Ministrja e kulturës dhe Veliaj gjobiten për përdorim të burimeve publike për fushatën e Tiranës

Shkelja e Kodit Zgjedhor është bërë shkak për vendosjen e një gjobe nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve për ministren e kulturës, Elva Margariti, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe drejtoreshën e Teatrit të Operas dhe Baletit (TOB). Shkelja e Kodit Zgjedhor lidhet me një takim që është realizuar në TOB para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe Abigelia Vushtina, drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit, u përballën të hënën me Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

KAS vendosi t’i gjobiste 3 zyrtarët publik pasi gjeti shkelje të Kodit Zgjedhor, që lidhen me përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës elektorale të Erjon Veliajt, që rikandidoi për drejtimin e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ishte organizata “Drejtësia Sociale” që e denoncoi rastin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  për një aktivitet të përbashkët të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, të cilin nuk e kishin raportuar sipas ligjit zgjedhor si aktivitet publik. 

Sipas denoncimit të organizatës bëhej fjalë për një takim të zhvilluar më 4 maj 2023 në Teatrin e Operas dhe Baletit me artistë të ndryshëm të institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës.  Në denoncim theksohet gjithashtu se gjatë takimit të mbajtur janë bërë edhe deklarata politike.

Pas hetimit administrativ, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, e cilësoi  veprimtarinë me karakter publik dhe kërkoi gjobitjen vetëm të personit përgjegjës në ministrinë e Kulturës, për mosraportimin e aktivitetit.

Por KAS vendosi në seancën e së hënës në favor të ankimuesit (Drejtësi Sociale) dhe vlerësoi se aktiviteti i muajit maj në Teatrin e Operas dhe Baletit kishte natyrë elektorale.

Sipas njoftimit të KAS sanksionet administrative në formën e gjobës do të jenë në vlerën 2500 lekë ndaj ministres Margariti, 2500 lekë ndaj drejtoreshës Vushtina dhe 155.000 lekë për kryebashkiakun Erion Veliaj.