Raporti i Reporterët pa Kufij, liria e medias në Shqipëri nën presion politik dhe ekonomik 

Liria e shtypit dhe pavarësia e medias në Shqipëri mbeten të kërcënuara nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, një kuadër ligjor i mangët dhe presioni ndaj gazetarëve, sipas raportit të Reporterët pa Kufij (RSF).

Liria e shtypit në Shqipëri mbetet e kërcënuar nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, një kuadër ligjor i mangët dhe presioni ndaj gazetarëve, sipas raportit të Reporterët pa Kufij (RSF) , publikuar në fund të prillit.

“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”, shkruhet në raportin e RSF.

Raporti paraqet një panoramë të detajuar të sfidave strukturore që ndikojnë në funksionimin e medias në vend, duke e vendosur theksin te pavarësia editoriale dhe siguria e gazetarëve.

“Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një numri të vogël kompanish që kanë lidhje me botën politike, veçanërisht në sektorë shumë të rregulluar si ndërtimi”,  vijohet në raport. Ky përqendrim i pronësisë, i kombinuar me mungesën e transparencës në financim, krijon një mjedis ku ndikimi politik dhe ekonomik mund të ushtrohet lehtësisht mbi përmbajtjen editoriale, duke rritur rrezikun e autocensurës. Raporti i Reporterët pa Kufij (RSF) ndalet gjithashtu te presioni politik ndaj gazetarëve dhe kufizimet në aksesin në informacion.

“Gazetarët përballen me presion politik, sidomos gjatë zgjedhjeve”, theksoi raporti.

Këto presione, të shoqëruara me vështirësi në sigurimin e informacionit publik dhe centralizimin e komunikimeve institucionale, kufizojnë aftësinë e mediave për të ushtruar rolin e tyre si mbikëqyrëse e pushtetit. Në aspektin ligjor, raporti evidenton boshllëqe që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e raportimit.

“Megjithëse Kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme”,  shpjegohet në raport.

Sipas analizës së RSF, praktika të caktuara gjyqësore kanë krijuar precedentë që rrezikojnë raportimin për çështje me interes publik, duke shtuar pasigurinë për gazetarët investigativë. Çështjet ekonomike përbëjnë një tjetër dimension kritik të raportit.

“Financimi shtetëror përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për median, por shpërndarja e tij jo transparente dhe diskriminuese ngre dyshime për ndikim politik”, vijoi raporti.  Kjo situatë, sipas RSF, e bën median më të varur nga burime të jashtme dhe më të ekspozuar ndaj ndikimeve që mund të cenojnë pavarësinë editoriale. Raporti trajton gjithashtu aspektin e sigurisë së gazetarëve, duke theksuar rreziqet që ata përballin në terren.

“Krimi i organizuar mbetet një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e tyre”, theksohet në raport.

Përtej kërcënimeve direkte, klima e pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve konsiderohet një faktor që mund të nxisë incidente të mëtejshme. Në lidhje me këtë raport, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke shprehur shqetësimin për situatën e lirisë së medias në vend.

“Ndërthurja e interesave mes politikës dhe biznesit, mungesa e transparencës në financimin e medias dhe presioni politik mbi redaksitë vijojnë të minojnë lirinë editoriale,” shkruhet në deklaratën e AGSH.

Organizata thekson se këto problematika janë të njohura dhe të ngritura vazhdimisht nga komuniteti i gazetarëve, duke kërkuar adresim konkret nga institucionet.

“Klima e pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional”,  shkruhet më tej në reagim.

Në tërësi, raporti i Reporterët pa Kufij (RSF) dhe reagimi i AGSH tregojnë se, pavarësisht një peizazhi mediatik të larmishëm, sfidat strukturore që lidhen me pavarësinë, transparencën dhe sigurinë e gazetarëve vijojnë të mbeten të theksuara në Shqipëri.