SPAK kërkon gjykimin e ish-kryebashkiakut të Divjakës për shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme kërkoi kalimin për gjykim të ish-kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe tre ish-zyrtarëve të bashkisë, të akuzuar për shpërdorim detyre në procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi dërgimin për gjykim të ish-kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, si dhe të ish-zyrtarëve Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo. Të katër akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore për ndërtimin e impianteve fotovoltaike. 

Sipas SPAK, gjatë hetimit është konstatuar se Bashkia e Divjakës lidhi dy kontrata qiraje 10-vjeçare me shoqëritë AG Hpower & Construction sh.p.k. dhe Intex sh.p.k., për një sipërfaqe totale prej rreth 367 mijë metrash katrorë tokë të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si tokë bujqësore shtetërore. 

Prokuroria pretendon se procedurat janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Sipas dosjes, në mars 2021 Bashkia Divjakë i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndryshimin e kategorisë së këtyre sipërfaqeve nga tokë bujqësorenë tokë pa fryt, në funksion të ndërtimit të impianteve fotovoltaike. 

Hetimi për çështjen nisi në vitin 2022 pas një referimi të policisë dhe u transferua më pas për kompetencë në SPAK. Fredi Kokoneshi drejtoi Bashkinë e Divjakës për tre mandate, nga viti 2011 deri në vitin 2023. Kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.