Kur perandoresha Sisi solli në Durrës pikturën e Shën Luçias

Kisha e Shën Luçias, një nga perlat e pa studiuara ende plotësisht nga historianët dhe arkeologët e qytetit, vazhdon të rezervojë surpriza të bukura në lidhje me elementët që e përbëjnë atë. 

Për shumë vite në fakt ka qenë mister origjina e një pikture të ndodhur brenda kishës, dedikuar shenjtores nga Sirakuza, emrin e së cilës mban edhe kisha.

Studimet e bëra ndër vite nga kritikë dhe historianë arti e kanë datuar atë përafërsisht në shekullin XIX, por pa specifikuar saktësisht vitin. Gjithashtu edhe artisti apo origjina e saj ishin plotësisht të panjohura për qytetin dhe komunitetin katolik të Durrësit.

Piktura e cila pas vitit 1967 u magazinua pa kujdes dhe rrezikoi të prishej nga lagështia dhe insektet në një nga magazinat e diktaturës, sot na zbulon një histori interesante.

Piktura e Shën Luçias në kishën katolike të Durrësit. Foto: Dorian Hatibi

Kisha e shën Luçias është objekti më i vjetër i krishterë në qytetin e Durrësit. Ndërtimi i saj iu kërkua direkt sulltanit të Perandorisë Osmane në vitin 1856, nga komuniteti i vogël katolik i qytetit që asokohe ishte nën protektoratin e kurorës Habsburge. 

Pak muaj më pas, në janar 1857, sulltani Abdylmexhit I, përmes një fermani të posaçëm, dha lejen për ndërtim. Guri i parë u bekua nga Imzot d’Ambrosio, më 20 tetor 1867, ndërsa punimet zgjatën deri në verën e vitit 1873 kur edhe u vendosën kambanat e kishës. 

Por përpara se në kishë të binin kambanat e para, aty kishte zbarkuar një dhuratë e mrekullueshme e dërguar nga vetë perandoresha Elizabet, gruaja e perandorit austriak Franz Jozefit I, e famshme ndryshe në Europë dhe në botë me emrin Sisi.

Lajmin e dha gazeta vjeneze “Brünner Morgenpost”, e datës 11 shtator të vitit 1869, me numër 207, faqja e parë. Aty lexojmë, “Lajme nga oborri – Naltmadhënia e saj mbretëresha ka dhuruar për kishën e shuguruar të Durrësit, në tetor 1868, një figurë altari tek e cila paraqitet Shën Luçia.”

Mbretëresha Elisabeta, e njohur si Sisi, në vitin 1867. Marrë nga Wikipedia

Sisi, e cilësuar si “gruaja më e bukur dhe e famshme e shekullit XIX”, me shumë gjasë në një nga udhëtimet e shpeshta në Adriatik, duhet të kishte vizituar edhe Durrësin duke filluar nga vera e vitit 1861. Këtë të paktën sugjerojnë tërthorazi fondet e Bibliotekës Kombëtare Austriake të cilat mund të konsultohen edhe në internet.

Durrësi në fakt ishte për familjen e Habsburgëve qyteti më i preferuar i bregdetit osman. Këtë mund ta dallojmë fare lehtë jo vetëm në marrëdhenien që ata kishin me familjen Tedeskini, por edhe nga fakti se vetëm arkiduka Ferdinand Maximilian, i vëllai i perandorit Franz Jozef I, dhe bashkëshortja e tij Karlota, kunata e Sisi-t, e vizituan Durrësin plot 4 herë në 10 vjet. 

Piktura 156 vjeçare e Shën Luçias, që sot mund të admirohet në kishën me të njëjtin emër në Durrës, është simboli i një marrëdhënie kurrë të shkëputur plotësisht midis Durrësit dhe Europës. Ajo është aty jo vetëm si dëshmi e së bukurës, por edhe si një pjesë e rëndësishme (dhe fatkeqësisht e papromovuar!) e historisë së qytetit tonë.