Nata në qytetin e një mbi një dritareve, kartolina e Beratit

Lagjet muzeale “Mangalem” dhe “Goricë”, përmes banesave monumentale ofrojnë një kartolinë gjatë mbrëmjeve për vizitorët e shumtë të Beratit. Qyteti pasuri e UNESCO-s shndërrin nën hijen e natës edhe përmes objekteve të kultit dhe Urës së Goricës.

Berati është një nga perlat e arkitekturës shqiptare, i gjendur në në juglindje të Shqipërisë, në vitin 2008 ai u rregjistrua në listën e UNESCO-s si një nga pasuritë botërore të trashëgimisë kulturore materiale.

Shembull i rrallë i arkitekturës tipike të periudhës osmane, qyteti nis t’i tërheqi vizitorët e shumtë sapo futen në pjesën historike, aty ku eleganca e Urës së Goricës ndan dy lagjet muzeale.

Lagja “Mangalem” gjatë mbrëmjes. Foto: Media Amfora

Dëshmi e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, Berati duket i bukur në çdo stinë, por qetësia që të ofron përgjatë muajit mars, të mundëson që të shijosh çdo copëz të tij.

Ndriçimi mbi banesat që i ka dhënë edhe emrin “qyteti i një mbi një dritareve”, e bën zonën që ndahet nga Lumi Osum, “Mangalemi’ dhe “Gorica”, gati magjike. Ndërsa në krye të zonës historike, Lagja “Kala” qëndron si kurorë që mban pasuri të njerëzimit.

Minarja e Xhamisë së Beqarëve në lagjen “Mangalem”. Foto: Media Amfora

Qyteti është dëshmimtar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Këtë e dëshmojnë kishat dhe xhamitë që ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, duke krijuar mbrëmjeve një harmoni perfekte midis tyre.

Ura e Goricës është një nga më të vjetrat në vend. Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ajo është ndërtuar me plot elegancë që prej shekullit XVIII. Fillimisht prej druri dhe më pas në vitin 1780, në kohën e Ahmet Pashës, u rindërtua me gurë, duke pësuar edhe një herë transformime në vitet’ 20.

Ura e Goricës. Foto: Media Amfora

Në krah të djathtë të rrugës kryesore dhe të vetme që përshkon qytetin, gjendet lagja muzeale “Goricë”, që veçohet jo vetëm për banesat e ansamblit historik, por edhe për objektet e kultit.

Lagja “Goricë” gjatë mbrëmjes. Foto: Media Amfora

Përballë saj ngrihet lagjja tjetër, “Mangalemi”, me të njëjtin stil banesash, me prezencë gjithashtu të objekteve të kultit. Mbi lagje qëndron si “mbretëreshë” kisha mbi shkëmb, e Shën Mëhillit.

Kisha e Shën Mëhillit, mbi lagjen “Mangalem”. Foto: Media Amfora

Xhamia e Beqarëve, gjendet në anën e poshtme të lagjes Mangalem dhe u ndërtua në shek. XIX. Xhamia është ndërtuar në një terren të pjerrët dhe paraqet vlera artistike të pikturimit dhe të gdhendjes në dru.

Afresket në fasadën e jashtme të Xhamisë së Beqarëve. Foto: Media Amfora