Çelet Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës, periferia në veprat e 45 artistëve
Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor sjell në Durrës veprat e 45 artistëve, në 34 pavijone kombëtare. Deri më 31 tetor, qytetarët dhe vizitorët mund të shohin instalacione, piktura dhe skulptura që trajtojnë jetën në periferi, kujtesën dhe përjashtimin shoqëror.
Gjatë ceremonisë së hapjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës. Foto: Media Amfora
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor e Durrësit çeli edicionin e dytë më 1 tetor 2026, me një ceremoni në ambientet e jashtme të Vilës së Mbretit Zog, duke mbledhur artistë shqiptarë dhe të huaj rreth temës “Periferia: Tranzicione pamore”.
“Edicioni i dytë i kësaj bienaleje vjen me risinë duke filluar që nga tematika e trajtuar”, tha për Amfora.al themeluesi i saj, Oltsen Gripshi.
Sipas tij, artistët kanë interpretuar periferitë e vendeve të tyre, duke krijuar përmes veprave lidhje kulturore, sociale dhe politike me Shqipërinë. Gripshi veçoi edhe pjesëmarrjen e artistëve nga vende gjeografikisht të largëta.
Në këtë edicion marrin pjesë 45 artistë, me vepra të prezantuara në 34 pavijone kombëtare. Ekspozitat shtrihen në 14 hapësira të qytetit, mes tyre institucione publike, sheshe dhe monumente të trashëgimisë kulturore. Qytetarët dhe vizitorët mund të shohin nga afër instalacione, piktura dhe skulptura gjatë muajit tetor.
E kuruar nga Massimo Scaringella, bienalja e trajton periferinë përtej lagjeve që ndodhen larg qendrës së qytetit. Në fokus janë edhe njerëzit, përvojat dhe historitë që shpesh mbeten jashtë vëmendjes. Veprat ftojnë publikun të reflektojë mbi kujtesën, identitetin dhe ndryshimet shoqërore.
Një prej ekspozitave është ajo e artistit polak Krzysztof Gil në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Ambasada e Polonisë njoftoi se pavijoni polak paraqet veprën “Kuźnia / Forge”, të përgatitur në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Artit “Zachęta” dhe që mund të ndiqet nga publikun nga 1 deri më 31 tetor.
E kuruar nga Monika Weychert, vepra përdor figura dhe materiale të lidhura me zanatin e farkëtarisë për të trajtuar kujtesën dhe përjashtimin e komunitetit rom. Sipas galerisë “Zachęta”, ajo vë në diskutim stereotipet përmes të cilave romët si komunitet janë paraqitur në kulturën europiane.
Përpara hapjes së Bienales, pjesëmarrja polake ishte diskutuar në një takim mes të ngarkuarit me punë të Polonisë në Shqipëri, Wojciech Unolt, dhe Oltsen Gripshit. Sipas ambasadës, biseda u përqendrua te pjesëmarrja e artistit polak dhe zhvillimi i bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.

Instituti Italian i Kulturës merr pjesë në këtë edicion me artisten Erika Ungari dhe veprën në video “The medieval hammam”, pjesë e programit të bienales për muajin tetor.
Në ceremoninë e hapjes u ndanë edhe çmimet e këtij edicioni. Çmimin e parë e mori Arkond Canaj, të dytin artisti belg Krzysztof Gil dhe të tretin artistja nga Kosova, Eliza Hoxha. Me çmime të veçanta u vlerësuan Valbona Kapllani dhe Diego Masi, ndërsa Çmimi i Karrierës në pikturë iu dha piktores durrsake Shpresa Beqiri.
E themeluar në vitin 2023 nga artisti dhe historiani i artit Oltsen Gripshi, Bienalja e Durrësit zhvillohet për herë të dytë këtë vit. Edicioni i parë u mbajt nga 5 tetori deri më 24 nëntor 2024 dhe kishte në qendër të saj Inteligjencën Artificiale.