Mjete të rënda mbi urën e Zerzebilit, dëmtohet monumenti i kulturës në Gjirokastër
Ura e Zerzebilit në Gjirokastër, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ka pësuar çarje në strukturë. Sipas ekspertëve, dëmtimi dyshohet të jetë shkaktuar nga kalimi i mjeteve të rënda.
Ura e Zerzebilit Monument Kulture Kategoria e Parë. Foto: DRTK Gjirokastër
Një çarje në Urën e Zerzebilit në Gjirokastër, një nga tre urat që lidhin qytetin me lagjet “Çfakë” dhe “Manalat” u konstatua në mes të muajit prill dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga kalimi i mjeteve të rënda ndër vite.
“Ura e parë është ura që ka pasur një dëmtim, ku konsiston në një çarje që ka ndodhur në profilin e saj, dukshëm nga ana e poshtme, me gjatësinë e harkut dhe këmbët e urës”,
shkroi DRTK Gjirokastër për Median Amfora.
Sipas përgjigjes zyrtare, çarja është e dukshme në strukturën mbajtëse të urës dhe shtrihet përgjatë harkut, një element kyç për qëndrueshmërinë e saj. Institucioni thekson se dëmtimi nuk është i ri dhe nuk është aktivizuar më tej, duke e cilësuar gjendjen aktuale pa cedim strukturor.
Megjithatë, fakti që bëhet fjalë për një monument kulture të kategorisë së parë e rrit ndjeshëm rëndësinë e çdo dëmtimi, edhe kur ai konsiderohet i stabilizuar. Objekte të kësaj kategorie mbrohen me ligj dhe kërkojnë standarde të larta ndërhyrjeje dhe mirëmbajtjeje.
“Nga kontrolli i bërë në këtë objekt, konstatojmë se në të nuk ka cedim, pasi ura qëndron në bazament shkëmbor. Si e tillë, mendojmë se kjo çarje ka ardhur si rezultat i kalimit të makinerive të rënda, të cilat kanë sjellë edhe këtë dëmtim”, shkroi DRTK.
Institucioni pranon se mbi urë kanë kaluar mjete të rënda, përfshirë betoniere, të përdorura në ndërtime në zonë. Kjo praktikë ngre pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit dhe mbrojtjes së një objekti me status të veçantë.
Sipas të dhënave zyrtare, në këtë urë nuk janë kryer projekte restaurimi, ndërsa ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara kryesisht në pastrimin e vegjetacionit, me ndërhyrjen e fundit në vitin 2025. Ndërkohë, një pjesë e fugës rezulton të jetë e trajtuar më parë me materiale jo të përshtatshme, si llaç cimentoje.
“Duke u nisur edhe nga shqetësimet e fundit, DRTK, në bashkëpunim me IKTK, do të hartojë projektin e restaurimit të urës. Aktualisht, çarjet e urës i kemi vënë në monitorim, duke vendosur gjurmues për evidentimin e lëvizjeve të mundshme”, shkroi institucioni.
Ura e Zerzebilit është njëra nga tre urat e përroit me të njëjtin emër, që lidh qytetin e Gjirokastrës me dy lagje të rëndësishme të tij. Të tria këto ura janë në mbrojtje nga shteti që prej vitit 1983, për shkak të vlerave që mbartin në aspektin arkitekturor. Aktualisht, ura e mesit shërben për kalimin e këmbësorëve, ndërsa ura e parë dhe ura e tretë janë funksionale për kalimin e automjeteve.