“Festivali i Zogjve”, vlerësim me çmime dhe interes i lartë nga fëmijët 

“Festivali i Zogjve” mblodhi në Durrës 800 zogj që mbarështohen për qëllime dekorative. Për 150 raca zogjsh u shpërndanë 4 çmime, në aktivitetin që ngjalli kureshtjen e të rriturve dhe fëmijëve.

Mbarështues zogjsh dhe të apasionuar nga Shqipëria, Italia, Greqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ekspozuan në Durrës përgjatë dy ditëve 800 zogj dekorativë të 150 racave të ndryshme.

Festivali me qindra kanarina, gardelina dhe papagaj, të moshave të ndryshme, ngjyrave, formave, u vizituan nga kureshtarët e shumtë dhe morën vlerësime nga juria profesioniste.

“U ndanë katër çmime për secilën nga racat, për 150 raca. Për zogj të formës dhe pozicionit, të ngjyrës dhe zogjtë e këngës”, tregoi Eduart Cara, përfaqësues i Federatës Shqiptare të Ornitologëve.

Juria kryesohej nga specialisti italian, Sergio Palma. Zogjtë që përdoren për qëllime dekorative ishin vendosur në disa stenda dhe mbushën me cicërima mjediset e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. 

“Festivali i Zogjve” ngjalli interesin e të rriturve dhe fëmijëve. Foto: Media Amfora

Të dielën e parë të janarit, Mira, një nënë e re nga Durrësi, e pa aktivitetin si një zgjidhje mjaft të mirë për të argëtuar dy fëmijët e saj 7 dhe 10 vjeç. 

“Aktivitetet e fëmijëve janë të pakëta në qytetin tonë. Dje pash që po organizohej tek pallati i sportit një festival i dedikuar për zogjtë dhe sot erdhëm që në mëngjes për ta vizituar”, tregoi gruaja për Median Amfora. 

Organizuar nga Federata Shqiptare e Ornitologëve dhe Bashkia e Durrësit, “Festivali i Zogjve” tërhoqi vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve. Për Eduart Carën, interesi i qytetarëve për këtë festival ishte i madh.

“Që në momentin e futjes së zogjëve në kafaz dhe në montimin e kafazëve njerëzit kanë ardhur për ta vizituar festivalin”, tregoi Cara.     

“Durrësi ishte aktiviteti i radhës, pasi është hera e pestë që ky lloj aktiviteti zhvillohet në Shqipëri dhe mesa duket çdo vit do të kemi nga një qytet”, përfundoi Cara për Median Amfora.