Dy të arrestuar për zjarrvënie në Fier, 8 vatra mbeten aktive në vend
Dy persona u arrestuan në Fier dhe Lushnjë nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa njëri prej rasteve preku një sipërfaqe të pyllëzuar në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raportoi 8 vatra zjarri aktive në vend.
Zjarri i rënë në Himarë. Foto: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile
Dy persona u arrestuan pasi dyshohet se ndezën zjarre në Eskaj të Lushnjës dhe Hasturkas të Fierit, ndërsa dy të tjerë u proceduan penalisht për zjarre të shkaktuara nga pakujdesia në Varibop dhe Çërrilë, në një kohë kur 8 vatra mbeten aktive në vend.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier njoftoi se një 60-vjeçar me inicialet K. B. u kap duke ndezur qëllimisht zjarr në një tokë që kishte marrë me qira në fshatin Eskaj të Lushnjës.
Një tjetër person,me inicialet E. S., 25 vjeç, banues në Fier, u arrestua nën dyshimin se kishte shkaktuar zjarr në fshatin Hasturkas, në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta.
Sipas policisë, zjarri u përhap në grykëderdhjen e lumit Seman, duke përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonës së mbrojtur.
Dy persona të tjerë, të moshave 71 dhe 77 vjeç, u proceduan penalisht pasi dyshohet se ndezën zjarre në tokat e tyre në Varibop të Fierit dhe Çërrilë të Mallakastrës. Për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në sipërfaqe me bimësi.
Materialet për të katër rastet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Rastet regjistrohen ndërsa zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) raportoi të dielën se 8 vatra mbeten aktive, ndërsa 7 të tjera janë shuar gjatë ditës.
Në Pukë, zjarri vijon në Malin e Tërbunit, ndërsa terreni i vështirë po pengon izolimin e flakëve; sipas të dhënave të raportuara të dielën, vatra ka përfshirë sipërfaqe pyjore.
Sipas AKMC-së, operacionet vijojnë në qarqet Dibër, Vlorë, Shkodër, Korçë dhe Tiranë, ndërsa asnjë prej vatrave aktive nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve, krahas strukturave vendore të Emergjencave Civile, janë angazhuar edhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura.