Çfarë po mbrohet në Zvërnec, në një rrëfim përmes fotove 

Ndërsa konflikti për projektin e resortit luksoz në Zvërnec ka hyrë në një fazë të re tensioni, me protesta, përplasje dhe akuza për shkelje të ligjit në Zonën e Mbrojtur natyrore, Amfora.al sjell një vështrim mbi pasuritë natyrore dhe kulturore që gjenden në qendër të debatit.

Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora

Flamingot që qëndrojnë të shpërndara në ujërat e cekëta të Lagunës së Nartës, janë kthyer në simbol të një prej ekosistemeve më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri. Zona që është pjesë e peizazhit të mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” është përfshirë në rrjetet ndërkombëtare EMERALD dhe IBA për rëndësinë e saj për shpendët e ujit. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë ekosistem janë identifikuar 18 tipe habitatesh, ndërsa gjatë sezonit të shumimit dhe migrimit laguna shërben si strehë për dhjetëra specie shpendësh.

Flamingot janë ndër speciet më të njohura që frekuentojnë Lagunën e Nartës gjatë migrimit dhe dimërimit. Foto: Media Amfora
Flamingot janë ndër speciet më të njohura që frekuentojnë Lagunën e Nartës gjatë migrimit dhe dimërimit. Foto: Media Amfora

Në anën perëndimore të lagunës shtrihet pylli bregdetar i Pishë Poros, një brez i gjerë me pisha që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Ky formacion natyror shërben si habitat për një numër të madh speciesh dhe luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të zonës. Ndërsa qendër të peizazhit ndodhet ishulli i Zvërnecit, i lidhur me tokën nga një urë druri që zgjatet mbi ujërat e lagunës. Ishulli është i mbuluar nga një masiv i dendur selvishtesh dhe përbën një nga pikat më të vizituara të zonës, duke bashkuar vlerat natyrore me ato historike dhe fetare.

Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora
Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora

Mes pyllit ngrihet Manastiri i Shën Mërisë Hyjlindëse, monument kulture dhe një prej objekteve më të rëndësishme të arkitekturës mesjetare në jug të vendit. Sipas të dhënave të trashëgimisë kulturore, kisha daton në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe është ndërtuar me planimetri në formë kryqi të lirë, me kupolë qendrore dhe portik të hapur në anën veriore. Kompleksi fetar mbetet një pikë referimi për besimtarët, vizitorët dhe studiuesit e trashëgimisë.

Kisha e Shën Mërisë Hyjlindëse përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës mesjetare. Foto: Media Amfora
Kisha e Shën Mërisë Hyjlindëse përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës mesjetare. Foto: Media Amfora

Pranë brigjeve të lagunës ruhen ende elementë të kulturës lokale. Festimet tradicionale, Karnavalet e Nartës, muzika popullore dhe ritet fetare që lidhen me manastirin vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së komunitetit, duke e bërë zonën një hapësirë ku ndërthuren natyra dhe kujtesa kulturore.

Përveç vlerave natyrore, zona ruan tradita kulturore dhe fetare që janë pjesë e identitetit lokal. Foto: Media Amfora
Përveç vlerave natyrore, zona ruan tradita kulturore dhe fetare që janë pjesë e identitetit lokal. Foto: Media Amfora

Në vitet e fundit, peizazhi i Nartës dhe Zvërnecit është vendosur në qendër të debatit publik për shkak të projekteve të zhvillimit të planifikuara brenda dhe në afërsi të Zonës së Mbrojtur – një histori që nisi me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në zemër të peizazhit të mbrojtur. 

Zona ku po zhvillohet debati publik mbi të ardhmen e Nartës dhe të Zvërnecit. Foto: Media Amfora.
Zona ku po zhvillohet debati publik mbi të ardhmen e Nartës dhe të Zvërnecit. Foto: Media Amfora.

Diskutimet tashmë janë përqendruar te ndikimi i mundshëm i ndërhyrjeve në habitatet natyrore, biodiversitetin dhe peizazhin e lagunës, duke e kthyer këtë territor në një nga shembujt më të spikatur të përballjes mes premtimeve për zhvillim ekonomik dhe ruajtjes së vlerave natyrore e kulturore në bregdetin shqiptar.