fusha të ndryshme të jetës. 

Duke iu referuar rezultateve të studimit, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me Mbretërinë e Bashkuar, ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, ndau përshtypjet për raportin.

“Është një hulumtim i thellë që zbulon se si rinia shqiptare e percepton të ardhmen e tyre për sa i përket mundësive arsimore dhe perspektivave të punës”, tha ambasadori në fjalën e tij.

“Këta tregues do të na ndihmojnë në përpjekjet tona të përbashkëta për të përmirësuar të ardhmen e rinisë shqiptare, duke krijuar mundësi dhe forcuar marrëdhënien Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri”, vijoi ai. 

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith. Foto: British Council

Clare Sears, drejtoreshë e Këshillit Britanik në Ballkanin Perëndimor, vuri theksin tek tendencat pozitive që kanë dalë nga ky hulumtim dhe theksoi domosdoshmërinë e ndërtimit të programeve unike, si për të rinjtë, ashtu edhe për fëmijët, të tilla, si “Shkollat e Shekullit të 21-të”, programi kryesor i Këshillit Britanik, i cili mund të ndihmojë në inkurajimin e mendimit kritik dhe zhvillimin e aftësive të komunikimit, të cilat janë thelbësore për shtigjet e ardhshme të karrierës. 

“Raporti shërben si një mjet për të mbështetur brezin e ri të Shqipërisë në krijimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të gjallë për këtë vend të bukur”, tregoi Sears.

Sipas deklaratës për shtyp të Këshillit Britanik, “Gjenerata e të Ardhmes” është një program kërkimor global, i iniciuar në vendet që po përjetojnë një periudhë ndryshimesh të rëndësishme, me qëllim që të sigurohet që të dëgjohet zëri i të rinjve dhe interesat e tyre të përfaqësohen siç duhet në vendime që do të kenë ndikim për jetën e tyre.

Projektet kërkimore shqyrtojnë pikëpamjet e të rinjve rreth arsimit, punësimit dhe mënyrës së jetesës, si edhe zbulojnë shpresat dhe frikën e tyre për vendin e tyre, shkallën e angazhimit ndërkombëtar dhe pikëpamjet e tyre mbi botën më të gjerë dhe vlerat dhe besimet që ndikojnë në jetën e tyre.

Broshurë informuese për Shqipërinë. Foto: British Council

Këshilli Britanik është organizata ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar për marrëdhëniet kulturore dhe mundësitë arsimore. Ajo mbështet paqen dhe prosperitetin duke ndërtuar lidhje, mirëkuptim dhe besim midis njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendet e tjera, përmes punës në art, kulturë, arsim dhe gjuhën angleze. 

Organizata vepron në Shqipëri që nga viti 1994, duke punuar çdo vit me mijëra studentë, mësues, politikë-bërës, akademikë, kërkues, artistë dhe sipërmarrës.