Harta e re territoriale me 46 bashki pritet me protesta dhe kundërshtime
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale, i cili propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Kundër projektit janë shprehur drejtues të bashkive që preken nga ndryshimet, ndërsa në Poliçan qytetarët protestuan kundër shkrirjes së bashkisë.
Protestë në Poliçan kundër projektligjit për Reformën Administrativo-Territoriale. Pamje nga video e bashkëpunëtorit të Amforës në Berat.
Partia Socialiste depozitoi të enjten në Kuvend projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale që propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa kundërshtimet e drejtuesve vendorë u pasuan me protestën e parë të qytetarëve në Poliçan.
Projektligji i depozituar parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me bashki më të mëdha. Sipas propozimit, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë së Beratit, ndërsa ndryshime parashikohen edhe për Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Prrenjasin.
Kundërshtimet ndaj këtij projektligji ishin shprehur edhe gjatë dëgjesave të zhvilluara në muajin maj në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, argumentoi se shkrirja e bashkive të vogla do të sillte pasoja për zhvillimin e qyteteve.
“Nëse keni bërë shpopullimin e fshatrave, do të shpopulloni qytetet, automatikisht do të shpopulloni qytetet”, tha ai në komision.
Zotkaj tha se Bashkia e Poliçanit është financiarisht e qëndrueshme, investon në zonat rurale dhe ofron shërbime sociale, ndaj sipas tij nuk ka arsye të përfshihet në hartën e re territoriale.
Rezerva gjatë të njëjtave dëgjesa shprehu edhe kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, e cila argumentoi se ndryshimi i hartës nuk është zgjidhja për forcimin e pushtetit vendor.
“Pushteti qendror duhet të delegojë më shumë fonde e më shumë kompetenca”, tha ajo.
Sipas Memajt, Dimali duhet të vijojë të funksionojë si njësi më vete, duke argumentuar se parimi i subsidiaritetit dhe rritja e kompetencave janë rruga për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në ditën e prezantimit të projektligjit, dhjetëra qytetarë protestuan në Poliçan kundër planit për bashkimin e bashkisë së tyre me Beratin. Gjatë tubimit, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, dha dorëheqjen nga detyra, duke e cilësuar vendimin një padrejtësi.
“Prekja e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh”, tha ai gjatë protestës.
Pas deklaratës së tij, disa qytetarë dogjën teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste dhe tekstin e projektligjit, ndërsa në fund të protestës firmosën një peticion ku kërkojnë që Poliçani të mbetet bashki më vete.
Protesta në Poliçan ka sjellë edhe reagime politike. Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Berat, Enno Bozdo, e cilësoi projektin si të dëmshëm për komunitetet që preken nga ndryshimet.
“Shkrirja e 15 bashkive është një akt zhbërës dhe thellësisht kundër interesave të banorëve të këtyre bashkive”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.
Projektligji për Reformën Administrativo-Territoriale është depozituar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, i cili ka kërkuar që harta e re të dërgohet për konsultim në të gjitha bashkitë e vendit. Sipas relacionit shoqërues, reforma synon krijimin e bashkive me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike dhe parashikohet të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027.