35 vjet pas eksodit, arti e rikthen Durrësin në skenën e kujtesës
Një performancë poetike, e bazuar në librin “Hartë memece për të mbyturit” të shkrimtarit Arjan Leka, e ktheu bregdetin e Durrësit në një skenë kujtese për 35-vjetorin e eksodit shqiptar. Përmes poezisë, teatrit dhe instalacionit artistik, artistët sollën në vëmendje tragjeditë e atyre që humbën jetën në det, por edhe pyetjen që mbetet ende aktuale, pse shqiptarët vazhdojnë të largohen edhe sot?
Gjatë performancës poetike "Hartë memece për të mbyturit", të realizuar në shëtitoren "Taulantia" në Durrës. Foto: Media Amfora
Disa varka të vogla artizanale, valixhe të vendosura përballë detit dhe një vajzë e ulur mbi njërën prej tyre me sytë nga horizonti, ishin ftesa e parë për publikun që u mblodh në muzgun e së premtes në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Pak çaste më vonë, deti u kthye në skenë, ndërsa kujtesa risolli historitë e atyre që u nisën 35 vite më parë dhe pyetjen pse shqiptarët vazhdojnë të lënë Shqipërinë ende.
Për më shumë se një orë, publiku durrsak ndoqi mes emocionesh një performancë poetike, me elemente teatrore dhe instalacione, të realizuar nga regjisorja Driada Dervishi, bazuar në librin “Hartë memece për të mbyturit” të shkrimtarit Arjan Leka.
Mes elementeve të para të performancës ishte edhe prania e autorit të librit, Arjan Leka, i ulur përballë detit, aty ku nis edhe rrëfimi i veprës së tij.
Prej këtij teksti, të cilin regjisorja Driada Dervishi e zgjodhi për ta sjellë në skenë në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, u ndërtua një performancë që ndërthuri poezinë, teatrin, muzikën, instalacionin artistik dhe dokumentin në një rrëfim të vetëm.
Përmes poezisë, interpretimit dhe dokumentit, performanca riktheu në skenë tragjeditë njerëzore të lidhura me detin, eksodin dhe emigracionin, duke sjellë në kujtesë ata që deti i mbuloi me heshtje, por jo me harresë.
Performanca nuk ndali vetëm te eksodi shqiptar i viteve ’90 apo te brigjet e Durrësit. Ajo përshkon tragjeditë e emigracionit në Adriatik, Jon e Mesdhe, duke e kthyer detin nga një hapësirë shprese në një vend kujtese për ata që humbën jetën në kërkim të një jete tjetër.

Regjisorja Driada Dervishi tha se zgjedhja e veprës së Arjan Lekës erdhi nga kërkimi për një tekst që i fliste njëkohësisht realitetit shqiptar dhe atij universal. Sipas saj, drama e eksodit nuk i përket vetëm Shqipërisë, por mbetet një plagë që vazhdon të prekë shoqëri të ndryshme.
“Regjisorët janë vazhdimisht në kërkim të teksteve të mira, të materialeve që i komunikojnë kohës, i komunikojnë shoqërisë në shumë dimensione, si në planin lokal edhe në atë universal. Kur gjejmë një temë që i përmbush të dyja, për ne fillon frymëzimi vetvetiu”, tha Dervishi për Amforën.
Pikërisht kjo lidhje mes kujtesës historike dhe realitetit të sotëm ishte edhe arsyeja pse shkrimtari Arjan Leka zgjodhi që kjo vepër të rikthehej në Durrës përmes një performance poetike.
“Ka qenë e qëllimshme. Asgjë nuk ishte e rastit. Ne nuk mund ta linim të kalonte pa shenjë 35-vjetori i një eksodi që ende nuk e kemi bërë thellësisht analizën çfarë humbëm dhe çfarë fituam prej tij. Një kombi, kur i ndodh eksodi, është si t’i priten damarët e tij, energjia”, tha Leka për Amforën.
Në skenën e ngritur buzë detit, valixhet, këpucët dhe varkat e vogla artizanale u shndërruan në simbole të udhëtimeve pa kthim. Përmes poezisë, interpretimit, muzikës dhe dokumentit, performanca solli historitë e anijeve të fundosura, familjeve që pritën pa përgjigje dhe njerëzve që deti i ndau përgjithmonë nga të afërmit e tyre.

Qytetarë që ndoqën performancën poetike. Foto: Media Amfora
Në rrjedhën e performancës, gazetarët Vali Qyrfyçi, Elitjona Doko dhe Geri Emiri u bënë pjesë e interpretimit, duke rikrijuar përmes raportimeve të tyre episodet e eksodit, mbytjeve në det dhe tragjedive të emigracionit. Të ndërthurura me poezinë, interpretimin e aktorëve dhe muzikën, kronikat u shndërruan në një rrëfim artistik që i dha zë historive të atyre që deti nuk ua ktheu më familjeve.
Interpretimi mbajti të përfshirë publikun durrsak mes heshtjes, reflektimit dhe duartrokitjeve të përsëritura që shoqëruan momentet më të forta të performancës. Regjisorja Driada Dervishi tha se një nga veçantitë e konceptit artistik ishte pikërisht bashkimi në të njëjtën skenë i aktorëve profesionistë me qytetarë të profesioneve të ndryshme.
“Një gjë tjetër në këtë performancë ishte pjesëmarrja e shumë personazheve të rëndësishëm, që pranuan të jenë pjesë e saj edhe pse nuk janë profesionistë. Teatri është një art ansambël. Nëse do të isha në një teatër profesionist do të kisha asistentë regjisorë, por këtu nuk kisha një, por dy. Mirela Ylli ka qenë një asistente regjisore e përkryer, po ashtu një performuese shumë e ngrohtë, ndërsa Teuta Dhima është nga ata njerëz që çdo regjisor do të donte ta kishte pranë”, tha Dervishi.
Në këtë rrëfim artistik u ndërthur interpretimi i aktorëve profesionistë Sanije Hoti, Kastriot Ramollari dhe Mimoza Marjanaku me pjesëmarrjen e qytetarëve. Performanca u realizua me mbështetjen e Klubit të Librit “Gjergj Vlashi”, duke bashkuar në të njëjtën skenë artin, letërsinë dhe komunitetin.
Pasi përshkoi historinë e qytetit të lidhur me detin, eksodet dhe tragjeditë që kanë lënë gjurmë në brigjet shqiptare e më tej në Mesdhe, performanca mbërriti te një plagë që vazhdon të shoqërojë vendin edhe sot, emigrimi. Jo më si arratisje nga mungesa e lirisë, por si largim në kërkim të dinjitetit, vlerësimit dhe një jete më të mirë.

Valixhet, të vendosura përballë detit, u kthyen në simbolin e largimit dhe pritjes, një nga elementët qendrorë të performancës poetike. Foto: Media Amfora
Shkrimtari Arjan Leka tha se eksodi i 35 viteve më parë nuk mund të shihet i shkëputur nga realiteti i sotëm, pasi arsyet e largimit kanë ndryshuar, por ikja vazhdon.
“Sot, ky parakusht është tejkaluar. Kemi arritur në atë që quhet karnavalesku i gjithë ngjarjes, ku njerëzit, në një situatë krejt tjetër, kur nuk u mungon liria dhe nuk u mungon lëvizja, ikin se nuk gjejnë motivin, nuk ndihen të vlerësuar, nuk gjejnë të drejtën,” tha ai.
Sipas tij, marrëdhënia e qytetarit me shtetin dhe të drejtat e tij është bërë një nga arsyet kryesore që vazhdon të ushqejë largimin e shqiptarëve, ndërsa vendi humbet vazhdimisht energjinë dhe potencialin njerëzor.
“Jo rastësisht shfaqja u mbyll me ato fjalë, duke i kërkuar njeri-tjetrit: ‘Më mbaj, më jep motivin pse të mos iki dhe më jep kuptimin çfarë duhet të bëj unë që ti të mos ikësh’ “, tha autori.
Pranë skulpturës “Rrënjët”, kushtuar eksodit shqiptar, performanca u mbyll me thirrjen “Më jep motivin pse të mos iki”, një mesazh që nuk i drejtohej vetëm kujtesës së eksodit, por edhe Shqipërisë së sotme.