Kryeministri Rama shkrin Ministrinë e Kulturës, bashkohet me ekonominë dhe inovacionin

Ish-ministri i kulturës, kryeministri aktual Edi Rama vendosi shkrirjen e Ministrisë së Kulturës, duke e bashkuar me 2 fusha të tjera, ekonominë dhe inovacionin. Rama kërkoi emërimin e Blendi Gonxhes për ministrinë e re, një bashkëpunëtor i hershëm i tij. 

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ristrukturimin e Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Financave dhe Ekonomisë, të cilat do të shkrihen në një ministri të vetme që përfshin edhe inovacionin.

Lëvizja e Ramës, ish-ministër i kulturës në vitet ’98-2000, shkriu kështu dy ministri që ishin autonome, ajo e kulturës që tashmë do të jetë pjesë e ekonomisë dhe inovacionit, ndërsa financat pritet të mbeten ministri më vete.

“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit…”, njoftoi kryeministri Rama në median sociale “X”.

“…të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën…”, vijoi postimi i gjatë i Ramës.

Vendimi për të shkrirë Ministrinë e Kulturës parashtron sfida të shumta në menaxhimin e të gjithë skenës kulturore dhe të trashëgimisë në vendin tonë. Me një eksperiencë të gjatë dhe me institucione varësie në të gjitha qarqet e vendit, Ministria e Kulutrës është përballur me raste flagrante të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore materiale.

Rama nuk sqaroi më tej për fatin e institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës, nëse ato do të ristrukturohen apo do të kalojnë në gjendjen që janë në varësi të ministrisë së re. Aktualisht Ministria e Kulturës ka në varësi së paku 28 institucione, që përfshijnë muze, galeri, teatro, parqe arkeologjike, drejtori rajonale kulture dhe institucione të tjera.

Kryeministri Edi Rama njoftoi në postimin e tij se ministri i ri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, do të jetë Blendi Gonxhja, që prej 5 vitesh është në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhja, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të

institucionit…”, shkruajti Rama, duke vlerësuar punën e Gonxhes në krye të transportit rrugor.

Blendi Gonxhja nuk është një emër i panjohur për kulturën, në vitin 1998 ai u emërua shef i Kabinetit i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në atë kohë, Edi Rama dhe në vitin 2000 u ribashkua me Ramën si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. 

Ministrja aktuale e kulturës, Elva Margariti, në një intervistë televizive tregoi planet për vitin 2024 për kulturën në vend, por duket se vendimi i Ramës ka qenë i papritur. Ajo u emërua në detyrë katër vite më parë, në janarin e 2019-ës dhe është përballur herë pas here me kritika nga opozita.

Margariti ishte në qendër të kundërshtimeve të opozitës për planin e ri të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërhyrjeve në qytetin e Durrësit dhe rastet e rrënimit të trashëgimisë kulturore, si “Ura e Zogut” në Milot dhe shkatërrimi i monumentit antik në Porto-Romano, të cilat kanë marrë edhe vëmendjen e organizatës “Europa Nostra.

Arkitektja Margariti ka qenë e angazhuar edhe në fushatat zgjedhore të Partisë Socialiste dhe gjatë kohës që ishte në detyrë u gjobit nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe Abigelia Vushtina, drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Sipas KAS ata shkelën Kodin Zgjedhor për përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës elektorale të Veliajt, për një takim të zhvilluar më 4 maj 2023 në Teatrin e Operas dhe Baletit me artistë të ndryshëm të institucioneve në varësi të ministrisë.

Lëvizja e fundit e kryeministrit u kritikua nga përfaqësuesit e opozitës. Deputetja demokrate, Ina Zhupa, shkruajti për një bilanc negativ të Margaritit, që sipas saj do të vijohet nga ministri i ri, Blendi Gonxhja.

“Bashkimi i kulturës me ekonominë, zyrtarizimi i trajtimit të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune”, shkruajti Ina Zhupa në faqen e saj.

Qeveria socialiste ka eksperimentuar disa herë me ristrukturimin dhe krijimin e institucioneve të reja pasi mori pushtetin në vitin 2013. Rama e riktheu inovacionin pasi u duk se dështoi më herët, të cilën e kishte krijuar gjatë mandatit 2013-2017 si një ministri më vete, e drejtuar në atë kohë nga Milena Harito.

Kërkesa e sotme e kryeministrit ju dorëzua Presidentit të Republikës, Barjam Begaj, për pranimin e emërimit si ministër të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të Blendi Gonxhes.