Protesta kombëtare: 23 të lënduar dhe 23 të arrestuar, hetohet ndërhyrja e policisë
Protesta kombëtare e studentëve dhe të rinjve, e zhvilluar të shtunën në Tiranë, u shoqërua me përplasje me policinë, të lënduar dhe arrestime. Sipas njoftimeve zyrtare, 23 persona kërkuan trajtim mjekësor në spital, ndërsa nuk munguan dhe ndalimet nga policia.
Gjatë protestës të të rinjëve në Tiranë. Foto: Media Amfora
Tubimi kombëtar i 24 tetorit, që bashkoi në Tiranë studentë, të rinj dhe grupe të tjera të mobilizuara kundër qeverisë, vijoi deri në mbrëmje dhe u shoqërua me incidente në disa pjesë të kryeqytetit.
Protesta ishte pjesë e aksionit qytetar të nisur më 13 tetor për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në spitalet dhe poliklinikat e Tiranës u paraqitën 23 persona të lënduar: 13 protestues, gjashtë efektivë policie, tre përfaqësues të medias dhe një deputet.
Nga këta, 16 morën ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, pesë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe dy në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2.
Një prej protestuesve, i lënduar në sy, iu nënshtrua më 25 tetor një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, ndërsa u transportua për ndihmë më të specializuar në Itali.
Rrethanat e dëmtimit të të riut janë objekt hetimi. Në një njoftim të datës 25 tetor, Policia e Shtetit bëri të ditur se 28-vjeçari E. V. ishte lënduar në sy gjatë protestës.
Për këtë rast, sipas Policisë, kanë nisur veprimet hetimore Drejtoria e Standardeve Profesionale, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Policia njoftoi gjithashtu pezullimin nga detyra të inspektorit A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas publikimit të pamjeve ku ai shfaqej, sipas institucionit, duke tejkaluar detyrën dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit. Ndaj efektivit ka nisur një hetim administrativ.
Për incidentet gjatë tubimit, Policia e Shtetit njoftoi 23 persona të arrestuar, 13 të proceduar penalisht dhe 30 të shpallur në kërkim. Sipas njoftimit të saj, procedimet lidhen me kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të policisë, si dhe dëmtimin e godinave të institucioneve shtetërore.
Policia deklaroi se gjatë protestës efektivët u sulmuan me gurë, sende metalike, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov, duke raportuar pesë punonjës të plagosur.
Protesta e së shtunës u zhvillua pas thirrjeve të përsëritura të kryeministrit Rama për dialog me studentët, të cilat nuk çuan në ndërprerjen e mobilizimit. Tubimit iu bashkuan edhe thirrjet për pjesëmarrje nga sindikata, pedagogë dhe opozita.
Ndërsa institucionet kanë publikuar bilancet paraprake të të lënduarve dhe arrestimeve, vijojnë hetimet për incidentet e protestës dhe për rastet e dyshuara të përdorimit joproporcional të forcës nga policia.