Grupimi “Bicycle Durrës” nderohet me titullin “Mirënjohja e Qytetit”

Mbrëmjen e së hënës grupimi qytetar “Bicycle Durrës” u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, nga Shoqata Durrësi Autokton.

Kryetari i shoqatës, Abdulla Deliallisi, çmoi angazhimin e të rinjve në krijimin e një komuniteti për përdoruesit e biçikletës në qytet dhe angazhimin për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

“Për kontributin në krijimin e një grupi qytetar me në fokus përdoruesit e biçikletës, për promovimin e lëvizjes me biçikletë si një stil jetese, advokimin për infrastrukturën e biçikletave dhe kontributin në mbrojtjen e mjedisit në Durrës”, ishte motivacioni që Deliallisi i dorëzoi titullin përfaqësuesve të grupimit.

Ceremonia u zhvillua në 6 vjetorin e themelimit të grupimit qytetar “Bicycle Durrës”, të cilët janë përdorues dhe dashamirës të biçikletës.

Themelimi i tij u bë me datë 20 dhjetor 2015 dhe ai është i hapur për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e biçikletës, të cilët duan të krijojnë një komunitet të tyrin.

“Bicycle Durrës” synon t’i japë më shumë rëndësi përdorimit të biçikletës në qytet, në një kohë kur ndotja atmosferike ka arritur shifra të larta dhe urbanizimi me ritme të shpejta, ka shtuar numrin e automjeteve, duke e vështirësuar lëvizjen në rrugët e qytetit.

Ceremonia u zhvillua në 6 vjetorin e themelimit të grupimit qytetar “Bicycle Durrës”. Foto Griseld Hoxha

Ky grupim synon të përcjell tek institucionet vendore kërkesat për respektimin e përdoruesve të biçikletës në qytetin e Durrësit, që përkthehet në kërkesa për sinjalistikë, vend-parkime dhe korsi të dedikuara.

Titulli ju dorëzua në emër të grupimit, përfaqësuesve të tyre, Ogert Keçi, Marjeta Guzi, Klaudio Hyseni, Edlira Saliu, Geri Emiri dhe Xheni Shtemari. Ata u shprehën se ky titull mirënjohje i dedikohet anëtarëve të grupimit, përdoruesve të biçikletës dhe vlerave të qytetarisë që Durrësi përfaqëson.

Ceremonia e dorëzimit të titullit “Mirënjohja e Qytetit”, për grupimin qytetar “Bicycle Durrës”, nga Shoqata Durrësi Autokton. Foto Griseld Hoxha

_________

Foto në krye: Titulli “Mirënjohja e Qytetit”, për grupimin qytetar “Bicycle Durrës”, nga Shoqata Durrësi Autokton. Foto: Griseld Hoxha.