Gjykata lë në burg ish-drejtoreshën e Postës në Durrës, dy vartëset në arrest shtëpie

Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre ish-punonjëse të filialit të Postës Shqiptare, të dyshuara për përvetësimin e fondeve të destinuara për pensione dhe ndihma sociale. Ish-drejtoresha Elisabeta Mataj do të hetohet në arrest me burg, ndërsa shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Danaj në arrest shtëpie.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë dhe vlerësoi si të ligjshëm ndalimin e tre ish-punonjëseve të Postës Shqiptare, të arrestuara nën dyshimin për përvetësimin e fondeve të destinuara për pensione dhe ndihma sociale për qytetarët e Shijakut dhe Krujës.

Për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Danaj vendosi masën “arrest në shtëpi”.

Për dy të fundit, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi.

“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në vendimin e bërë publik pas seancës.

Tre ish-punonjëset u ndaluan më 15 korrik, pas një hetimi të nisur mbi dyshimet për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Shijakut dhe Krujës.

Sipas Policisë së Shtetit, tre punonjëset dyshohen se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk arkëtuan fondet në degët përkatëse, duke i shkaktuar institucionit një dëm financiar. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.

Më 14 korrik, Posta Shqiptare njoftoi se parregullsitë ishin konstatuar gjatë kontrolleve të brendshme, pas evidentimit të mospërputhjeve në rakordimin e fondeve dhe raportimeve financiare. Në të njëjtin reagim, institucioni theksoi se fondet e konstatuara nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve”. Ndërsa Policia e Shtetit njoftoi se 69 milionë lekët e rinj që dyshohet se janë përvetësuar ishin planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e Shijakut dhe Krujës.