Entela Koja, mbi pesë orë në komisariat pas shoqërimit në protestë: “Ishte për të intimiduar”
Arkitektja Entela Koja-Spahivogli, përfaqësuese e banorëve që kundërshtojnë projektin TID Durrës, u shoqërua nga policia gjatë protestës së zhvilluar në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhej në Tiranë. Koja qëndroi rreth pesë orë në Komisariatin nr. 1 dhe e konsideroi ndërhyrjen si përpjekje për intimidim.
Koja gjatë shoqërimit nga efektivët e policisë. Pamje e shkëputur nga videoja e publikuar në Facebook nga Entela Koja
Aarkitekte-urbanistja Entela Koja-Spahivogli u shoqërua mbrëmjen e së mërkurës nga policia pranë Piramidës në Tiranë, gjatë protestës së zhvilluar në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvillonte takime me kryeministrin Edi Rama, ndërsa policia kishte ngritur një perimetër sigurie dhe po mbante protestuesit larg Kryeministrisë.
“Përveçse nuk bëra asnjë tentativë për të shtyrë dikë, po u thosha njerëzve të kalonin nga ana tjetër pa problem. Herën e dytë erdhën dhe thanë: ‘Këtë merreni’”, tha Koja për Amforën, duke shtuar se nuk po kryente asnjë veprim që, sipas saj, të justifikonte shoqërimin.
Ajo tha se u dërgua në Komisariatin nr. 1 dhe qëndroi aty rreth pesë orë, deri afër mesnatës. “Tentuan të më marrin telefonin, por u thashë se jam shtetase kanadeze dhe se do të njoftoja menjëherë ambasadën”, tregoi Koja për Amforën.
Sipas saj, mënyra e ndërhyrjes kishte synim ta dekurajonte nga pjesëmarrja në protesta. “Mendoj që ishte për të intimiduar, që të mos dalësh më”, tha ajo.
Pamje të publikuara nga protesta treguan momente tensioni mes policisë dhe qytetarëve, ndërsa efektivët ndërhynin për t’i larguar protestuesit nga perimetri i sigurisë pranë Kryeministrisë. Mediat raportuan edhe shoqërime të tjera gjatë protestës.
Protesta nisi përpara mbërritjes së von der Leyen në Kryeministri dhe vijoi gjatë takimit të saj me Ramën. Protestuesit kërkuan që presidentja e Komisionit Europian të dëgjonte shqetësimet e tyre ndaj qeverisë, ndërsa policia kufizoi afrimin e tyre drejt godinës së Kryeministrisë.
Vizita e von der Leyen në Tiranë ishte pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe kishte në fokus procesin e integrimit europian. Pas takimit, ajo dhe Rama zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku diskutuan për mbylljen e kapitujve të negociatave dhe vijimin e reformave.
Koja është prej muajsh një nga përfaqësueset e banorëve që kundërshtojnë projektin TID Durrës dhe ka qenë pjesë e protestave e debateve publike për zonën historike të qytetit. Amfora ka dokumentuar më herët se banorët kërkojnë transparencë për projektin, sqarime për fatin e pronave dhe ndalimin e ndërhyrjeve që mund të prekin banesat dhe bizneset e tyre
Në një forum publik të zhvilluar nga Qendra Amfora, Koja e ka trajtuar projektin edhe nga këndvështrimi ligjor dhe urbanistik, duke ngritur shqetësime për mënyrën e planifikimit, transparencën dhe ndikimin në zonën historike të Durrësit.
Protestat në Tiranë, të pagëzuara nga pjesëmarrësit si “Revolucioni i Flamingove”, vijojnë prej disa muajsh dhe janë zgjeruar nga kundërshtimet fillestare për zhvillimet në Zvërnec drejt një lëvizjeje ku janë bashkuar edhe kauza të tjera lokale, përfshirë banorët e prekur nga projekti TID në Durrës. Amfora e ka dokumentuar këtë evolucion të protestës që prej javëve të para. Koja ka qenë një nga zërat që ka përfaqësuar këtë kauzë në tubimet e zhvilluara në kryeqytet.
Deri në momentin e publikimit, Policia e Shtetit nuk kishte publikuar një njoftim të posaçëm që të shpjegonte arsyen konkrete të shoqërimit të Entela Kojës.