Organizatat kundër torturës denoncojnë dhunën policore gjatë protestave studentore
Organizata ndërkombëtare dhe shqiptare kundër torturës kanë ngritur shqetësimin për dhunën ndaj protestuesve, përfshirë fëmijët, dhe trajtimin e personave të ndaluar në komisariate. Të paktën 320 persona raportohen të plagosur gjatë protestave, ndërsa organizatat kërkojnë hetimin e rasteve të dyshuara të keqtrajtimit nga policia.
Punonjës të Policisë së Shtetit gjatë shoqërimit të një protestuesi. Foto: Media Amfora
Dhuna gjatë protestave të studentëve dhe të rinjve ka sjellë reagimin e organizatave ndërkombëtare kundër torturës. Në një deklaratë të përbashkët të 30 tetorit, Konsorciumi “Të Bashkuar Kundër Torturës” dhe Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës (ARCT) denoncuan përdorimin e dyshuar të forcës së tepruar nga policia, keqtrajtimin e të ndaluarve dhe shkeljen e të drejtave të fëmijëve.
“Shprehim shqetësimin tonë lidhur me brutalitetin policor dhe përdorimin e tepruar të forcës për të heshtur protestuesit, si dhe për keqtrajtimet gjatë transportimit të tyre dhe mbajtjes në ambientet e ndalimit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët.
Organizatat i referohen protestave të zhvilluara që prej muajit maj, të cilat u intensifikuan pas 13 tetorit. Sipas tyre, të paktën 320 persona janë plagosur gjatë demonstratave, shifër që nuk përfshin të dhënat e përditësuara të protestës së 24 tetorit.
ARCT thotë se ka marrë më shumë se 100 kërkesa për ndihmë mjekësore dhe juridike, si dhe ka mbledhur dëshmi nga mbi 75 pjesëmarrës në protesta.
Mes rasteve të dokumentuara, organizata përmend një 19-vjeçar që pësoi frakturë në këmbë gjatë ndërhyrjes së policisë më 13 tetor.
“Pamjet filmike tregojnë katër efektivë policie duke e mbajtur nga gjymtyrët, ndërkohë që këmba e dëmtuar mbetej pa mbështetje”, shkruhet në deklaratë.
Shqetësim ngrihet edhe për përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestës së 24 tetorit, ku sipas organizatave u plagosën të paktën dy persona. Njëri prej tyre pësoi një dëmtim të rëndë në sy, rast për të cilin Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal.
Media Amfora raportoi se pas protestës kombëtare të 24 tetorit, 23 persona morën trajtim mjekësor, mes tyre 13 protestues, gjashtë policë, tre gazetarë dhe një deputet. Një protestues 28-vjeçar, i dëmtuar në sy, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Një pjesë e deklaratës i kushtohet trajtimit të fëmijëve të ndaluar gjatë protestave. Sipas organizatave, mes më shumë se 50 personave të arrestuar ishin edhe 18 fëmijë.
“Në Komisariatin e Policisë nr. 1, pesë nga tetë fëmijët kanë pretenduar se janë përballur me dhunë fizike dhe verbale, ndërsa monitoruesit kanë konstatuar dëmtime trupore te dy prej tyre. Nuk janë kontaktuar as prindërit dhe as psikologët”, shkruhet në deklaratë.
Organizatat raportojnë gjithashtu se disa të ndaluar janë mbajtur pa ushqim për më shumë se 14 orë. Në Bllokun e Sigurisë, sipas tyre, janë mbajtur 118 persona, megjithëse ambientet kanë një kapacitet prej 67 personash, duke i detyruar të ndaluarit të flinin në dysheme.
“Nëse vërtetohen, këto veprime mund të përbëjnë torturë ose forma të tjera keqtrajtimi”, paralajmërojnë organizatat, duke kërkuar hetime të shpejta dhe të pavarura.
Denoncimet vijnë pasi organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe studentë kallëzuan në SPAK drejtues të Policisë së Shtetit, duke kërkuar hetimin e mbi 180 rasteve të pretenduara të shkeljeve gjatë protestave.
Organizatat kundër torturës kërkojnë pezullimin gjatë hetimeve të efektivëve të dyshuar për dhunë, garantimin e ndihmës mjekësore dhe juridike për të ndaluarit, si dhe mbrojtje të veçantë për fëmijët.
Ato u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të raportojnë deri më 28 nëntor 2026 pranë Komitetit të OKB-së kundër Torturës mbi masat e marra për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe trajtimin e shqetësimeve të ngritura gjatë protestave.