Revolta e Kakomesë u paketua në “X” si protestë kundër Familjes Trump
Postime virale me narrativa kundër Familjes Trump, komente në rusisht dhe përmbajtje të shpërndara nga profile anti-izraelite dhe anti-elitare u përhapën me shpejtësi në rrjetin social “X” pas revoltës në Kakome. Konflikti lokal mbi pronësinë dhe aksesin në plazh u transformua në një histori globale kundër familjes presidenciale amerikane dhe i nxjerrë nga konteksti real i protestës.
Protesta në kodrën e Gjirit të Kakomesë. Foto për Amfora.al nga bashkëpunëtorët e saj në Sarandë
Banorët e Nivicës u rikthyen furishëm pas 21 vitesh në tokën ku pretendojnë se e kanë në pronësi dhe ku në 12 shkurtin e vitit 2005 mbi 350 banorë u ngujuan përballë forcave speciale të policisë së kohës. Kësaj here derën e gjetën të hequr pasi vetë kompania e largoi nga aty 2 ditë më parë.
Policia private që e ruante prej 2 dekadash ja kishte mbathur dhe as policia e shtetit nuk dukej gjëkundi. Të lodhur nga pritja e vendimeve të gjykatave shqiptare, ata shembën muret, rrethimin dhe rrokullisën në greminë kontejnerët e rojeve që nuk lejonin hyrjen e lirë në këtë aset kombëtar.
Me të njëjtin skenar dezinformues si në Zvërnec – Me rrokullisjen e kontejnerëve nisi të rrokullisej edhe një narrativë e rreme e përqendruar në rrjetin social “X” (i quajtur më parë Twitter), që raportonte se protesta ishte kundër familjes presidenciale amerikane.
Profile individësh, faqe komuniteti, media, gazetarë dhe politikanë të huaj i dhanë superxhiro videove që paraqisnin revoltën e niviciotëve, duke arritur audienca në disa milionë shikime që po shkonin në drejtimin e gabuar të protestës në jug të Shqipërisë.
Në rrjetin social X brenda pak orësh protesta shumë shpejt pushoi së qeni një histori shqiptare, ajo u kthye në një tregim oligarkie botërore, me fokus tek Donald Trump, Jared Kushner, e më tej tek Izraeli, kolonizimi ekonomik dhe madje edhe rivalitetet globale mes Perëndimit dhe kundërshtarëve të tij.
Videot e protestës që Amfora analizoi vetëm në rrjetin social “X”, nisën të qarkullonin në anglisht, spanjisht, portugalisht, greqisht, turqisht, maqedonisht dhe rusisht. Ndërsa pamjet mbeteshin të njëjta, kuptimi i tyre ndryshonte nga një komunitet në tjetrin. Për disa profile, shqiptarët po luftonin kundër familjes Trump. Për të tjera, kundër oligarkëve. Për komunitete të tjera, Kakomeja u bë simbol i rezistencës kundër kolonizimit ekonomik ose kundër ndikimit izraelit.
Nyja e narrativës: Shqipëria i kthen shpinën Jared Kushnerit dhe Ivanka Trumpit
Në terrenin shqiptar debati lidhej me aksesin në plazh, kundërshtimet ndaj zhvillimit turistik dhe konfliktin e gjatë për pronësinë e tokës, ndërsa në videot me pamje të banorëve të revoltuar vetë Kakomja filloi të zhdukej nga qendra e historisë dhe të zhvendosej në një aks tjetër.

Një nga postimet që ndihmoi më shumë në ndërkombëtarizimin e protestës ishte ai i llogarisë “Anonymous TV”. Aty u publikua video me “lajmin e fundit” që shpjegonte se shqiptarët kishin rrëzuar barrierat në Kakome sepse plazhet i përkasin njerëzve dhe jo oligarkëve. Më tej, reagimi në Kakome paraqitej si një vijim i protestave për “projektin Kushner-Trump” dhe shoqërohej me sloganin “Albania is not for sale” (Shqipëria nuk është në shitje).
Në pak rreshta në ripostimet e videos që arriti 3.1 milionë shikime konflikti lokal për Kakomenë u transformua në 3 narrativa globale: Populli kundër oligarkëve, Shqipëria kundër shitjes dhe shqiptarët kundër familjes Trump. Asnjë nga këto elemente nuk shpjegonte historinë e konfliktit në zonë, por përkundrazi krijonte një histori të re, më të thjeshtë dhe më të kuptueshme për audiencat ndërkombëtare.
Postimi u rishpërnda nga profile të tjera me qindra mijëra ndjekës. Shumë prej tyre përdorën pothuajse të njëjtin tekst, duke ndryshuar vetëm gjuhën ose theksin ideologjik. “Anonymous TV” funksionon më shumë si një kanal aktivist dhe amplifikues narrativash globale, që zakonisht pozicionohet kundër figurave, qeverive apo politikave që perceptohen si pjesë e establishmentit perëndimor, veçanërisht kur lidhen me luftërat, Izraelin ose Donald Trump.
Në ripostimin e kësaj videoje, komentatori politik kanadez Mark Slapinski, që në “X” numëron 145 mijë ndjekës, shkroi se Shqipëria ka mbaruar së bëri shaka dhe se, “Ata po e marrin pas vendin e tyre nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump”. Konflikti reduktohet prej tij nga Kakomeja në një përballje simbolike mes shqiptarëve dhe familjes Trump.
E njëjta qasje shfaqet tek profili në gjuhën spanjolle, “La Catrina Norteña”, me 391 mijë ndjekës, i cili publikoi se, “Shqipëria po i kthen shpinën Jared Kushner dhe Ivanka Trump-it”. Për një audiencë amerikano-latine, Trump është shumë më i njohur sesa Kakomja dhe ata vijuan me përshkrimin e videos që e ngarkuan në profilin e tyre duke shkruar, “Protestuesit rrëzuan barrierat në plazhin e Kakomesë për të treguar se plazhet shqiptare u përkasin qytetarëve dhe jo investitorëve të huaj si familja Trump”.

Kjo është një nga karakteristikat kryesore të deformimit të narrativave me qëllim dezinformimin, duke mos i ndryshuar faktet bazë të ngjarjes, por duke ndryshuar personazhin kryesor të historisë. Nga një konflikt lokal në rivierën shqiptare, ngjarja u shndërrua në postimet në “X” si të ishte një episod i luftës politike amerikane.
Në viralitetin e rishpërndarjes së videos nga “Anonymous TV” ishte edhe Helmut Brandstätter, një eurodeputet austriak i grupit liberal “Renew Europe”, i njohur për qëndrimet e tij pro-Bashkimit Evropian, mbështetjen për Ukrainën, sanksionet ndaj Rusisë dhe politikën transatlantike të BE-së.
Narrativa e amplifikuar nga ekosisteme anti-perëndimore dhe rusishtfolëse
Një pjesë e profileve që amplifikuan dezinformimin eskluzivisht në platformën “X” për protestën e Kakomesë, janë të njohura për publikimin e përmbajtjeve kritike ndaj NATO-s, Bashkimit Evropian, politikës së jashtme amerikane dhe Izraelit.
Mes tyre spikat “Sonja van den Ende”, që prezantohet si gazetare e pavarur dhe komentatore gjeopolitike. Ajo ka raportuar për vite nga Siria, Donbasi dhe Rusia, duke publikuar në media alternative dhe platforma që shpesh promovojnë këndvështrime kundër NATO-s, politikave perëndimore. Sipas një analize nga “Reporterët pa Kufij”, ajo është përshkruar si promotore e narrativave pro-ruse dhe teorive konspirative.
Emri i Sonja van den Ende shfaqet gjithashtu mes autorëve të “Global Fact-Checking Network”, një platformë që sipas “Reporterët pa Kufij” është ngritur nga struktura të lidhura me Kremlinin për të promovuar narrativat zyrtare ruse nën petkun e verifikimit të fakteve.
Megjithëse një ngjarje larg Holandës, ajo e ndau videon nga kanali “Anonymous TV”, duke e përshkruar si, “Shqiptarët hoqën barrierat në plazhin e Kakomesë në jug të Shqipërisë, duke deklaruar se plazhet e vendit u përkasin popullit, jo oligarkëve”.
Mes postimeve të shpërndara u identifikuan edhe ato në gjuhën ruse. “@VictorKvert2008”, i cili numëron 70 mijë ndjekës dhe publikon kryesisht përmbajtje mbi luftën në Ukrainë dhe zhvillimet ushtarake në Rusi, e postoi videon nga faqja e tij me përshkrimin: “Shqiptarët hoqën barrierat në plazhin e Kakomesë në jug të Shqipërisë, duke thënë se plazhet e vendit i përkasin popullit, jo oligarkëve, ndërsa rritet kundërshtimi ndaj projektit kontrovers të resortit Kushner-Trump”.
Një tjetër profil rusishtfolës modest për numrin e ndjekësve, e ironizonte situatën duke cituar librin e presidentit amerikan Donald Trump, “Arti i marrëveshjes”. “Edhe një ‘fitore’ tjetër e madhe e Trump-it. Ja ku po shohim në veprim ‘artin’ e tij të marrëveshjeve”, shkruhej mbi videon e rishpërndarë.
Një tjetër shembull është “Análise Geopolítica”, një platformë braziliane e fokusuar te BRICS – Blloku ekonomik kundër dominimit perëndimor dhe ku bëjnë pjesë Rusia, Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe së fundmi edhe Irani, pra bota multipolare dhe marrëdhëniet e Jugut Global.
Ajo e ndau videon nga faqja e saj në gjuhën portugeze, duke marrë rreth gjysmë milioni shikime dhe e interpretoi protestën si të lidhur me investimin e Kushner dhe revoltën popullore kundër tij dhe imazhit të familjes presidenciale amerikane.
“Shqiptarët arrijnë të thyejnë barrierat në plazhin e Kakomesë dhe të hedhin poshtë kodrës objektet që do të përdoren për të ndërtuar vendpushimin e dhëndrit të Trump, Jared Kushner, në ishullin e Sazanit, duke deklaruar se Shqipëria nuk është në shitje për të huajt”, shpjegonte postimi.
Paralelisht me narrativën anti-Trump, një tjetër element dominues ishte përdorimi i termit “oligark”. Fraza se “plazhet i përkasin njerëzve dhe jo oligarkëve”, u përsërit nga “Anonymous TV”, Conflict Radar, MundoEConflicto dhe shumë profile të tjera. Megjithatë në pothuajse asnjë rast nuk shpjegohej se kush ishin oligarkët, cilat kompani përfaqësonin apo çfarë lidhjeje konkrete kishin me konfliktin.
Termi u përdor si një etiketë emocionale, duke krijuar një histori universale ku qytetarët përballen me elitën ekonomike. Teksa më tej transformimi më i fortë ndodhi te profilet që zakonisht publikojnë mbi Palestinën, Izraelin dhe Lindjen e Mesme.
“Daniel Mayakovski”, një komentator hispanofon me mbi 200 mijë ndjekës, pasi e mori videon nga një media lokale shqiptare dhe e postoi në kanalin e tij, e përshkroi protestën si kundërshtim ndaj “sionistit Jared Kushner”. Në këtë formulim, Kushner nuk paraqitet si investitor, por si figurë e konfliktit izraelito-palestinez – megjithëse ai nuk është i lidhur me projektin e Kakomesë.
“Në Shqipëri, populli sulmoi plazhin e Kakomesë, në protesta kundër sionistit Jared Kushner dhe vajzës së Trump, të cilët planifikojnë të ndërtojnë një vendpushim luksoz, duke shkatërruar kabinat dhe barrierat e ndërtimit”, shkroi profili duke e nxjerrë totalisht nga konteksti protestën nga Saranda tek projekti i Kushner në Vlorë.
E njëjta qasje shfaqet te “MiddleEast Live”, një profil me foton e flamurit të Iranit dhe që publikon pothuajse ekskluzivisht për Gazën, Izraelin, Iranin dhe konfliktet e Lindjes së Mesme. Kur e ngarkoi dhe e shpërndau videon e Kakomesë, profili shkroi se, “Sot, shqiptarët shkatërruan barrikadat në plazhin e Kakomesë. Protestuesit i bënë të ditur dhëndrit të Trump, Jared Kushner, se projekti i tij i resortit luksoz në ishullin e Sazanit nuk do të ndodhë” – një narrativë që nuk u artikulua në protestën reale në kodrën e Gjirit të Kakomesë.
Postimet virale që u analizuan nuk përmendnin se konflikti për Kakomenë nuk fillon dhe as nuk lidhet me Jared Kushner, e as me familjen Trump. Dokumentet publike tregojnë se projekti turistik në Kakome daton që në vitin 2004, kur shteti shqiptar miratoi zhvillimin e zonës dhe nënshkroi marrëveshje me kompaninë Riviera për përdorimin e truallit për 99 vite. Projekti fillimisht ishte planifikuar në bashkëpunim me kompaninë franceze të resorteve luksoze Club “Club Med” dhe u përball me kundërshtime që në fazat e para të tij
Konflikti për pronësinë vazhdoi për vite me radhë në institucionet shtetërore dhe në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Sipas dokumenteve të publikuara nga kompania “Riviera Kakome”, pretendimet e Bashkësisë së Fshatit Nivicë për pronësinë mbi zonën janë shqyrtuar në disa procese gjyqësore dhe janë rrëzuar nga gjykatat shqiptare. Ndërsa banorët e kontestojnë projektin si të planifikuar që të zhvillohet mbi tokat e tyre dhe me dokumente të falsifikuara.
Ndërsa në rrjetin “X” Kakomja nuk u bë virale si një konflikt i gjatë shqiptar, por si simbol i luftërave ideologjike globale që po zhvillohen shumë larg rivierës shqiptare dhe protesta reale u nxorr totalisht nga konteksti në funksion të narrativave dezinformuese.