Dita e Trashëgimisë Kulturore, Amfiteatri i Durrësit mes debatit për zonën historike 

Durrësi shënon Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në vitin e 60-vjetorit të zbulimit të Amfiteatrit, ndërsa institucionet njoftojnë konservim dhe gërmime të reja në monument. Përreth tij, projekti TID vijon të shoqërohet me kundërshtime të banorëve për ndërhyrjet, pronat dhe mënyrën se si po ndryshon zona historike e qytetit.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, më 29 shtator, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi nisjen e Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike në Amfiteatrin e Durrësit, monumenti që këtë vit shënon 60 vjet nga nisja e zbulimit të tij në vitin 1966.  

“Ka nisur zbatimi i Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike”, shkroi Gonxhja të martën në rrjetet sociale, duke shtuar se vijojnë edhe kërkimet e projektit italo-shqiptar “Durrësi Mesjetar – Amfiteatri”.

Data 29 shtator është shpallur Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore me urdhër të Ministrit të Kulturës në vitin 2003 dhe institucionet e trashëgimisë organizojnë aktivitete kushtuar promovimit dhe mbrojtjes së pasurive kulturore.  

Për Durrësin, kjo ditë përkon këtë vit me 60-vjetorin e zbulimit të monumentit më të madh antik të qytetit. Gërmimet nisën në vitin 1966 nën drejtimin e arkeologut Vangjel Toçi dhe vijuan intensivisht në vitet pasuese, por Amfiteatri mbetet edhe sot i pazbuluar plotësisht. Amfora ka dokumentuar më herët historinë e zbulimit dhe përpjekjet e përsëritura për nxjerrjen e plotë të strukturës në dritë.  

Pikërisht hapësira rreth Amfiteatrit është prej vitesh pjesë e projektit TID Durrës, që parashikon ndërhyrje në zonën historike dhe arkeologjike të qytetit. Projekti ka sjellë përplasje me një pjesë të banorëve për shkak të pronave të prekura, shpronësimeve, prishjeve të parashikuara dhe nivelit të konsultimit publik.

Në një analizë të Amforës është dokumentuar se planet për zonën përfshijnë ndërhyrje dhe prishje objektesh pranë Amfiteatrit, ndërsa familjet e prekura kanë kërkuar prej kohësh informacion për fatin e banesave të tyre. Sipas të dhënave të siguruara atëherë nga Bashkia Durrës, projekti parashikonte tipologji të ndryshme ndërhyrjesh, përfshirë objekte që do të prisheshin dhe të tjera që do të prisheshin për t’u rindërtuar.  

Debati vijon edhe këtë vit. Pas shfuqizimit nga qeveria të vendimit të vitit 2020 për zonën e re për zhvillim, një grup banorësh i kërkoi në shtator institucioneve pezullimin e projektit TID dhe sqarimin e bazës juridike mbi të cilën vazhdojnë procedurat për pronat dhe ndërhyrjet në zonë.  

Kështu, 60-vjetori i zbulimit të Amfiteatrit vjen ndërsa monumenti mbetet njëkohësisht objekt kërkimi arkeologjik dhe pikë qendrore e një debati më të gjerë për të ardhmen e qendrës historike të Durrësit.

Amfiteatri i Durrësit mbetet destinacioni kryeso i vizitorëve në qytet. Sipas Blendi Gonxhja nga janari deri në gusht të këtij viti Amfiteatrin e vizituan 28,823 persona, rreth 16.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Durrësi e gjen 29 shtatorin edhe me Muzeun Arkeologjik të rihapur këtë vit pas restaurimit të ndërmarrë pas dëmtimeve që pësoi godina nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.  Një investigim i Amforës pas rihapjes dokumentoi se projekti prej 3,8 milionë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS-i, përfundoi kryesisht në ndërhyrje ndërtimore, ndërsa disa elemente të parashikuara në projekt, përfshirë pavijonin e arkeologjisë nënujore, laboratorët e pajisur dhe pjesë të digjitalizimit, nuk u realizuan siç ishin konceptuar fillimisht. 

Në mbrëmje, Qendra Muzeore Durrës ka organizuar një aktivitet kushtuar 60-vjetorit të zbulimit të Amfiteatrit, me moton “1966-2026, 60 vite histori, kujtesë dhe trashëgimi”. Aktiviteti vendos përvjetorin e monumentit në qendër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.