Historia si argument kundër Reformës Territoriale, Dimali kërkon të mbetet njësi vendore më vete
Drafti i Reformës Territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë së Dimalit me Beratin ka sjellë reagime nga banorët, të cilët protestuan kundër propozimit, ndërsa kryetarja e bashkisë, Juliana Memaj, e kundërshtoi me argumente historike, ekonomike dhe demografike. Protesta kundër draftit janë zhvilluar edhe në bashki të tjera të vendit, ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi duke mbrojtur procesin e Reformës Territoriale dhe fazën e konsultimit publik.
Protesta në Dimal kundër projektligjit për Reformën Administrativo-Territoriale. Pamje nga video e bashkëpunëtorit të Amforës në Berat.
Propozimi i Reformës Territoriale për shkrirjen e Bashkisë së Dimalit dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat ka nxitur reagime nga banorët, ndërsa kryetarja e bashkisë, Juliana Memaj, e kundërshtoi nismën duke përdorur historinë, identitetin dhe potencialin zhvillimor të zonës si argumente për vijimin e Dimalit si njësi vendore më vete.
“Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, shkroi Memaj në reagimin e saj kundër draftit të Reformës Territoriale.
Reforma, e depozituar nga Partia Socialiste në Kuvend në fund të korrikut, parashikon uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46 dhe ndodhet aktualisht në fazën 60-ditore të konsultimit publik, gjatë së cilës bashkitë, institucionet dhe qytetarët mund të paraqesin qëndrimet dhe propozimet e tyre përpara shqyrtimit në Kuvend.
Në ditët e fundit, propozimi ka nxitur protesta dhe kundërshtime në disa bashki të vendit. Pas reagimeve në Përrenjas, Maliq dhe Poliçan, edhe dhjetëra banorë të Dimalit, mes tyre gra, të moshuar dhe fëmijë, dolën në protestë kundër bashkimit të bashkisë së tyre me Beratin, duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje: “Mos e prekni Dimalin”. Protestuesit e cilësuan ndryshimin në kundërshtim me interesat e komunitetit.
Ndërsa në disa bashki kundërshtimi u shpreh përmes protestave, Memaj e mbështeti qëndrimin e saj mbi historinë dhe identitetin e territorit, duke argumentuar se Dimali nuk mund të shihet thjesht si një njësi e krijuar nga reforma territoriale e vitit 2015.
“Dimali ka ekzistuar prej shekullit të V p.e.s. Në atë sit, në kodrinat e bukura të Cukalatit, rreth shekullit të II p.e.s. gëlonte jeta, bujqësia dhe tregtia”, shkroi Memaj në rrjetet sociale më 1 gusht.
Sipas saj, pozicioni i qytetit antik mes Tomorit dhe Shpiragut shërbente si një pikë vrojtimi për mbrojtjen e Apolonisë, ndërsa identiteti historik i zonës u njoh edhe me ndryshimin e emrit të bashkisë në vitin 2021, pas një procesi konsultimi publik të zhvilluar një vit më parë.
Përveç historisë, Memaj e mbështeti kundërshtimin edhe te potenciali ekonomik dhe administrativ i Dimalit, i cili, sipas saj, nuk justifikon shkrirjen me një njësi tjetër vendore.
“Ekonomia lokale e zonës sonë gëlon nga bujqësia dhe tregtia, njësoj si dikur, zonë me potencial zhvillimor, zonë e begatë dhe me njerëz të ndershëm e punëtorë”, shkroi ajo.
Kryebashkiakja theksoi se bashkia ka rritur të ardhurat vendore, ka orientuar më shumë se gjysmën e investimeve drejt zonave rurale dhe regjistron rreth 50 milionë euro eksporte bujqësore në vit. Ajo shtoi se, sipas të dhënave të Censit 2025, Dimali është një nga bashkitë që ka shënuar rritje të popullsisë dhe ritmin më të ulët të uljes së numrit të nxënësve në qark.
“Mungesa e kritereve të qarta, të metat e procesit dhe anashkalimi i respektimit të zërit qytetar e bëjnë këtë propozim të pavlefshëm”, deklaroi Memaj.
Protestat kundër hartës së re administrative nuk janë kufizuar vetëm në Dimal. Reagime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Përrenjas, Maliq dhe Poliçan. Qarku i Beratit është një nga zonat që preket drejtpërdrejt nga reforma, pasi Bashkia Dimal dhe Bashkia Poliçan parashikohen të shkrihen dhe t’i bashkohen Bashkisë Berat. Në protestën e zhvilluar në Poliçan, disa pjesëmarrës dogjën teserat e Partisë Socialiste në shenjë kundërshtimi ndaj propozimit.
Një ditë më vonë, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se procesi ndodhet ende në fazën e konsultimit publik dhe se të gjitha qëndrimet do të dëgjohen.
“Dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin”, shkroi Rama më 2 gusht në rrjetet sociale.
Sipas tij, bashkitë dhe këshillat bashkiakë duhet të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa protestat paqësore janë të ligjshme për sa kohë nuk cenojnë rendin publik.
“Të gjithë do të dëgjohen”, deklaroi Rama, duke shtuar se vendimi përfundimtar mbi Reformën Territoriale do t’i takojë Kuvendit pas përfundimit të konsultimit publik.