Njeriu përballë makinës: nga Marcel-i te epoka e inteligjencës artificiale

A rrezikon njeriu dehumanizimin e tij nga Inteligjenca Artificiale? A është reduktuar ai tashmë nga një shpirt i lirë në një algoritëm fitimprurës? Gabriel Marcel ishte i pari që në vitet ’50 formuloi frikën se teknologjia do ta tjetërsojë njeriun në një qenie të depersonalizuar.

Kur teknologjia filloi të ndryshonte ritmin e jetës në mes të shekullit XX, një filozof katolik francez me emrin Gabriel Marcel ngriti një zë që në atë kohë dukej pak i çuditshëm. Ai shkruante: “Kujdes, makina nuk është thjesht një mjet, është një mënyrë e re e të menduarit të njeriut”.

Në librin Man Against Mass Society (1952), Marcel shpjegonte se rreziku më i madh nuk është makina në vetvete, por shoqëria që i nënshtrohet logjikës (sot do të thonim “algoritmit”) së saj. Kur gjithçka trajtohet si funksion, edhe njeriu kthehet në funksion.

Kur gjithçka matet, edhe njeriu fillon të matet. Kur gjithçka planifikohet, misteri zhduket.

Ai përdorte një kontrast të fuqishëm: “Njeriu mund të shihet si problem ose si mister”. Problemet zgjidhen, analizohen, çmontohen si motori i një BMW-je. Misteret nuk zgjidhen, por jetohen, respektohen, tolerohen; ato madje hapin horizonte të reja.

Një njeri që trajtohet si problem, që matet dhe standardizohet, humbet dimensionin e misterit të vetvetes dhe të tjetrit. Për Marcel-in, kjo është pikërisht gjendja që karakterizon shoqërinë e masave: gjithçka matet, gjithçka kontrollohet dhe gjithçka optimizohet.

Njeriu bëhet numër, funksion dhe vegël, jo subjekt i lirë. Teknologjia, sipas tij, rrezikon ta trajtojë njeriun vetëm si problem teknik. Shëndeti bëhet “sistem funksional”, marrëdhënia bëhet “proces komunikimi”, shpirti bëhet “inventar energjie”.

Tema qendrore e librit Man Against Mass Society është tensioni midis “personit” dhe “masës”. Masat nuk janë thjesht grupe njerëzish; janë struktura sociale që përpiqen të standardizojnë sjelljen, mendimin dhe vlerat. Marcel-i shpjegon se individi shpesh bën kompromis me veten për të përputhur jetën e tij me pritshmëritë e masës.

Ky kompromis, që mund të duket i vogël, në të vërtetë është një formë e nënshtrimit: njeriu pranon të heqë dorë nga autonomia e brendshme dhe nga mundësia për të qenë subjekt i jetës së tij.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është alienimi (tjetërsimi) dhe izolimi brenda masës. Marcel tregon se masat, ndonëse duken të fuqishme dhe të bashkuara, krijojnë një boshllëk ekzistencial për individin. Brenda masës, personi ndihet i humbur, i padukshëm dhe i pafuqishëm.

Kjo ndjesi shkakton frikë, pasiguri dhe shpesh ndihmon shfaqjen e ideologjive radikale që premtojnë të kthejnë individin në një pjesë të rëndësishme të sistemit – një rrugë e rrezikshme, sipas Marcel-it, sepse ajo manipulon kuptimin që i japim vetes dhe jetës sonë.

Marcel nuk e konsideronte këtë fenomen thjesht si një problem social apo politik; ai ishte, mbi të gjitha, një problem moral dhe shpirtëror.

Ai argumentonte se njeriu nuk mund të shpëtojë vetëm duke ndryshuar rregullat ose ligjet; shpëtimi kërkon rigjallërimin e vetëdijes për personin, për vlerat që nuk mund të maten, për dashurinë që nuk mund të standardizohet dhe për misterin e jetës që nuk mund të racionalizohet plotësisht.

Ai gjithashtu trajton komoditetin dhe kënaqësinë artificiale si mjete që masat përdorin për të zbutur frikërat e vetëdijes. Teknologjia, industria e argëtimit dhe mediat e masave nuk janë thjesht për t’i bërë njeriut jetën më të lehtë; ato mund të shërbejnë për të shpërqendruar njeriun nga misteri dhe autenticiteti i jetës së tij.

Kur këto mjete bëhen qëllim në vetvete, individi bëhet rob i komoditetit, i përshtatjes dhe i standardizimit.

Te libri tjetër The Mystery of Being, ai paralajmëron se nëse kjo qasje nuk frenohet nga etika dhe spiritualiteti, njeriu do të shohë veten jo më si subjekt unik, por si burim që mund të shfrytëzohet. Kjo është rruga drejt dehumanizimit dhe depersonalizimit.

Ajo që Marks e quante “tjetërsim”. Madje ky ishte tjetërsimi i vërtetë dhe përfundimtar. Marcel, me një nuhatje të hollë, e pa qartë se rreziku më i madh nuk ishte thjesht makina, por mënyra si ajo do ta ndryshonte perceptimin e njeriut për vetveten.

Në veprën e sipërcituar, Marcel paralajmëron se teknologjia, nëse nuk mbahet nën kontroll nga etika dhe spiritualiteti, mund ta shtyjë njeriun ta shohë veten jo si person, por si “inventar”, pra një burim energjie që shfrytëzohet, një element i katalogut dhe i katalogueshëm i shoqërisë moderne.

Ky vizion është i frikshëm sepse nënkupton një rrëshqitje të ngadaltë dhe të padukshme drejt robotizimit. Njeriu nuk bëhet robot nga një ditë në tjetrën. Përkundrazi, pak e nga pak fillon të matë veten me parametrat e makinës: sa prodhon, sa konsumon, sa efikas është. Sot do të thonim edhe: sa like merr, sa share jep, sa story bën.

Kështu, aty ku dikur shihnim misterin e një shpirti të lirë, do të shihnim thjesht një mekanizëm funksional. Kjo, sipas Marcel-it, është rruga që i shtrohet një shoqërie çnjerëzore.

Ky ton profetik i Marcel-it nuk ishte rastësor. Ai jetonte në një kohë kur, pas traumës së Luftës së Dytë Botërore, industrializimi masiv dhe burokracitë teknike po e zhvendosnin njeriun nga qendra drejt periferisë së shoqërisë. Shumë nuk e kuptuan atëherë se ky mesazh nuk ishte nostalgji për botën e kaluar, por paralajmërim për botën që vinte.

Dhe sot, në epokën e inteligjencës artificiale, tingëllon i frikshëm sa kurrë më parë. Në botën e tij, ky rrezik lidhej me industrializimin masiv dhe burokracinë që e trajtonte njeriun si numër. Në botën tonë sot, rreziku është edhe më i hollë: algoritmet, të dhënat personale, rrjetet sociale, publiciteti rrezikojnë të na përpijnë në vorbullën e një ekzistence joreale.

Aty ku dikur ishim “krahu i punës”, sot jemi “një profil përdoruesi”. Në të dy rastet, zhduket dimensioni i misterit, pra aftësia për ta parë tjetrin jo si mjet, por si subjekt unik e të pakrahasueshëm.

Marcel nuk ishte kundër teknologjisë si mjet. Ai nuk ishte as nostalgjik që të thoshte se duhej të ktheheshim në epoka para-industriale. Për të, çështja nuk ishte makina vetë, por mënyra si ajo ndryshonte gjuhën e jetës. Fabulat që ne i themi vetes dhe mënyrën se si ne relacionohemi me veten dhe botën. Kur fillon të shohësh veten si numër dhe të përshtatesh me algoritmat, tashmë nuk është më makina që të sundon.

Është ajo që e dikton mënyrën tënde të të menduarit. Ky është deformimi i fshehur që, sipas tij, vetëm etika dhe spiritualiteti mund ta frenojnë. Vetëm kur kujtojmë se jemi më shumë se prodhim e konsum, vetëm kur e pranojmë se jeta është mister e jo problem teknik, arrijmë ta ruajmë dinjitetin.

Në ditët tona, filozofë katolikë bashkëkohorë si Paolo Benanti e kanë marrë stafetën. Benanti është françeskan, me një këmbë në teologji dhe tjetrën në inxhinieri. Për të, inteligjenca artificiale nuk është një lojë pa zarar. “Kush kontrollon këtë teknologji, kontrollon realitetin” – shkruan ai.

Këtu gjejmë jehonën e Marcel-it: teknologjia nuk është thjesht vegël, është kornizë për mënyrën si shohim botën. Nëse një algoritëm përcakton çfarë lajmi lexojmë, çfarë videoje shohim, çfarë produkti blejmë, atëherë ky algoritëm nuk është më neutral – është Demiurgu i vogël që formëson perceptimin tonë për të vërtetën.

Benanti këmbëngul se këto procese mund të shkatërrojnë pavarësinë njerëzore dhe lirinë personale. Nëse për Marcel-in shoqëria masive e kthente njeriun në numër, për Benantin inteligjenca artificiale e kthen në të dhëna.

Çdo klik, çdo foto, çdo emocion që shprehim online, shndërrohet në shifra që dikush tjetër i përdor për të manipuluar tregun ose politikën. Ky është versioni digjital i asaj që Marcel e quante “depersonalizim”.

Një tjetër filozof me emrin Philip Larrey është po aq i shqetësuar. Ai nuk flet vetëm për punët që humbasin ose për inteligjencën artificiale që mund të bëhet e pakontrollueshme, por për mënyrën si teknologjia e ndryshon mënyrën e të menduarit.

Për Larrey, rreziku i madh është se shoqëria po i nënshtrohet një logjike të ftohtë teknike që i vendos njerëzit në plan të dytë. Kur çdo problem shihet si diçka që mund ta rregullojë teknologjia, atëherë harrojmë se disa gjëra nuk janë bërë për t’u “rregulluar” dhe madje as nuk duhet të rregullohen.

Për shembull, dashuria, falja, kuptimi i vuajtjes nuk kanë dhe nuk duhet të kenë një protokoll menaxhimi. Këtu filozofia e Larrey-t takohet drejtpërdrejt me Marcel-in. Të dy thonë të njëjtën gjë në mënyra të ndryshme: rreziku është kur njeriu trajtohet si material që mund të modifikohet.

Madje të modifikohet pa vullnetin e tij. Dhe të dy theksojnë se pa një themel shpirtëror dhe etik, teknologjia merr vetë kontrollin e realitetit ose, në rastin më të keq, del nga realiteti.

Këto zëra të veçantë kanë gjetur edhe një reflektim më të gjerë institucional. Dokumenti i Vatikanit Antiqua et Nova(2025) është një përpjekje për të krijuar një kornizë etike për inteligjencën artificiale. “Njeriu duhet të mbetet zot i proceseve teknologjike, përndryshe teknologjia do të bëhet zot i njeriut” – shkruan dokumenti.

Në fakt, mund të themi se Marcel-i e pa këtë rrezik më herët, që në epokën industriale. Atëherë njeriu shihej si krah pune që duhej optimizuar. Sot njeriu shihet si një grumbull të dhënash që duhen analizuar. Diferenca është te instrumentet, por logjika është e njëjtë: njeriu kthehet në objekt.

Ky tranzicion nga fabrika tek algoritmi është i rrezikshëm sepse është i padukshëm. Një fabrikë e sheh, e ndien zhurmën e saj, tymrat, lodhjen. Algoritmi nuk shihet; ai futet në mënyrë tinëzare në çdo vendim, në çdo mendim, në çdo ambient. Dhe pikërisht për këtë është edhe më i rrezikshëm: ai i ndryshon njerëzit pa e kuptuar.

Megjithatë, Marcel-i nuk ishte pesimist. Ai besonte se misteri i qenies nuk mund të shuhet. Edhe në shoqërinë globale, edhe në botën e teknologjisë, njeriu ka aftësinë për t’u hapur ndaj tjetrit, për të dashur, për të besuar.

Ai zotëron disa karakteristika që makinat nuk do t’i kenë kurrë: kreativitetin, lirinë, emocionet dhe instinktin. Ky është misteri që nuk e thyen dot asnjë makinë dhe asnjë algoritëm.

Narracioni që fillon me Marcel-in dhe vazhdon me filozofët modernë sot është një vijë e qartë paralajmërimi: rreziku më i madh nuk është makina që na shërben, por makina që na përcakton. Nga shoqëria masive te shoqëria digjitale, nga fabrika tek algoritmi, nga numri tek të dhënat, logjika është e njëjtë: transformimi i njeriut në objekt.