Nga pesë kërkesat te mobilizimi i diasporës, protesta hyn në javën e katërt
Pesë kërkesa politike dhe institucionale po marrin formë në protestën qytetare që vijon prej javësh përpara Kryeministrisë. Ndërkohë, organizatorët e tubimeve paralajmërojnë pjesëmarrjen e shqiptarëve nga diaspora në fillim të muajit korrik.
Gjatë protestës përpara Kryeministrisë në Tiranë. Foto: Media Amfora
Protestuesit e mbledhur për të 24-tën mbrëmje radhazi përpara Kryeministrisë në Tiranë artikuluan pesë kërkesa që, sipas tyre, duhet të shënojnë fillimin e një ndryshimi politik dhe institucional në vend. Kërkesat u prezantuan gjatë tubimit të mbrëmjes, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë protestën deri në adresimin e tyre nga institucionet.
Mes kërkesave të paraqitura janë dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat njëvjeçar, ndryshime kushtetuese të miratuara me referendum, reformimi i financimit të partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
“Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj. Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum”, kërkuan folësit gjatë fjalës së mbajtur në protestë.
Pjesëmarrësit rikujtuan gjithashtu edhe disa prej kërkesave të ngritura që në ditët e para të protestës, përfshirë anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe heqjen e statusit të investitorit strategjik.
Protesta qytetare, e njohur si “Revolucioni Flamingo”, nisi si reagim ndaj shqetësimeve për zhvillimet turistike në zona të mbrojtura dhe ndikimin e tyre mbi mjedisin. Me kalimin e javëve, temat e ngritura në tubime janë zgjeruar duke përfshirë çështje që lidhen me qeverisjen, përfaqësimin politik dhe funksionimin e institucioneve publike.
Ndërkohë, protestuesit kanë njoftuar se më 4 korrik shqiptarë që jetojnë jashtë vendit pritet të mblidhen sërish në Tiranë në mbështetje të kauzave të ngritura nga protesta. Pjesëmarrësit thonë se tubimet do të vijojnë çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë, ndërsa kërkesat e artikuluara mbeten në qendër të aksionit të tyre qytetar.
Ndërsa protestuesit këmbëngulin në kërkesat e tyre, kryeministri Edi Rama ka refuzuar thirrjet për dorëheqje dhe ka mbrojtur projektet e kundërshtuara nga lëvizja. Në reagimet e tij publike, Rama ka argumentuar se investimet në zonat bregdetare dhe të mbrojtura janë pjesë e vizionit të qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, ndërsa protestën e ka cilësuar si një lëvizje që ka marrë tashmë karakter politik.