Trafikonin objekte arti, një nga të arrestuarit ishte punonjës parqesh arkeologjike

Policia e Durrësit ndaloi 2 trafikantë që do shisnin objekte arkeologjike jashtë vendit për 10 mijë deri në 20 mijë euro. Atyre ju gjetën 13 objekte arkeologjike, teksa një prej të ndaluarve kishte punuar në parqe arkeologjike.

Policia e Durrësit arrestoi dy burra që po trafikonin 13 objekte arkeologjike dhe statuja, një prej të cilëve ishte i punësuar kohë pas kohe pranë parqeve arkeologjike, duke grabitur objekte arkeologjike nga 3 qarqe të vendit.

“Shtetasi Pëllumb Leka duke përfituar nga fakti se ishtë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin tjetër, i trafikonin me qëllim përfitimin”, shpjegoi policia.  

Sipas njoftimit për mediat 53 vjeçari Pëllumb Leka ishte banues në Fier ndërsa 56 vjeçari Emanuel Çaço, ishte banues në Lushnjë. Policia zbuloi se një pjesë të objekteve arkeologjike ata ja shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10  mijë deri në 20 mijë euro. 

Gjatë operacionit të koduar “Ikonat” skuadra e operacioneve e Policisë së Durrësit i ndaloi ata në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë dhe i gjetën brenda automjetit 13 objekte arkeologjike në formë statujash dhe koka statujash prej mermeri, si edhe të tjera në miniaturë prej bronxi, ngjashëm me objektet e periudhës së antikitetit.

 “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale ‘Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës'”, njoftoi Policia e Durrësit mesditën e së premtes. 

Fieri është kthyer në një “minierë” për trafikantët e veprave të artit. Në korrik të vitit 2020 policia e qytetit arrestoi një 49 vjeçar që jetonte në Fier dhe sipas policisë siguronte objektet arkeologjike për dy persona të tjerë që gjenin klientët për shitjen e tyre për shuma që varionin nga 18 mijë deri në 25 mijë euro.  

Ndërsa më herët, në shkurt të vitit 2017 policia në Fier prangosi dy persona dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë. Ata u akuzuan për gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe sipas raportimeve në media ara dyshoheshin se për një periudhë të gjatë kishin nxjerrë nga nëntoka rreth 230 objekte arkeologjike, si bronz, hekur dhe qeramikë.