Cenohet fizikisht gazetarja Ambrozia Meta, kryeministri Rama avancoi sjelljen agresive 

Reporterja e “Syri TV”, Ambrozia Meta, u përball të martën me cenimin fizik nga kryeministri Edi Rama, teksa ai për të disatën herë refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të saj, që këtë herë fokusoheshin tek interesi publik dhe projektet ndërtimore për ishullin e Sazanit.

Në përmbyllje të fjalës për gazetarët pasi la selinë e Partisë Socialiste paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama ju përgjigj me komente nënçmuese pyetjes së gazetares Ambrozia Meta dhe duke e shtyrë fizikisht në zonën e fytyrës.

Ky veprim i kryeministrit ndaj reporteres së Televizionit “Syri”, u dënua menjëherë nga organizatat në mbrojtje të gazetarëve dhe nga kolegët, të cilët e kanë cilësuar si cenim të integritetit fizik dhe sjellje anormale nga ana e Ramës. 

“Prekja fizike e gazetares është cenim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër”, shkroi i Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në një deklaratë të shpërndarë në “Facebook”.

“Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njërit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar”, shtoi deklarata. 

Kryeministri Rama u prit nga gazetarët pas një takimi me drejtuesit politikë të rretheve në selinë e Partisë Socialiste. Ata e pyetën për projektin e investimit në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit në Vlorë, të lidhura me Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump. 

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias reagoi pas ngjarjes, duke e dënuar sjelljen e kryeministrit. Por thirrjeve për të kërkuar ndjesë ai ju përgjigj në median sociale “X”, pa shfaqur asnjë pendesë, duke e trajtuar si diçka normale dhe duke vijuar me diskursin edukativ për median.

“Më vjen keq që një ‘denoncim’ i tillë nuk nderon vlerat e lirisë dhe as të vërtetën, por më shumë se denoncimi i një agresioni imagjinar nuk respekton viktimat e vërteta të agresioneve të pushtetit ndaj grave gazetare në mbarë botën”, shkruajti Rama.

“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” e konsideroi sjelljen e Ramës si një kërcënim të drejtpërdrejtë për parimet e transparencës dhe të përgjegjësisë që mbështesin një shoqëri demokratike. 

“Ky incident është pjesë e një modeli shqetësues ku kryeministri Rama ka shfaqur përbuzje ndaj gazetarëve, veçanërisht grave, të cilat paraqesin pyetje sfiduese”, shkroi Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

“Refuzimi i kryeministrit për t’iu drejtuar këtyre pyetjeve me interes publik, i ndjekur nga komenti i tij nënçmues – ‘injoranca nuk është argument’ – dhe kontakti fizik, duke tentuar të prek faqen e saj është i papranueshëm dhe alarmues”, shtoi deklarata.

Përfaqësues të opozitës dhe politikanë e dënuan këtë sjelljë të kryeministrit, duke e cilësuar si sjellje prej gangsteri dhe jo etike. Megjithatë kjo nuk është hera e parë që kryeministri i vendit ndërmer veprime të qëllimshme ndaj gazetares Ambrozia Meta. 

Më herët ajo është përjashtuar nga konferecat për shtyp të organizuara nga Kryeministria, duke mos u lejuar që të merrte pjesë në to dhe është qortuar nga Rama për pyetjet e saja, që fokusoheshin tek transparenca dhe llogaridhënia.