Muzeu Etnografik, një rrëfim për Vlorën përmes objekteve të së kaluarës
Në një godinë të mesit të shekullit XIX, Monument Kulture i Kategorisë së Parë në Vlorën e vjetër, Muzeu Etnografik ruan dëshmi të kulturës materiale të qytetit dhe krahinave përreth. Veshje tradicionale, vegla pune, tekstile, mjete peshkimi dhe objekte të mjeshtërive të dikurshme përcjellin përmes ekspozitës mënyra jetese dhe tradita të trashëguara ndër breza.
Ambienti qendror i Muzeut Etnografik të Vlorës, me shkallët e brendshme prej druri. Foto: Media Amfora
Në qendrën historike të Vlorës, në rrugën “Justin Godard”, ndodhet godina e mesit të shekullit XIX ku është vendosur Muzeu Etnografik. E njohur historikisht si Klubi “Labëria”, ndërtesa është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe pjesë e trashëgimisë arkitektonike të Vlorës së vjetër. Në vitin 1908 këtu u krijua klubi patriotik “Labëria”, me Ismail Qemal Vlorën president nderi, ndërsa një vit më vonë në godinë u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe për vajzat e qytetit, e drejtuar nga Marigo Posio.

Prej vitit 1982, brenda kësaj godine historia e saj ndërthuret me koleksionin e Muzeut Etnografik, të përbërë nga objekte që dëshmojnë kulturën materiale të Vlorës dhe rrethinave. Që në ambientet e para, vizitori ndeshet me enë prej metali e druri, vegla dhe sende të përdorimit të përditshëm, të vendosura pranë njëra-tjetrës si dëshmi të punës dhe jetesës. Nnë muze dallohen veçanërisht objektet që lidhen me punimin e metaleve dhe drurit, veshjet, qëndisjen dhe peshkimin.

Mes objekteve të ekspozuara gjendet edhe një maket që riprodhon në miniaturë një mjedis tradicional me banesa, oborre, njerëz e kafshë, duke e zhvendosur vështrimin nga objekti i veçuar te hapësira ku zhvillohej jeta. Përreth tij, koleksioni vijon me enë, mjete dhe punime të ndryshme, ndërsa fondi i muzeut përfshin dëshmi nga veprimtari si blegtoria tradicionale, përpunimi i drurit e metalit, si dhe prodhimi i vajit të ullirit dhe verës.

Në një tjetër ambient, veshjet tradicionale qëndrojnë mes tekstileve, objekteve prej druri dhe armëve të ekspozuara në mure. Veshjet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fondit dhe paraqiten sipas krahinave, duke ruajtur veçori të përdorimit, punimit dhe motiveve zbukuruese. Ekzemplarët e koleksionit i përkasin një periudhe rreth 70-100-vjeçare, duke sjellë deri në ditët tona forma, motive dhe mjeshtëri të trashëguara të veshjes popullore.

Armë, enë metalike, vegla dhe objekte të punuara në dru zënë hapësira të tjera të ekspozitës, duke treguar larminë e fondit përtej veshjeve. Në fotografi, ato shfaqen të vendosura në mure, mbi rafte e brenda vitrinave, krahas tekstileve dhe sendeve të përdorimit të përditshëm. Punimi i metalit dhe i drurit renditet nga vetë Bashkia ndër traditat e kulturës materiale që përfaqësohen në Muzeun Etnografik.

Një pjesë e ekspozitës i kushtohet peshkimit, një tjetër veprimtari e dokumentuar në fondin etnografik të Vlorës. Rrjeta e madhe e shtrirë në mur, së bashku me mjetet e vendosura përreth saj, e bën këtë hapësirë lehtësisht të dallueshme mes ambienteve të muzeut. Përmes tyre ruhet një dëshmi materiale e një veprimtarie të lidhur me jetën e komuniteteve të zonës, krahas zejeve dhe punëve të tjera tradicionale që përfaqësohen në koleksion.

Duke ndjekur shkallët e brendshme prej druri dhe ambientet e godinës, ekspozita të çon edhe te endja dhe qëndistaria. Tezgjahu prej druri zë qendrën e një prej hapësirave, i rrethuar nga tekstile, veshje dhe punime të tjera artizanale. Ai e bën të prekshme një nga mjeshtëritë që muzeu ruan përmes koleksionit të tij, ku puna me tekstilet dhe motivet dekorative dëshmon trashëgiminë artizanale të Vlorës dhe krahinave përreth.

Nga shkallët e drunjta që lidhin ambientet, te muret e mbushura me fotografi, tekstile, vegla e objekte të jetës së përditshme, Muzeu Etnografik e ndërton rrëfimin e tij përmes objekteve që dikur kishin një përdorim të zakonshëm. Sot ato ruhen brenda një godine që është vetë pjesë e historisë së qytetit: ish-Klubi “Labëria”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, që vizitohet nga turistë të huaj dhe vendas. Godina dhe koleksioni bashkohen në të njëjtin rrëfim për Vlorën, duke ruajtur jo vetëm objekte, por edhe gjurmë të mënyrës se si punohej, vishej dhe jetohej dikur. Pranë muzeut po ndërtohet Muzeu Hebraik Shqiptar, në një banesë tjetër monument kulture, ku Media Amfora dokumentoi ndërhyrjet e thella në strukturën e saj dhe volumet e reja të parashikuara pranë Muzeut Etnografik. Reagimi ndaj projektit u shoqërua fillimisht edhe me keqinformim, pasi ndërtesa ku po ndërtohet Muzeu Hebraik Shqiptar, pranë Muzeut Etnografik të Vlorës, u paraqit në rrjete sociale dhe media si godina historike e Klubit Patriotik “Labëria”, ndonëse bëhet fjalë për dy monumente të veçanta.

Përtej historisë së godinës dhe ndryshimeve që po ndodhin pranë saj, Muzeu Etnografik mbetet një prej hapësirave ku vizitorët mund të njihen nga afër me kulturën materiale të Vlorës dhe krahinave përreth. Objektet e ruajtura në ambientet e tij, nga veshjet dhe tekstilet te veglat, zejet dhe mjetet e punës, e kthejnë vizitën në një udhëtim përmes mënyrës së jetesës së brezave të mëparshëm.